MENU
klinika

Rama në Lezhë

‘Rruga e Torovicës do të nisë këto ditë’. Premtimi!

12.02.2019 - 17:20

Kryeministri Edi Rama nga Lezha tha se ky qark do të këtë mbështetje të veçantë nga qeveria, ndërsa nënvizoi se këto ditë do të nisë ndërtimi i rrugës së Torovicës.

“Sot patëm mundësinë të bëjmë disa  vizita në sipërmarrjet e Lezhës, sipërmarrje njerëzish me opsion dhe me vullnet dhe të gjithë më konfirmuan se sipërmarrja e tyre është rritur. Se perspektiva e punës së tyre është më e mirë sot”, tha Rama.

Shefi i qeverisë pohoi se ka plane për rritjen e agroturizmit dhe zhvillimit e zonave në qarkun e Lezhës, të cilët do të mbështeten përmes uljes trefish të taksës dhe shtimit të investimeve.

“Këtë vit perspektiva është pozitive për sipërmarrjen, sepse kemi përgjysmuar ose më saktë ulja tre fish e taksës së fitimit për biznesin 140 mijë dollarë do t’i ndihmojë ata. Tek politika e re e agroturizmit.  Do të ndërtojmë maternitetin e standardeve të fundit siç kemi bërë në Sarandë dhe në Korçë. Kemi investuar në disa qendra shëndetësore në kuadër të 300 qendrave shëndetësore, që i gjetëm të rrënuara plotësisht. Për pak ditë do të fillojmë rrugën e Torovicës.

Projekti është bërë. Kam porositur një palë gërshërë të gjata, që ta presë ky që ta kalojnë të majtë dhe të djathtë. Në atë zonë njerëzit mund të kthehen jo ndoshta për të  jetuar, por për të punuar. Rruga tjetër është një aks strategjik Shëngjin-Velipojë, i cili do shërbejë jo vetëm për të zhvilluar këtë brez jo vetëm mes dy vendeve, por edhe me Malin e Zi”, shtoi ai.

Gjithashtu Rama ironizoi edhe kreun e PD-së, Lulzim Bashën për lapsusin e bërë disa ditë më parë mbi uljen e çmimit për ‘litër  të energjisë elektrike”.

“Energjinë 300 lekë për litër. Janë të dy 300 lekë për litër. Thua e thua çfarë të thuash, ajo që vlen ama është ballafaqimi me faktet dhe me rezultatet. Sot unë jam këtu për t’ju thënë se ne kemi  nevojë ta kemi bashkinë e Lezhës në krah.

Unë nuk bëj politikë me marrjen e rolit të prokurorit, as nuk jap dënime paraprake, por me thënë të drejtën kur e shoh  kryetarin e opozitës në krah me kreu e bashkisë së Lezhës, që është i akuzuar për vjedhje pronash. Ka një problem të madh me të gjithë ata që i shkojnë pas dhe i besojnë”,  nënvizoi Rama.