MENU
klinika

Ligji i ri për pensionet

Pagesat vullnetare, kush dhe sa është kuota?

15.02.2019 - 14:08

Dëshironi që masa e pensionit tuaj të pleqërisë të jetë më i lartë? Kjo gjë mund të arrihet duket derdhur vullnetarisht një shumë të caktuar.

Ligji i ri për pensionet në Shqipëri lejon që çdo qytetar të kontribuojë vetë për rritjen e sasisë së pensionit.

Bazuar mbi ligjin e ri:

-Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura mund të paguajnë të gjithë ata persona që janë ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të figurojnë në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

-Sigurimi vullnetar mund të realizohet vetëm në vitin konkret.

-Kontributi normal llogaritet në hapsirën 26 mijë lek (paga minimale) dhe 114.670 lekë (paga maksimale).

-Qytetari ka të drejtë të zgjedhë një pagë brenda këtij kufiri vlerash, pra atë minimale ose atë maksimale.

-Personat e vetëpunësuar sigurohen me pagë minimale 26 mijë lekë. Ndërkohë vullnetarisht çdo person ka të drejtë të sigurohet deri në 114670 lekë.

-Punëdhënësit që sigurohen nën nivelin e pagës maksimale ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në kufirin e kësaj page.

-Nga sigurimi vullnetar përfitohen pensione më të larta pleqërie, pensione më të larta të invaliditetit dhe familjar.

-Sigurimi vullnetar paguhet duke u paraqitur në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore dhe duke vendosur kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar.

-Dokumentet që kërkon janë, fotokopje e librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit; fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon; fotokopje të letërnjoftimit elektronik/ kartës së identitetit.

Ndërkohë në fund nëse personi i interesuar bie dakort për t’u siguruar vullnetarisht, do të marrë dokumentin tip “Urdhër veprimi”, i cili plotësohet nga inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore.

Duke disponuar këtë “Urdhër veprim”, personi i interesuar paraqitet në bankë për të bërë pagesën. Me kryerjen e pagesës ai pajiset nga banka me “Mandat arkëtimi”.

Pas marrjes së mandat arkëtimit, personi i interesuar rikthehet tek inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore, me të cilin lidh marrëveshjen e sigurimit vullnetar, që nënshkruhet nga personi i interesuar dhe inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (një kopje e mandatit i dorëzohet inspektorit në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes).

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore është i detyruar të bëjë pasqyrimin në librezë të kontributeve të personit të interesuar, ose të hapë librezë kontributesh të re në qoftë se nuk ka.