MENU
klinika

Muzika nuk qan kurrë...

Si të dëgjosh muzikë?

01.02.2019 - 08:53

Daniel Barenboim*

Më kërkuan të flas pak se si të dëgjosh muzikë. Kjo është diçka e vështirë për tu bërë pasi muzika ka rëndësi të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Ajo mund të ketë kuptim të ndryshëm për të njëjtët njerëz në kohë të ndryshme. Por një gjë është e sigurt: Muzikën ose mund ta përdorësh për të harruar, ose mund ta përdorësh për rritje personale, kënaqësinë, interesat e tua apo për magjinë që ajo të fal.

Të harrosh do të thotë të kthehesh në shtëpi pas një dite të vështirë, me shumë probleme, si përshembull, me një inspektor taksash, apo një dentist dhe të gjitha llojet e gjërave të pakëndshme si këto.

Ndoshta, mund të keni mosmarrëveshje në familje apo me miq dhe ktheheni në shtëpi të ezauruar dhe vendosni një CD, ose ndizni një aparat dixhital dhe kërkoni aty për diçka në veçanti dhe gjeni një pjesë muzike që ju duket veçanërisht e këndshme dhe kështu i harroni të gjitha telashet.

Kështu, muzika mund të përdoret për të harruar botën. Dhe, me këtë s’ka asgjë të keqe.

Por mendoj se muzika është shumë më shumë sesa kaq: Nuk mendoj se kompozitorët e mëdhenj të së shkuarës ose të së tashmes, si Bach, Beethoven, Wagner, Debussy nuk kanë shkruar muzikë që ne ta përdorim atë vetëm për të harruar gjërat e pakëndshme në jetën tona. Rrjedhimisht, pyetja që ngrihet është: Çfarë mund të na japë muzika dhe çfarë duhet të bëjmë ne në mëyrë që ta arrijmë këtë?

Muzika mund të na japë shumë gjëra, si përshembull, gëzimin që është një element shumë i rëndësishëm; madje, edhe kur muzika ka të bëjë me dhimbjen, ne e shijojmë atë. Mua personalisht më kanë thënë disa herë muzikantët e orkestrës: “Si do ta shijojmë sot luajtjen e ’Marshit të funeralit’?; kështu, edhe një marsh funerali na shkakton një farë kënaqësie dhe duket sikur ka diçka makabre në këtë gjë, por, sigurisht që nuk është kështu.

Kjo, sepse muzika është çdo gjë në të njëjtën kohë. Muzika nuk qesh, apo buzëqesh kurrë. Muzika nuk qan kurrë. Por, ajo gjithmonë qan dhe buzëqesh në të njëjtën kohë. Dhe, kështu, muzika na jep mundësinë të përjetojmë gjëra të cilat, në mungesë të kësaj bote fantastike, nuk do të mund ta arrinim kurrë.

Pra, muzika nëpërmjet tingullit. Rrjedhimisht, mendoj se është shumë e rëndësishme që kur të dëgjoni muzikë, të jeni plotësisht të përqëndruar tek ajo. Nuk duhet të mendoni kurrë ’oh, më duhet të fik celularin që të dëgjoj muzikë, por që të mendoni se duhet ta ndizni celularin vetëm pasi të ketë përfunduar muzika. Kaq automatike duhet të jetë si veprim.

Dhe, më pas jeni tërësisht të përqëndruar tek muzika. Jepini vetes disa sekonda qetësi përpara se të filloni të dëgjoni dhe pastaj kur fillon muzika, kapuni tek nota e parë që dëgjoni dhe mos u largoni nga aty duke menduar për gjëra të tjera – për nënën, të dashurën, listën e pazareve, larjet etj. Kapuni tek nota e parë dhe fluturoni bashkë me muzikën deri në notën e fundit të saj.

Dhe kënaqësia që do të merrni nga kjo është absolutisht unike. Nuk ka asgjë tjetër në jetë apo në botë që t’ju dhurojë këtë lloj gëzimi, por me kusht që t’i dorëzoheni asaj. Nuk ju nevojitet të jeni ekspertë në muzikë baroke, apo për muzikën e shekullit të 19-të apo për muzikën bashkëkohore. Por, për të arritur këtë ju nevojitet të keni vullnetin për t’u bashkuar me muzikën me vesh dhe pastaj do të fluturoni bashkë me të.

Dhe, sigurisht që lloje të ndryshme muzike do t’i dëgjoni në mënyra të ndryshme si përshembull, muzikë simfonike, opera, muzikë pianoje, apo muzikë dhome dhe vetëm pasi të keni mësuar që t’i dorëzoheni asaj, në të njëjtën mënyrë siç i dorëzoheni dikujt tjetër, vetëm atëherë do të jeni në gjendje të kuptoni se cila muzikë është ajo që bën më shumë për ju në të njëtën mënyrë siç zbuloni se me cilët njerëz shkoni më mirë për të bashkëbiseduar apo për çfarëdolloj gjëje tjetër.

Ndoshta do të zbuloi se ju shijon më shumë muzika e dhomës, ose ajo simfonike ose muzika e pianos. Dhe, në fakt kjo nuk ka aspak rëndësi. Në secilin rast, më besoni, se ju nevojitet përqëndrim total dhe i plotë që nuk është asgjë tjetër veç dorëzim i vetes. Dhe, sa më shumë që të jipni aq më shumë do të merrni mbrapsht.

*Daniel Barenboim (1942) është një pianist dhe dirigjent argjentinas. Aktualisht, ai është dirigjent i Operas Shtetërore të Berlinit dhe Staatskapelle Berlin (Orkestër gjermane dhe orkestër residente e operas së Berlinit, që i ka rrënjët që në vitin 1570.) Barenboim mban titullin ’Dirigjent për jetë’ që nga viti 2000. Më parë ai ka shërbyer si dirigjent i Orkestrës Simfonike të Çikagos, Orkestrës së Parisit dhe La Scala në Milano.

Përktheu: Enkeleda Suti