MENU
klinika

Procesi i 'fshehur'

Zgjedhjet e shefave të pavionëve në ‘ngërç’

13.02.2019 - 21:04

Spitali “Nënë Tereza” vijon të drejtohet nga shefa shërbimesh të komanduar, që kanë kaluar dhe afatet ligjore.

Procesi i përzgjedhjes së shefave të rinj ka mbetur në ngërç total duke u bërë gjithmonë edhe më enigmatik.

Madje as ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nuk ka një përgjigje shpjeguese për këtë çështje edhe pse pohon se ajo vetë i ka firmosur emrat fitues duke ia kaluar përgjegjësinë Ministrisë së Arsimit.

“Jam për bashkëfirmosje me Ministrinë e Arsimit. Nuk po zgjatet, unë i kam firmosur, është Ministria e Arsimit për të bërë procedurat përkatëse. Secili institucion ndjek procedurat”, tha Manastirliu.

Ministrja ndërkohë, i është shmangur pyetjes në lidhje me mandatin e profesor Arben Gjatës që njëkohësisht është i zgjedhur në dy poste, si rektori i Universitetit të Mjekësisë dhe shef i shërbimit të kirurgjisë, çka përbën konflikt të pastër interesi.

Mësohet se 4 kandidatë për shefa shërbimesh i janë drejtuar gjykatës administrative ku kanë denoncuar pikërisht procesin e përzgjedhjes së fituesve si dhe paditur komisionin që ka përzgjedhur fituesit dhe vetë QSUT.

Bëhet fjalë për shërbimin e endokrinologjisë, shërbimin e kirurgjisë pediatrike shërbimin e dermatologjisë dhe reumatologjisë. Ligjërisht lista e fituesve duhej të ishte bërë publike prej kohësh, pasi intervistat e kandidateve të përzgjedhur janë mbyllur që në fund të muajit nëntor.

I gjithë procesi u zhvillua në mënyrë hermetike , në një kohë që në radhët e mjekëve vazhdon të përflitet se përzgjedhja nuk është bazuar në konkurs, por ka qenë thjesht emërime.