MENU
klinika

Nga Peter Lucas*, Lowell Sun

Edhe Shqipëria komuniste ishte e gjelbër: Përgjigje për socialisten amerikane

15.02.2019 - 22:25

Sa keq që ligjvënësit Ed Markey dhe Alexandria Ocasio-Cortez nuk mund ta vizitonin Shqipërinë në vitet 1980.

Do e dashuronin. Ishte Marrëveshja e Re për Gjelbërimin e kthyer në realitet.

Nuk kishte makina në Shqipëri. Nuk mund ta kishe një në pronësi, nuk mund ta blije, merrje me qira dhe as mund ta vidhje.

Komunistët që drejtonin vendin kishin një politikë që ndalonte pronësinë private dhe përdorimin e makinave.

Feja ishte e ndaluar po ashtu.

Në raste të rralla mund të shihje një limuzinë me xhama të zinj teksa shpejtonte në bulevardin kryesor të Tiranës, kryeqytetin e vendit. Nuk kishte shenja trafiku, as semafor, edhe pse kishte shumë policë dhe ushtarë nga ana tjetër.

Kalimtarët e frikësuar supozonin se në limuzinë ishte ndonjë drejtues të lartë të Partisë Komuniste, të vetmit njerëz të priviligjuar që kishin akses tek makinat dhe shoferët. Njerëzit shikonin tutje. Por policia dhe ushtarët që mbikëqyrnin godinat përkuleshin dhe përshëndesin limuzinat që kalonin.

Asnjëherë nuk e kuptojë se kush ishte në sediljen e pasme, ndoshta vetë Enver Hoxha. Por më mirë të jesh i sigurt sesa të të vijë keq.

Si të gjithë diktatorët komunistë apo socialistë, Enver Hoxha, lideri paranojak shqiptar, sundonte si një fashist. Sundonte me anë të frikës, ashtu siç kishte vrarë për t’u ngjitur dhe qëndruar në pushtet, ndaj druhej se edhe atë mund ta vrisnin.

Gjithashtu, mungesa e makinave në vend nënkuptonte se policia shtetërore mund të të vëzhgonte me lehtësi. Mund të udhëtoje vetëm me gomar ose me biçikletë.

Sigurimi- policia e frikshme sekrete- e dinte gjithmonë se ku ishe. Shqipëria, për 44 vite- deri kur ranë komunistët, ishte një burg i madh.

Nuk mund të hyje dhe as nuk dilje dot. Dhe nëse kishe shansin të afroheshe pranë kufirit me Jugosllavinë apo me Greqinë, do të të vrisnin dhe familjen tënde e dërgonin në një kamp përqendrimi.

Gërvisht një socialist dhe pas tij do të dalë një fashist.

Por Shqipëria ishte e gjelbëruar. Nuk kishte ndotje nga karburantet e fosileve, ajri ishte i pastër dhe i freskët. Nuk kishte as liri gjithashtu.

Rrugët, rrugicat dhe trotuaret ishin të pastra. Nuk kishte mbeturina për shkak se nuk kishte asgjë për ta blerë apo për ta hedhur tutje. Nuk kishte dyqane, bare, kafene apo restorante. Nuk kishte vende ku të mblidheshin njerëzit. Parqet ishin të gjelbra, por nuk kishte njerëz.

Ishte një sistem gjigand spiunazhi ku fqinjët spiunonin fqinjët.

Nuk kishte as avionë. Aeroplanët ishin zhdukur, ashtu siç duan të bëjnë neo-socialistët Markey dhe Ocasio-Cortez këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Komunistët nuk i donin të huajt në vendin e tyre. Një vështrim i një amerikani të lirë ose perëndimori mund t’u jepte një ide.

Aeroporti i Tiranës, i rrethuar nga fusha me misër, ishte po ashtu i gjelbër. Edhe katër avionë rusë MiG të parkuar në një qoshe të vetmuar të një piste boshe, ishin të mbuluar me një kamuflazh jeshil.

Në këtë vend kam fluturuar në gusht të vitit 1986, në një avion Saab Fairchild 340 me 30 vende, që udhëtonte dy herë në javë përmbi alpet zvicerane. Në bord ishin katër gjemano-lindorë, tre shqiptarë dhe unë. Isha i pari gazetar amerikan- që punoja për Boston Herald, që më lejohej të hyja në vend në 30 vite. Mora një vizë për shkak se Hoxha kishte vdekur më herët atë vit, por edhe sepse prindërit e mi kanë lindur atje.

Kur mbërrita, mendova se kishte ndaluar koha. Më dukej më shumë se ishte viti 1936, jo 1986.

Por Shqipëria nuk ishte vendi më i pastër ku kisha qenë, por edhe më i palumturi.

Shihja nga dritarja e hotelit mbi sheshin Skënderbej një mëngjes herët. Ishte frikshmërisht bosh. Nuk kishte njerëz, makina, biçikleta, kuaj, gomerë, asgjë. Sapo doli drita, njerëzit dilnin për të pastruar rrugët. Bëhej fjalë për dhjetëra gra të moshuara me fshesa. Lëviznin në rreth duke shpërndarë ujë përpara se të nisnin fshirjen që të mos ngrihej pluhuri.

Gjithçka ishte e lirë në Shqipëri. Komunistët kontrollonin gjithçka, nga lindja deri tek vdekja, kujdesin shëndetësor të mjeruar siç ishte, arsimin e mbushur me propagandë, ushtrinë e madhe që nuk mund të dilte as nga një qese letre, fenë që ishte zhdukur, shtypin e lirë që nuk ekzistonte dhe burgjet e mbushura me disidentë.

E vetmja organizatë që punonte, përveç Sigurimit, ishte ai grup me gra të moshuara që pastronin rrugët.

Por vendi ishte i gjelbër, i gjelbër si bari.

Markey dhe Ocasio-Cortez do ishin bërë jeshil nga zilia.

*Ky koment është përgjigje për dy ligjvënësit e majtë amerikanë, që kanë propozuar një marrëveshje për klimën, e cila parashikon zhdukjen e fluturimeve me avion dhe zëvendësimin e gjithë makinave me motor djegës. Fotot ilustruese janë bërë nga Ferdinando Scianna në Shqipëri pak kohë para se Lucas të vizitonte vendin tonë