Si një nga rrjedhat e ujëvarës së madhe të folkut, por një lloj dhe në lartësinë e muzikës moderne, me një zë magjepsës dhe të papërsëritshëm në skenat e këngës shqiptar.
Hysni Zela, i lindur në familjen ku buroi muzika në Lushnje, në familjen e Hasan Zelës, të të madhes Vaçe.
I zoti sa motra e tij, i zoti sa të shkëputet nga fama e saj dhe emri i tij të ishte titull i veprave, aftësisë dhe talentit të tij.
Ditët e sotme secili lexues mund ta njohë si këngëtarin i cili identifikohet më shumë me muzikën e lehtë dhe popullore folklorike.
Mjeshtri i madh i këngës populllore.
Një nga ato këngëtarë që duartrokiten sapo u përmendet emri për t’u ngjitur në skenë.
E ëma e tij rrëfente se edhe kur punonte këngën e kishte në majë të buzës, e kishte të tijën.
Mori shumë nga mbretëresha e muzikës shqiptare, Vaçja, dhe më të rëndësishmen, ai i mori teknikën, teksa e ndiqte nëpër koncerte.
Nuk humbi aspak kohë, kur e ndjeu se mund të largohej nga hija dhe t’ja dilte vetë mbanë me emrin e tij, që mund të nxirrte zërin dhe t’i futej këngës, u bë pjesë e konkursit të organizuar në Teatrin e Operas.
Fitoi.
Duke njohur veten më ndryshe, tentoi të provonte diçka tjetër dhe u fut në konkursin e tretë të organizuar nga Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe i Valleve Popullore.
Edhe këtu fitoi.
Dhe ia doli të bëhej pjesë e trupës së Ansamblit Shtetëror të Këngëve e të Valleve Popullore.
Fillimet e tij ishin si korist, por me kohën u kuptua zëri i tij i veçantë.
Falë dhuntisë që i kishte dhuruar natyra, nisi të ishte një solist me unin e vetë muzikor.
Këngët e tij më të njohura kryesisht ishin ato si: “Çelu trëndafil, hapu borzilok”’, “Çu ngrita me natë”, “Këngë për Ali Pashanë”, “Me gërshetin mbytmë mua!”, “Tanë, moj e zeza Tanë!” e mjaft të tjera, të cilat duartrokiteshin gjatë gjithë performancës.
Në gjirin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve e të Valleve Popullore Hysniu interpretonte midis figurave dinjitoze të këngës, dhe ikonave të muzikës popullore.
Kjo e fundit e lartësonte po aq dhe atë vetë.
Hysniu ishte një këngëtar i tonaliteteve të larta.
Falë atij zëri dhe fuqisë së tij arriti të depërtonte e t’ja dilte të fuqizohej.
Mund të themi se ai mbetet një interpretues i timbrikës së këngës së mirëfilltë popullore duke qenë se nuk del jashtë vijës melodike origjinale.
Zëri i tij ka karakteristika të llojit si vibrues.
Përsa i përket qëndrimit të tij në skenë, vlerësohet mjaft fakti, që pavarësisht ndryshimeve që pësoi Shqipëria në aspektin politiko-ekonomi, ai ia doli të mbijetonte me muzikën e tij dhe qëndroi pa u larguar jo vetëm nga vendi por edhe nga skena.
Krahas vitit 2001, Hysniu u ftua të ishte pjesë e “Fanfara Tirana”.
Me përfshirjen në këtë formacion të ri muzikor, krijoi një përvojë re që dha dhe mundësinë të interpretonte në mjaft skena të Europës e të botës.
Një nga albumet e “Fanfara Tirana” ku shpalosej folklori shqiptar dhe ai ballkanas, arriti në Top 5 në renditjen World Music Chart(Listën e muzikës botërore) në të cilin zëri pikant i Hysni Zelës kulmon vlerat e vërteta të krijimtarisë shpirtërore të popullit shqiptar.
Hysniu, pjesë e trupave artistike ka dhënë shfaqje në skenat e mbi 35 shteteve, duke përfshirë këtu edhe Kanadanë e Australinë.
Mbështetur në kontributin e madh në fushë të këngës popullore, Presidenti i Republikës i ka akorduar Hysni Zelës titullin: Mjeshtër i Madh.
Në kohën kur ishte i pranishëm në një festival muzikor në Koblenz të Gjermanisë, një nga gazetat vendase “Rhein Zeitung”, shkroi nën titullin “Melankolia e polifonisë dhe kabasë së Jugut nën vokalin drithërues të Hysni Zelës”.
