MENU
klinika

Mësojeni!

Ç’simbolizon ngjyra e kuqe për muslimanët dhe të krishterët?

01.02.2019 - 14:44

Në të gjithë popullsinë e botës, domethëniet simbolike të ngyrave gërshetohen në një masë të konsiderueshme me besimet fetare.

Teologët e krishterë i kanë interpretuar ngjyrat dhe sidomos dritën si shfaqje të hyjnores. Edhe ndër besimtarët islamikë drita ka pak a shumë të njejtin kuptim simbolik.

Për ta konkretizuar këtë ide mjafton të përmendim se në Kur’an përshkruhet me dritë, edhe pse është natë, ngjitja e engjëllit xhebrail dhe e profetit Muhamed në të shtatë qiejt, për të komunikuar me Allahun.

E bardha

Përgjithësisht ndër islamikët e bardha konsiderohej dhe konsiderohet si një nga ngjyrat më të mira, në mos më e mira. Një ngjyrë e tillë simbolizon pastërtinë fizike dhe sidomos atë shpirtërore.

Ndër të krishterët ngjyra e bardhë simbolizon shenjtërinë, pastërtinë dhe jetën shpirtërore.

Gjithashtu, e bardha, drita, simbolizon triumfin e përhershëm të së mirës mbi të keqen, që karakterizohet kryesisht nga ngjyra e zezë. E bardha për krishterët nuk simbolizon kuptime simbolike që nuk janë të mira.

E verdha

Ndër islamikët, ngjyra e verdhë, ose e artë, ose ngjyra e floririt, simbolizon pasurinë, suksesin, ngadhënjimin, lavdinë. Në rrjedhën e shumë shekujve, për islamikët si dhe për sumë besimtarë të feve të tjera, sasia e floririt të grumbulluar simbolizonte suksesin ekonomik, politik e shoqëror të njeriut në jetë.

Por e verdha simbolikisht shprehte edhe kuptime negative: ajo nënkuptonte kryesisht sëmundjen e tuberkulozit, e cila në pamjen e jashtme shfaqej si zverdhje e dukshme në fytyrë.

Ndërsa ndër të krishterët kuptimi simbolik i ngjyrës së verdhë ka ndryshuar nga skajet e së mirës, në atë të së keqes.

Për të krishterët e hershëm ngjyra e verdhë simbolizonte shpirtin e shenjtë, zbulesën hyjnore etj. Por më vonë e verdha filloi të interpretohej si diçka negative, si sinonim i tradhëtisë, i mashtrimit.

Ndër anëtarët e kulturës kineze për shumë shekuj ngjyra e verdhë ka qenë mjaft e nderuar sepse simbolikisht ajo përcillte nje spektër të gjerë mesazhesh të një rëndësie të veçantë për funksionimin e shoqërisë tradicionale kineze: verdha nënkuptonte përgjithësisht fisnikëri, respekt të ndërsjelltë dhe heroizëm.

E gjelbra

Ngjyrën e gjelbër besimtarët muslimanë përgjithësisht e kanë nderuar që nga koha e profetit Muhamed deri në ditët tona si një ngjyrë që simbolizon fuqinë jetësore.

Edhe flamuri i profetit Muhamed kishte ngjyrë të gjelbër. Gjithashtu islamikët çmojnë shumë stolitë me xhevahire të gjelbër që simbolizojnë mbarësinë, begatinë, lumturinë e përjetshme.

E kuqja

Ndër besimtarët e krishterë, ngjyra e kuqe është mjaft e nderuar, sepse simbolikisht nënkupton gjakun që derdhi Krishti për të shpëtuar njerëzit nga gjithfarë mëkatesh.

Por, në situata të caktuara e kuqja përcjell mesazhe negative, nënkupton gjakun e mëkatarit. Ndërsa ndër banorët islamikë ngjyra e kuqe nuk ka kuptime ambivalente. Kjo ngyrë konsiderohet e shenjtë, me fuqi magjike.

Prandaj besimtarët islamikë i vlerësojnë gurët e çmuar me ngjyrë të kuqe, veçanërisht rubinët. Gjithashtu besimtarët muslimanë çmojnë trëndafilat me ngjyrë të kuqe, pasi simbolizojnë dashurinë pasionante.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN