MENU
klinika

Almanak

Çfarë ka ndodhur me 12 shkurt?

12.02.2019 - 08:26

1502 – Myslimanët e Granadës, Spanjë, detyrohen të kthehen në të krishterë. Popullsia myslimane kaloi në ilegalitet, duke fshehur besimin dhe zakonet nga autoritetet spanjolle për t’iu shmangur vdekjes a ekzekutimit. Edhe në rrethana të tilla të vështira, “moriskos” (siç i quanin spanjollët myslimanët e tyre) ruajtën besimin për dekada.

Kjo bëri që më 1609, mbreti Phillip të nënshkruante dekretin për dëbimin e myslimanëve nga Spanja. Atyre iu dha 3 ditë afat për të mbledhur plaçkat dhe për të hipur në anije të destinuara për në Afrikën e Veriut ose në rajonet e Perandorisë Osmane – rreth 500 mijë myslimanë ikën.

1719 – Më Amsterdam themelohet firma Onderlinge van 1719 u.a., kompania më e vjetër (ende në ekzistencë) e sigurimit të jetës në Holandë. 1809 – SHBA; Lindi presidenti më i admiruar – Jeta e tij i ngjan vetë Amerikës; nga fëmije i zakonshëm, lindur në kasolle, u rrit të bëhej presidenti XVI i Shteteve të Bashkuara. Studioi shumë, vetë, nën dritën e zjarrit në vatër për t’u bërë avokat pastaj burrë shteti.

Është fjala për Abraham Linkolnin, një nga presidentët amerikanë më të nderuar, që i shërbeu vendit në kohët më të turbullta; afati i presidencës së tij (1861-1865) përfshiu Luftën Civile; Çlirimin e skllevërve.

1850 – Dorëshkrimi origjinal i fjalimit të lamtumirës së presidentit George Washington shitet për 2 mijë e 300 dollarë. 1931 – Radio Vatikani fillon transmetimet e saj. Programi u hap nga shkencëtari i njohur, Guglielmo Markoni, i cili ia dha mikrofonin Papa Pius XI për të përuruar Radio Stacionin e Shtetit-Qytet të Vatikanit. Sot, Radio Vatikani ofron programe në 34 gjuhë (përfshi shqip) në valë të shkurtra, valë të mesme, FM, dhe satelitore. Urdhri Jezuit u ngarkua me menaxhimin e Radio Vatikanit që nga fillimi i saj në vitin 1931.

1949 – Panik në Quito, Ekuador, pasi drama “Lufta e Botës” u luajt në radio. 1949 – Një avion i paidentifikuar bombardon Jeruzalemin. 1950 – Albert Einstein paralajmëron kundër bombës me hidrogjen.

1994 – Piktura “Scream” e Edvard Munch vidhet në Oslo. 2002 – Gjyqi i ish-presidentit të Republikës Federative të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviçit fillon në gjykatën e krimeve të luftës të Kombeve të Bashkuara në Hagë. Millosheviçi vdiq katër vjet më vonë (2006), para përfundimit të gjyqit.