Të lexuarit zhvillon artin e të shkruarit
Për të shkruar mirë dhe për të prodhuar tekste të afta që të tërheqin një audiencë sa më të gjerë është e nevojshme të lexoni gjithnjë e më shumë. Vetëm shkrimtarët e mëdhenj mund të jenë mjeshtra të vërtetë.
Të shkruash nuk është e lehtë, përkundrazi është një dhunti dhe një talent, i cili natyrisht nuk mund të mësohet: nuk mund të dalësh nga një kurs shkrimi krijues me diplomën e “shkrimtar profesionist”. Arti i të shkruarit nuk nënkupton vetëm respektimin e rregullave gramatikore, duke përdorur shenjat e pikësimit si duhet, të njohësh teknikat e të shkruarit. Natyrisht, kjo është e domosdoshme për të krijuar një tekst ortografikisht të saktë, por nuk është e gjitha. Mënyra e vetmë për të përmirësuar artin e të shkruarit, cilatdo qofshin qëllimet tona, është leximi. Vetëm duke lexuar mjeshtrat e mëdhenj, mund të përpiqemi të bëhemi shkrimtarë të mirë.
Avantazhet që i siguron të lexuarit artit të të shkruarit
Është fakt që çdo shkrimtar shkruan me synimin e lexuesit ideal, të ketë një audiencë sa më e madhe, të ketë një grup të caktuar apo qoftë edhe vetveten. Si mund ta kuptoni nëse teksti juaj do t’i pëlqejë lexuesit, nëse nuk lexoni vetë? Leximi të siguron përparësi të shumta, duke përfshirë gjetjen e frymëzimit, thellimin e njohurive, aftësinë për të njohur zhanret letrare në mënyrën e duhur, pasurimin e fjalorit, si dhe kuptimin më të mirë të gjuhës letrare.
“Nëse nuk keni kohë për të lexuar, nuk keni kohë për të shkruar”, – thotë Stephen King.
Edhe leximi i gazetave, në letër apo në internet, ndihmon në përmirësimin e të shkruarit, sepse kjo na bën të ndjeshëm ndaj çështjeve aktuale dhe ndaj gjuhës me të cilën lexuesi është i përditësuar.
Psikologu Robert Zajonc zhvilloi një eksperiment: u dërgoi studentëve të Universitetit të Miçiganit disa fjalë pa kuptim, nuk u dha asnjë kontekst, duke u propozuar disa herë të njëjtat fjalë. Në fund, i pyeti studentët se ç’përshtypjet kishin në lidhje me fjalët e pakuptimta. Rezultoi se studentët ishin të prirur të mendonin, se fjalët që shfaqeshin më shpesh kishin një kuptim pozitiv. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që fjalët që lexojmë më shpesh, pavarësisht nga kuptimi dhe konteksti i tyre, kanë ndikim pozitiv në qenien tonë, na bëjnë të besojmë në përmbajtjen e tyre. Fjalët më të thjeshta janë fjalët që lexojmë më shpesh. Pra, për të tërhequr shumicën e publikut, një lëvizje e mirë është të mësosh nga gazetat dhe librat një gjuhë të thjeshtë, e cila me të vërtetë mund të frymëzojë besimin.
Të shkruarit përmirëson jetën. Arti i të shkruarit mbart me vete përparësi dhe përfitime, si në jetën personale, ashtu edhe në atë profesionale. Jason Fried, shkrimtar i Rework, bashkëthemelues dhe Drejtor i Basecamp, shkruan, pikërisht në librin e vet, se kur e pranon si të vërtetë, atëherë ai orientohet drejt njerëzve me aftësinë e të shkruarit, pavarësisht nëse janë shitës, programues apo dizajnerë. Pse? Shkrimi i qartë tregon se mendon qartë.
Disa nga përfitimet e artit të të shkruarit:
Të shkruash të ndihmon të dish si të komunikosh.
Duke shkruar eliminohet stresi, sepse është një mënyrë shfrimi.
Falë të shkruarit mund të jesh më prodhimtar, në të vërtetë shkrimi aktivizon neuronet dhe të parapërgatit për të kapërcyer të gjitha sfidat.
Duke i hedhur mendimet në letër ke mundësi të kuptosh vetveten, duke parë refleksionet e tua nga një kënvështrim i jashtëm.
Të shkruarit të ndihmon të marrësh vendime më të mira. Duke i qartësuar mendimet, mund të marrësh vendime cilësore, gjë e cila të çon automatikisht drejt zgjedhjeve më cilësore. Nëse bëni zgjedhje cilësore dhe njihni më mirë veten, atëherë do ndjeheni më të lumtur.