MENU
klinika

Emrat

“Furtunë” në ministrinë e Drejtësisë, pranga 4 zyrtarëve

06.02.2019 - 08:36

Abuzimet me tenderat në Ministrinë e Drejtësisë, një prej tyre për skandalin 2 mln euro të byzylykëve elektronikë kanë çuar në pranga 4 ish-zyrtarë e zyrtarë të kësaj ministrie nga 12 që janë hetuar.

Hetimet ndaj tyre janë shtrirë në 5 procedura tenderimi, ndërsa personat dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të Shpërdorimit të detyrës dhe atë të Shkeljes së Barazisë së Pjesëmarrjes në tendera.

Ka qenë grupi i inspektimit, i Ministrisë së drejtësisë dhe më pas ai i Ministrisë së Financave, që kanë evidentuar shkeljet me pasoja të rënda për buxhetin e shtetit.

Deri tani në pranga kanë përfunduar 4 persona, mes të cilëve edhe ish Sekretarja e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë, Juliana Hoxha, por edhe ish Drejtori i Shërbimeve Mbështetëse, si dhe specialistë të IT-së, ndërsa priten arrestime të tjera.

Tenderat në fjalë kapnin vlerën e disa milionë eurove, ndërsa po verifikohen edhe veprimet dhe përgjegjësia konkrete e ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, por edhe ish-ministri Petrit Vasili, pasi po hetohet pikërisht periudha kur institucioni drejtohej prej tyre.

Shkeljet më të rënda janë raportuar në lidhje me shërbimin e kamerave në burgje, ndërsa ka dyshime se edhe regjistri noterial nuk funksiononte.

Pesë procedurat e tenderimit, ku janë evidentuar shkeljet:

1. Mirëmbajtja dhe mbikqyrja e sistemit ICMIS në 7 Gjykatat Administrative
2. Përmirësimi i sistemit të mbikqyrjes elektronike në fushën penale
3. Përmirësimi, Zhvillimi dhe Mirëmbajtja e Regjistrit Noterial Shqiptar
4. Sistemi i Monitorimit me kamera për burgun e Lezhës dhe Fushë Krujës
5. Përmirësimi dhe mirëmbajtja e sistemit elektronik të çështjeve të përmbarimit