MENU
klinika

Diferenca në vite me Shqipërinë

Standardi evropian i jetesës

16.08.2018 - 15:00

GDP per capita, apo Produkti i Brendshëm Bruto për frymë, është një tregues makroekonomik përmes së cilit matet ecuria ekonomike e një shteti, që nënkupton: 1) të ardhurat vjetore të të gjithë qytetarëve në moshë pune, ose 2) vlerën e të gjitha produkteve dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara në vend përgjatë një viti. Është gjithaq një tregues i standardit të jetesës.

Bazuar në të dhënat e grumbulluara nga OECD, Konica.al ka bërë një hulumtim interesant mbi PPB-në për frymë historike të vendeve më të zhvilluara evropiane, për të shquar vitet kur këto vende ndanin të njëjtin PPB për frymë me Shqipërinë aktuale, e për të kuptuar kësisoj sa shumë vite i duhen vendit tonë për t’iu afruar standardit të tyre të jetesës, duke ndjekur rast pas rasti ritmin e rritjes ekonomike të secilit prej shteteve evropiane të përfshira në krahasim. Renditja është kryer në shkallë zbritëse.

Aktualisht, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë i Shqipërisë, sipas të dhënave nga INSTAT (Instituti i Statistikave), është 4711.99 dollarë në vit (vlerë e vitit 2016). Vlerat historike që kemi marrë në konsideratë për shtetet e zhvilluara janë midis 4800-4999 dollarë (duke përfshirë rritjen ekonomike vjetore të Shqipërisë prej 3.6% në vitin 2017).

Të dhënat historike për Shqipërinë, të regjistruara prej vitit 1950 e këtej, tregojnë një vlerë fillestare PBB-je për frymë prej 1001 dollarësh, afërsisht çereku i vlerës së sotme. Pra, në 67 vjet, PPB-ja për frymë e Shqipërisë është rritur me vetëm 3000 dollarë!

Nga analiza e tabelës së mësipërme, duke iu referuar vlerave të PBB-së për frymë për çdo shtet, Shqipërisë i duhen minimumi 62 vjet për të arritur nivelin e Italisë së sotme, dhe maksimumi 105 vjet për të arritur pasurinë për frymë të Britanisë së Madhe. Dhe respektivisht 95, 94, 91, 89.5, 80, 80.5, 71, 67.5, 58.5, 60.5 për të arritur Zvicrën, Holandën, Belgjikën, Danimarkën, Gjermaninë, Suedinë, Norvegjinë, Francën, Austrinë dhe Finlandën.

E ndonëse politikisht po i afrohemi bashkësisë së madhe evropiane, ekonomikisht rruga mbetet e gjatë dhe tejet e vështirë.

Burimi i të dhënave:

INSTAT – www.instat.gov.al/

The World Economy: Historical Statistics, OECD Development Centre, Paris 2003