MENU
klinika

Irlandezi kryengritës

Xhejms Xhojsi/ Gjeniu i letrave botërore!

02.02.2019 - 12:44

“Veprimet janë përkthyesit më të mirë të mendimeve të tyre”.

Një prej autorëve më të mëdhenj të shekullit XX, lindi më 2 shkurt 1882, në një rrethinë të Dublinit në një familje të shoqërisë së lartë. I mirënjohur për veprën madhore “Uliksi”, apo për veprat klasike si “Portret artisti të ri”, “Dublinasit”, konsiderohet si një thesar kombëtar i Irlandës.

Në rrëfimet e veprave të shkrimtarëve modernistë si Xhojsi, shkrihet realiteti dhe mendja, vetëdija dhe nënvetëdija. Shkrimtari nuk përqendrohet tek ndodhitë e ndryshme në vepër, por tek emocionet që zgjojnë ato tek personazhet. Pra, çdo fakt ka një interpretim të veçantë nga çdo personazh.

Në stilin e tij Xhojsi përdor teknikën e monologut të brendshëm të drejtpërdrejtë (rrëfimin në vetën e parë), shpalos mendimet dhe kujtimet e personazheve siç i vijnë vetvetiu në mendje, pa i analizuar ato, apo pa u orvatur t’u japë paraqitjen e rrëfyesit.

Kjo për faktin se në plan të parë është individi me konfliktet e tij të brendshme, gjë e cila trajtohet shpeshherë në romanet psikologjikë, në shpalosjen e emocioneve dhe ndjenjave, pasioneve dhe ndijimeve.

Jo rrallë herë tek veprat e autorit përjashtohen rregullat e gramatikës, drejtshkrimit dhe pikësimit në shkrim, për të riprodhuar një ligjërim onirik.

Një tjetër cilësi dalluese e stilit të Xhojsit është edhe fakti që vepra e tij nuk ndjek rrëfimin sipas pozicionit të rrëfimtarit, përkundrazi ajo merr këndvështrimin e vetë personazheve, duke folur nga brenda mendjeve të tyre.

Autori parapëlqen të përdorë po ashtu edhe teknikën e epifanisë, çasti i jetës kur njeriu zbulon domethëniet e fshehura brenda sendeve ose ndjenjave, të cilat ia ndryshojnë plotësisht mënyrën e të menduarit personazhit. Epifania shoqërohet me temat e arratisjes, për të shpëtuar nga jeta e vjetër dhe për të ndërtuar një jetë të re, e cila shpërthen pasi autori zbulon ide të reja.

Xhoisi synoi një proces të shkruari me shumëllojshmëri stilesh, si sfidë ndaj realizmit vulgar, duke e vënë theksin mbi teknikën semantike të paraqitjes, duke i dhënë formës një rëndësi që ajo nuk e kishte pasur kurrë më parë.

Poeti, shkrimtari dhe dramaturgu i njohur vdiq në vitin 1941.

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!