Restaurimet e objekteve arkitektonike me vlerë të madhe dhe si pjesë e trashëgimisë kulturore në Shqipëri po njohin ritme të shpejta, domethënëse falë dhe institucioneve shtetërore.
Ato po i kthehen pasqyrës identitare si dhe po shtojnë dita-ditës kulturën tonë dhe ndërgjegjen rreth së kaluarës.
Në këtë prespektivë një lajm i mirë vjen nga qyteti i 1001 dritareve, në Berat, në një qytet që vështron gjithmonë vizitorët kur vijnë ta sodisin me admirim.
Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin me objekt: “Restaurimi i banesës në Roshnik”, Berat.
Ajo është një ndërtesë e rrallë me tipare të bukura arkitektonike. Ndërtesa merr rrugën e restaurimit dhe një ndërhyrje të thellë për ta rikthyer atë në identitet. Ajo është një ndërtesë historike që është lënë në mëshirën e fatit për dekada me radhë si shumë ndërtesa të tjera që janë lënë në harresë.
Projekti është hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat dhe parashikon ndërhyrje restauruese në këtë monument kulture të kategorisë I.