Ai që shihni në imazhet e shpërndara e përditshmja “Le Monde” është Aleksandre Benala, ish truproja i presidentit francez Emanuel Makron. Ai nuk është një polic dhe nuk duhet të ishte aspak ditën e protestës së punëtorëve në 1 Maj. Megjithatë ai godet një burrë ndërkohë që tërheq zvarrë më pas edhe një grua, me rroba civile por me fytyrën e mbuluar nga kaska e policisë franceze. Kaq mjaftoi për të hedhur dyshime nëse rrethi i bashkëpunëtorëve të Makron qëndron mbi ligjin.
“A ka pasur ndonjë manovër për të mbajtur të fshehur të gjithë këtë histori? Kush është në rrethin e Makron mos vallë beson se ka pushtet përtej ligjit?” Këto kanë qenë aludimet që hodhi kreu i partisë së qendrës së djathtë republikane, Loront Vakiez duke paralajmëruar në këtë mënyrë se ngjarja e bërë publike nuk do të kalonte lehtë për presidentin francez. Kodi penal francez parashikon që cilido zyrtar që vihet në dijeni të krimeve të dyshuara duhet të informojë prokurorinë sa më parë të jetë e mundur.
Megjithatë prokuroria e Parisit i ka komunikuar mediave franceze se për incidentin në fjalë është vënë në dijeni vetëm gjatë kësaj jave.
Sakaq prokuroria ka nisur hetimet në lidhje me krimet e mëposhtme:
• Dhunë nga ana e një zyrtari publik
• Abuzim me detyrën
• Përdorim i paligjshëm i simboleve të policisë
• Përpjekje për të siguruar filmimet e telekamerave të sigurisë
“Përse qeveria nuk ka zbatuar nenin 40 të kodit penal? Mos vallë ekziston një sistem policor paralel që drejtohet nga On Marshe?” – pyet qëllimisht në Tuiter republikani Erik Kioti. Madje edhe anëtarë të partisë së vetë presidentit francez kanë shprehur mosbesim tek Makron pas kësaj ngjarje.
Deputeti Loront Sent-Marin ka deklaruar në një intervistë televizive se “pas një sjelljeje të tillë nuk duhet të autorizohet më që Benala të punojë me presidentin. Nuk ka justifikim për sjelljen e tij sipas mendimit tim” – ka vijuar më tej Marin. Edhe Sesil Rihalk një tjetër paralmentare e “On Marshe” ka pohuar se Benalas i mungon legjitimiteti për të punuar pranë qeverisë.
Por cilat janë lidhjet e Aleksandre Benala me presidentin francez? Makron dhe 26 vjeçari Benala njihen mirë më njëri tjetrin. Benala u bë shefi i sigurisë gjatë fushatës politike të presidentit të ardhshëm në vitin 2017-të. Pasi Makron mori Elizenë, Benala filloi të ushtronte detyrën e ndihmësit personal të sigurisë së Makron për udhëtimet e tij publike dhe private. Benala është fotografuar shumë herë së bashku me kreun e shtetit edhe në evente personale të tij. “Le Monde” ka bërë me dije se Benala jeton në një nga zonat më luksoze të kryeqytetit francez ndërkohë që i është vënë në dispozicion edhe një makinë me shofer personal që e shoqëron në lëvizjet e tij.
Pezullimi për 15 ditë pa pagesë i Benala u konsiderua si i dobët nga të gjithë kritikët e Makron. Tashmë 26 vjeçari është pushuar nga puna dhe ndaj tij ka nisur zyrtarisht hetimi për abuzim me detyrën. Zemërimi për pëzullimin e Benala është shtuar gjerësisht në popull pasi që “Le Monde” tregoi një fotografi të ish truprojës së presidentit që ishte në autobusin e kombëtares franceze në festimet e fitores së Kupës së Botës. Ai zyrtarisht ishte liruar nga detyra për çdo event që përfshinte presidencën dhe nuk duhet të kishte asnjë detyrë administrative për të kryer. Nuk është ende e qartë nëse Benala ka marrë pjesë në operacionet e sigurisë në ditën e festimeve apo jo.
E vërteta është se çështja Benala është më shumë sesa një abuzim me detyrën, por ka marrë përmasat e një çështje shtetërore që për herë të parë që nga marrja e detyrës së presidentit e ka vënë Emanuel Makron me shpatulla pas murit, duke riskuar besueshmërinë e tij si presidenti vetëm një vit pas marrjes së detyrës.