Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim informal me ambasadorët e BE-së në Tiranë, një javë para protestës së paralajmëruar të opozitës së bashkuar.
Pas takimit që ka zgjatur rreth një orë, Kryemadhi ka dhënë një deklaratë për mediat, ku ka sqaruar edhe qëllimin e këtij takimi.
“Ky eshtë takimi i dytë që bëjmë, e bëjmë të përvitshëm jo vetëm me ambasadorët e BE por edhe me përfaqësues të Ambasadës së SHBA, si dy institucione që janë partnerë strategjikë të Shqipërisë. LSI ndau opinionet me institucionet ndërkombëtare sa i përket qëndrimit për hapjen e negociatave dhe reformat me të cilat duhet të ecim më shpejt. Sot Shqipëria më shumë se kurrë është shumë vonë në procesin e integrimit europian dhe e ardhmja e Shqipërisë nuk ka asnjë drejtim tjetër”- tha ajo.
Kujtojmë që opozita ka paralajmëruar protesta masive, ku nuk kanë munguar thirrjet për rrëzimin e kryeministrit Edi Rama.