Duke mos patur asnjë reagim nga qeveria Rama, disa pedagogë të Universitetit të Tiranës, kanë nisur grevën e tyre, të paralajmëruar para 6 ditëve.
Qeveria ndodhet ende në negociata me studentët, të parët që nisën valën e protestave në arsim.
Dihet se me të filluar protestat e studentëve, partitë opozitare, e panë rininë si prenë e radhës. Duke u ‘jargavitur’ pas kauzës së tyre, opozita tentoi të gllabëronte protestën duke e përdorur për sulmet kundër ekzekutivit.
Studentët u gjenden mes dy zjarresh: nga njëra anë qeveria (që i ofroi dialog, por atyre nuk u pëlqeu) dhe nga ana tjetër opozita që i doli në mbrojtje (për ta politizuar protestën).
Sot që flasim, studentët kanë nisur një tjetër protestë. Po protestojnë kundër ‘llojit të tyre’. Sot po shikojmë studentët kundër studentëve.
Ata studentë që dolën kundër qeverisë, tashmë me plotësimin e disa prej pikave të tyre, kanë pranuar të rikthehen në auditore. Por një grup studentësh, janë ngujuar në ambientet e fakulteteve duke i mbajtur peng.
Studentët që kërkojnë mësim, po akuzojnë studentët bojkotues se janë militantë partie.
Çudia nuk përfundoi këtu.
Një grup prej stafit pedagogjik, po tregohen të ‘shkathët’ për të përfituar nga hiri i zjarrit që la pas protesta e dhjetorit të 2018.
Por kush janë këta pedagogë?
Jani Merka, drejtues i Partisë politike ‘Organizata Politike’. Një pedagog i politizuar, që u tërhoq zvarrë nga studentët përpara ministrisë së Arsimit.
Kujtojmë se Merka tentoi që të dalë në krye të protestës së studentëve, të cilët ishin mbledhur përpara ministrisë së Arsimit dhe kërkuan dorëheqjen e Lindita Nikollës. Sapo Merka mori mikrofonin, studentët e tërhoqën zvarrë dhe madje e dhunuan. Në atë ditë, studentët protestues thanë se Merka është njeri i politikës dhe nuk i shërben interesave të studentëve.
Mark Marku, pedagog i Gazetarisë në UT, ish-deputet i Partisë Demokratike në legjislaturën 2009-2013.
E vështirë që Mark Marku të quhet një pedagog jo i politizuar. Ai është një nga zërat e PD brenda auditorit. Kjo ka bërë që studentët të distancohen prej tij në kohën e protestës.
Rezart Prifti, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Sërish një pedagog, i lyer kokë e këmbë ‘blu’. Këto janë disa nga elementët që i kanë dalë për ‘zot’ protestës së pedagogëve, të cilët kanë rrënjë të forta brenda Partisë Demokratike.
Opozita e sotme, e cila lindi prej protestave studentore të 1991, të cilat edhe regjimi komunist nuk arriti dot që t’i shtypte dhe t’i politizonte, po ‘vret’ protestat e studentëve në 2019, duke i politizuar ato.
Mitologjia greke tregon se Medea për xhelozinë e saj ndaj Jasonit, vrau fëmijët, PD nga lakmia po ‘vret’ studentët me politizim.