Pak ditë më pas, në një tjetër shfaqje të dhënë në Shtuttgard po të Gjermanisë, gazeta vendase Stutgarter – Zeitung”, ndër të tjera, shkroi se e tërë shfaqja ishte “Një eksplozion gëzimi dhe hareje e alternuar me melankolinë e polifonisë, apo të kabasë së Jugut, në vokalin drithërues të ikonës folklorike shqiptare, Hysni Zela”.
Dhe nisur nga ky sukses i arritur, “Stuttgarter-Zeitung” shkruante, se “…ky interpretim të njeh me Shqipërinë, për të cilën shumë njerëz nuk dinë shumë… Shqipëria është një vend fantastik për të udhëtuar. Ka plazhe, male dhe banorë shumë të këndshëm e miqësorë”.
Një ambasador i kulturës në Evropë dhe më gjerë.
Dikush që frymëzohej nga publiku i tij artdashës.
“kënga është jeta ime; motivet e reja më emocionojnë; harrohem mbas një kënge të re dhe ndihem sërish i ri”…, shprehet teksa flet për këngën, rëndësinë dhe rolin e saj.
Lushnja, mbarë Myzeqeja kanë shumë të drejtë të krenohen me motrën e Hysniut, Vaçen e paharruar. Sakaq, kanë po kaq të drejtë të mburren edhe me vëllain e Vaçes, Hysniun – Mjeshtër i Madh i këngës popullore.
Me emrin e Hysni Zelës, vëllait të këngëtares së papërsëritshme Vaçe Zela, lidhet një nga historitë më mbresëlënëse të udhëtimit në kohë të këngës shqiptare, të cilës ai i dha dimemsionet e shpirtit të tij kërkimtar dhe me një talent të pazakontë e ngriti atë në lartësime të reja.
Artist virtuoz me një talent duket të lindur, kënga e kënduar prej tij nuk ngjet me këngët e kënduara prej askujt nga kolegët e tij, pasi ai zë i ngrohtë prej baritone, me jone aq lirike dhe impresionuese e bëjnë të dallueshëm prej gjithëkujt që ka dalë në rrugën e vështirë të artit muzikor.
Hysni Zela është një ikonë e shpirtit muzikor jo vetëm në Shqipëri, por dhe në të gjithë trevat shqipfolëse, në Evropë e më gjerë ku sallat dhe sheshet e mbushura me adhurues të tij kanë përcjellë kredot e një këngëtari brilant.
E veçanta e tij si artist është jo vetëm zëri i veçantë, ai timbër i magjishëm që duket sikur gurgullon bashkë me ujëvarat e bjeshkëve, por dhe shpirti i tij i vrullshëm poetik, që iu përgjigjet këtyre joneve që dalin nga thellësitë e një zemre të dashuruar me vendin e tij, me bashkëkombasit, mes të cilëve ndihet gjithmonë i rrethuar me dashuri, respekt e mirënjohje të pakufishme.
Hysni Zela është vetë zëri i ngrohtë i tokës së tij, i fushave të Myzeqesë ku frushëllojnë grunjërat dhe lulkuqet, vetëdija e një arti elitar që i shërben fisnikërimit të kombit, maturimit të ndërgjegjes shoqërore, emancipimit të njeriut dhe fisnikërimit të ndjenjave më të bukura humane.
Hysni Zela këndon kryesisht këngë të muzikës së lehtë, popullore folklorike, si dhe rryma të tjera polifonike e operistike, ku në gjitha llojet e zhanret muzikore shkëlqen me atë zërin e tij karakteristik, që duket sikur rrjedh nga lartësitë marramendëse të ujëvarave.
Hysni Zela është një zë krejt i veçantë, unik dhe i pangatërrueshëm në muzikën shqiptare. Në këngët e tij me bazë folkun dhe vaiacionet modern rreth tij, përthyer në zërin e tij aq të kthjellët dhe drithërues, gjallon jeta dhe historia shqiptare, e kaluara, e sotmja dhe imazhet e ardhmërisë.
Sot ai është në kulmin e udhëtimeve dhe aktiviteteve, por kjo gjë nuk na pengon që të këmbëngulim për të bërë një “komunikim” në kohë me zërin e tij të rrallë të polifonisë. Ai është pjesë e grupit “Fanfara Tirana”, i cili që përbëhet me instrumentistë dhe këngëtarë të Ansamblit të Ushtrisë, e krijuar në vitin 2001. Ata janë pjesëmarrës nëpër skena evropiane dhe kanë sjell disa albume në bashkëpunim me grupin britanik “Transglobal Underground”.
Muzika e tyre është me shumë përmasa të njëkohshme, zor se mund të gjendet një epitet i vetëm që të përkufizojë saktësisht gjithçka që tingujt e tyre përhapin në atmosferë. Ka dhimbje Ballkani, ndjesi të tjera të zakonshme për veshët shqiptarë dhe pastaj shpërthime prej humori nazeli ballkanas, ndërthurur të gjitha këto me ritmet e një fanfare që të pushton e të detyron t’u bindesh tingujve të saj tundues.
