Dita e djeshme, 2-Shkurti, shënon datën e miratimit të Konventës për Ligatinat më 2 Shkurt 1971 në qytetin iranian të Ramsar-it.
Në këtë mënyrë kjo datë është shpallur dhe si ‘Dita Botërore e Ligatinave’.
Parë kjo si një mundësi më e mirë për të kërkuar ndryshimin e situatës dhe ndërgjegjësimin e publikut mbi shërbimet e rëndësishme të ligatinave, ndikimi në të ardhmen e njerëzimit.
I angazhuar mjaft në çështjet mjedisore, dhe si funksionar në Administratën e Zonave të Mbrojtura të qarkut Fier, Ardian Koci, bën me dije se në Ditën e Ligatinave, Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, priti grupin ‘Taraboshi’.
Gjatë vizitës së tyre u njohën me pasuritë e tij dhe vrojtuan shpendë të ndryshëm. Vizita mbyllet me mbjelljen e 70-pishave të buta në Park, si simbolikë në lidhje me këtë ditë të shënuar mjedisore.
Ligatinat ose sistemet e “tokave të lagura”, janë sipërfaqe ujore të përhershme ose përkohshme deri në 6 metra thellësi, dhe përbëjnë një ekosistem mjaft i rëndësishëm që siguron larmi përfitimesh përfshirë filtrimin e ujit, sigurimin e biodiversitetit, mbrojtjen e bregdetit dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike.
Në vendin tonë 3% e sipërfaqes së tokave të lagura në bregdet, strehojnë 75% të vlerave të biodiversitetit.
Në jo pak raste, ligatinat janë shndërruar në vende për hedhjen e mbeturinave apo janë transformuar në toka buke apo terrene ndërtimi.
2-Shkurti i këtij viti, korrespondoi edhe me përvjetorin e 48-të të Konventës së Ramsarit e cila është një marrëveshje ndërqeveritare që përcakton kornizën për një bashkëpunim ndërkombëtar në mbrojtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të ligatinave.
Tema ndërkombëtare për shënimin e Ditën Botërore të Ligatinave për Vitinë 2019 ishte “Ligatinat dhe ndryshimet klimatike – “Wetlands and climate change”.