MENU
klinika

Vakumi ligjor

KLP i ‘ngrirë’, nuk merr dot masa disiplinore ndaj prokurorëve

13.02.2019 - 17:38

Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk mund të marrë masa disiplinore për prokururorët për shkak të vakumit ligjor.

Mazhoranca shprehet se kjo duhet të zgjidhet në Këshillin e Legjislacionit, por kjo është e vështirë sipas PS, pasi opozita e ka bllokuar atë. Por ndryshe nga KLP, KLGJ mund të marrë masa disiplinore për gjyqtarët pasi deri në krijimin e ILD është në funksion Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

“Kuvendi i Shqipërisë duhet të miratojë amendamentet përndryshe mos e merrni mundimin të vini te KLP të kërkoni disiplinë për prokurorët” deklaroi Gent Ibrahimi.

Shkeljet që mund të bëjnë prokurorët nuk do të mund të ndëshkohen për shkak të një vakumi të krijuar prej politikës.

Masat disiplinore ndaj tyre janë kompetencë e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, i cili ende nuk është krijuar. Mazhoranca e pranon ngërçin por zgjidhja mund të vijë nga Këshilli i Legjislacionit.

“Këshilli i Legjislacionit është i bllokuar për shkak të opozitës. U drejtohem kolegëve të opozitës që janë anëtarë të Këshillit të Legjislacionit për të finalizuar dhe për të dakordësuar riformulimet e atyre 2-3 neneve që kanë mbetur dhe për të kaluar ndryshimet”, shprehet Vasilika Hysi.

Ndryshe nga situata e prokurorëve, sipas Hysit, për gjyqtarët masat disiplinore merren prej Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Socialistët këshillojnë se deri në ngritjen e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë në raste flagrante, institucionet ti drejtohen organeve të vettingut.