MENU
klinika

'16 shkurti'

Protesta/ Prokuroria e Policia në gatishmëri

15.02.2019 - 16:42

Prokuroria dhe Policia do të jenë në gatishmëri të plotë ditën e shtunë që zhvillohet protesta e opozitës.

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elizabeta Imeraj ka angazhuar një pjesë të prokurorëve për protestën prej orës 09:00.

Nga ana tjetër, Policia e shtetit thekson se nuk është pranuar zhvillimi i tubimit në rrugën “Ismail Qemali” me argumentin se janë me rëndësi të veçantë për zhvillimin e jetës publike në kryeqytet si dhe për veprimtarinë e pacënuar të disa misioneve të huaja diplomatike.

“Garantimi i lirisë së veprimtarisë, të lëvizjes dhe të qasjes së papenguar në mjediset e misioneve diplomatike dhe në disa institucione të rëndësishme shtetërore, e bëjnë të pamundur lejimin e protestës së opozitës në rrugën “Ismail Qemali”. Por nga ana e Policisë së Shtetit dhe e autoriteteve vendore policore të Tiranës janë mundësuar mjedise të mjaftueshme si Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, i cili është shfrytëzuar historikisht për qëllime të tilla dhe që ofron hapësira të mjaftueshme edhe për pjesëmarrje masive”, sqaron më tej Policia.

Policia shton gjithashtu se në protestë mund të ketë dhunë.

“Përveç deklaratave dhe retorikës së ndezur politike dhe thirrjeve për dhunë, të artikuluara nga disa përfaqësues të politikës dhe medias, Policia e Shtetit ka administruar edhe informacione se persona të caktuar, me rekorde kriminale apo të dënuar më parë për vepra të rënda penale, janë përgatitur për të ushtruar dhunë në protestën e datës 16 shkurt 2019, të organizuar nga Partia Demokratike”, sqaron policia në njoftim.