Nuk mund të ndodhte ndryshe kur bashkohet Hysni Zela, pjesa më e mirë e folklorit shqiptar dhe ballkanas dhe entuziazmi përforcues i një fanfare. Por bëhet fjalë për një eksperiment, një kombinim të suksesshëm që tashmë ka radhitur copëza të artit të vet, CD-ve që, po udhëtojnë në gjithë botën. Ata janë tashmë ndër ballkanasit më të njohur në botë dhe me prestigjioz në llojin e muzikës etnike që përfaqësojnë denjësisht. Por edhe pse nuk ka qenë pikërisht qëllimi i tyre fillestar, “brass band Fanfara Tirana”, nëpërmjet tingujve të tunxhtë e të përpunuar, ka arritur të përçojë nëpër sheshet evropiane muzikën më të mirë shqiptare e madje të elektrizojë turmat që e perceptojnë atë si një risi, jo vetëm në sferën e përgjithshme muzikore, por edhe në vetë llojin e muzikës etnike.
Jemi në pikën ku kabaja e Shqipërisë së Jugut takohet me ritmet reggae, bateritë me elektronikën, zëri i Hysni Zelës takohet me “The black soul” të Tuup-it.
Hysni Zela është një këngëtar i njohur. shqiptar jo vetëm i i këngës popullore, por dhe asaj polifonike modern, i muzikës së përpunuar, në kadencat e së cilës risitë e zërit të tij kanë lënë një shenjë të dukshme.
Në Dhjetor 1976, Liliana Kondakçi dhe Hysni Zela marrin pjesë në Festivali i 15-të në RTSH me këngën “Fshati I Ri”.
Që atëhere në karrierën e Hysni Zelës kemi dhjetëra e dhjetarë këngë, që nga folkloriket, burimoret e trevave të Jugut shqiptar, nën ritmet e përndezura të kabave, gjer tek vokacionet polifonike, moderne e postmoderne, si ato të datës 22 Tetor 2013, kur “Vagabondi” publikon videoklipin “Kosova e Pavarur”, në bashkëpunim me Hysni Zela.
Këngë të tilla si bie fjala ato të albumit të tij të mirënjohur me titull “Në këngë shpirtin gjeta”, si”Këngë për Nënën,“Çelu trëndafil, hapu”, Borzilok”, “Vajza e Valëve”, “Ikin vitet”, “Me gëershetin mbytmë mua”,”Kënga e Tokës”, “Unë jam Arbëresh”, “Në ëndërr”, “Dikur shkova”, “ Sorkadhja” “ Në këngë shpirtin gjeta”, “Këngë për Ali Pashanë”,”Pse s’del Hëna dritë-argjenda”, ”Syri në Butrint më mbeti”,”Tanë, moj e zeza Tanë”, janë pjesë e ecurisë së këngëtarit të mirënjohur, një ecje sa e vështirë aq dhe e bukur e dinjitoze drejt shpirt të artdashësve, shijuesvetë muzikës që gjejnë në këngët e interpretuar nga Hysni Zela veten e tyre.
Hysni Zela është një këngëtar me një potencë të jashtëzakonshme interpretative, në vokalin e të cilit janë ngritur e lartësuar shumë zhanre këngësh. Dhe në secilin syresh ai ka dhënë maksimumin e tij. Kërkesat e tij në rrafshin muzikor janë estetikisht të pakontestueshme.
Hysniu mbetet një këngëtar befasues, me zë të veçantë. Kjo veçanti ka të bëjë me gjithë formimin e tij intelektual dhe estetik. Shijet e tij të natyrshme, shumë të kultivuara, janë të domosdoshme për ta bërë këngën estetikisht të arritur. Në rast se realizohen këto kërkesa, çdo këngëtar do të ishe i sigurt për suksesin e këngës së tij.
Në kujtesën kombëtare të këngës shqiptare, të vetë të artit të madh elitar, zëri i Hysni Zelës, do të mbetet gjithmonë një zë që e kërkon dhe e dashuron shijuesi i muzikës kombëtare.
Emri i Hysni Zelës do të vazhdojë të na zgjojë sensacione estetike dhe të ruajë në analet e tij imazhin e një këngëtari zë magjik, të këngëtarit unik Hysni Zela, me emrin e të cilit lidhet vetë muzika shqiptare, majat e saj ku vazhdon të qarkullojë zëri i tij i beftë dhe plot vrulle jete dhe historie.
/ Bionelda Skonja