MENU
klinika

Lajmet minutë pas minute

Çfarë ndodhi sot në protestën e opozitës?

16.02.2019 - 13:34

Ora 8:20-Akte të dhunshme gjatë protestës, shkon në 40 numri i të shoqëruarve

Ka shkuar në 40 numri i të shoqëruarve në polici për dhunën e shkaktuar gjatë protestës së djeshme të opozitës.

Tubimi opozitar zgjati rreth 5 orë përpara kryeministrisë, ku pati akte të dhunshme dhe u sulmua insititucioni i qeverisë.

Menjëherë pas përfundimit të protestës, policia ka nisur aksionin, duke arrestuar personat që shkaktuan dhunë.

Shoqërime nga policia ka pasur jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, si Fieri, Durrësi, Lezha etj.

Mbrëmjen e djeshme u shoqërua në polici edhe ish-kreu i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha.

Ora 19:21-Basha reagon sërish: Koha e fjalëve mbaroi!

Lidhur me protestën e sotme të opozitës, e cila zgjati për rreth 5 orë para kryeministrisë ka reaguar sërish kryeopozitari Lulzim Basha.

Përmes një postimi në Twitter, kreu i PD ka postuar edhe një video ku duken protestuesit në shesh.

Basha shkruan se një popull i tërë është bashkuar dhe është më i fortë se kurrë.

“Një popull i tërë i bashkuar si kurrë më parë në protestën më madhështore në Shqipëri është ngritur kundër qeverisë hajdute dhe kryehajdutit të saj që e vjedhin dhe e varfërojnë përditë. Koha e fjalëve mbaroi. Sovrani diktoi sot rrugën pa kthim drejt të ardhmes!”, shkruan Basha.

Ora 19:o9- Paloka paralajmëron: Mos mendoni se mbaroi!

Protesta e opozitës sot përpara kryeministrisë vijoi për 5 orë me rradhë.

Nuk munguan as aktet e dhunës, përplasjet mes protestuesve dhe policisë, bombat molotov, apo edhe gazi lotsjellës.

Lidhur me këtë çështje, ka reaguar edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së Edi Paloka.

paloka2-konica.al

Sipas Palokës protesta nuk ka mbaruar dhe se ajo vetëm sa ka filluar.

“Se mos mendon se mbaroi…Vetëm sa ka filluar qelbësirë”, shkruan Paloka.

Ora 18:39-Aktet e dhunës në protestë/ Balla: Opozita e ka marrë mesazhin!

I ftuar në emisionin ‘Kjo javë’, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla komentoi protestën e sotme të opozitës.

Sipas Ballës, në protestën e sotme opozita mori mesazhin e qartë që të heqë dorë nga skenarët e dhunës.

Balla gjatë fjalës së tij theksoi faktin se ndryshe nga 21 janari, ku pati viktima nga protestuesit, sot të plagosurit ishin punonjësit e policisë.

“Kam qenë në zyrë këtu në Tiranë, nuk kam qenë në Vlorë. Së pari shqiptarët dinë të bëjnë qartë dallimin në shumë aspekte. Falenderoj çdo punonjës të Policisë së Shtetit për një qasjeje krejtësisht ndryshe. Sot është një provë e qartë për të rihapur hetimet për 21 janarin. Kam deklaruar jo më larg se dje se policia demokratike ka një skenar dhune.

 

Duke ju vlerësuar si një gazetare mjaft inteligjente, protestuesit e kanë thyer kordonin e policisë me forcë. Të gjithë e kemi ditur se sot do kishim dhunë, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi e kishin paralajmëruar.

Jemi në kushtet që kemi 8 punonjës së Policisë së Shtetit të plagosur. Sot ke më shumë të plagosur të policisë së shtetit të 8 të plagosur me mjete të rënda. Gjithmonë policia është kujdesur që nga ana e qytetarëve të mos kishte të dëmtuar.

Në rastin e 21 janarit kordoni i policisë godiste qytetarët me shkopa goma. Mua më vjen keq për demokratët e thjeshtë që i shkojnë mbrapa Sali Berishës. Protesta e 21 janarit është e sqaruar për shqiptarët.

Besoj se opozita sot e ka marrë mesazhin, opozita duhet të heqë nga këto skenarë të dhunshme. Arsyeja pse LSI është në protestë dhe në dhunim të institucioneve është diçka e paralajmëruar. Rruga e drejtësisë së re nuk ndalet. Jeni ju objekt i këtyre institucione. Sot LSI dhe PD e kanë marrë mesazhin e qytetarëve”, u shpreh Balla.

Ora 18:16- Rama mesazh të fortë protestuesve, vlonjatëve dhe Policisë

Pas mbylljes së protestës, kryeministri Rama ka reaguar sërish.

Përmes një postimi në Twitter, Rama u ëshë drejtuar protestuesve duke i pyetur nëse është faji i tyre, apo i atyre që i tërheqin nga hunda.

“Është faji i atyre që ju tërheqin nga hunda apo juaji që akoma i ndiqni pas ata udhëhumbur?”, shkruan Rama për protestuesit.

Ndërkohë ai ka shkruar edhe dy fjalë për banorët e Vlorës.

“Sot ju i ritreguat Shqipërisë atë që dini më mirë, anën e duhur të historisë”.

Sakaq për Policinë e Shtetit ai ka shkruar se “ishte dita për të bërë dallimin e madh. Ju e bëtë! #Respekt”

Reagimi i plotë i Ramës:

Për Protestuesit: Është faji i atyre që ju tërheqin nga hunda apo juaji që akoma i ndiqni pas ata udhëhumbur?Për Vlonjatët:Sot ju i ritreguat Shqipërisë atë që dini më mirë,anën e duhur të historisë! Për Policinë e Shtetit:Ishte dita për të bërë dallimin e madh.Ju e bëtë! #Respekt

Ora 17:22-Aktet e dhunës në protestë, reagon Veliaj: S’ka më kthim pas!

Përmes një postimi në Twitter, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka kërkuar nga protestuesi që të shmangnin aktet vandale.

Reagimi i Veliajt erdhi pas përfundimit të protestës së sotme, ku si pasojë e dhunës së ushtruar nga protestuesit ajo çfarë mbeti pas ishin vetëm pemë të thyera, pllaka trotuari të hequra për të goditur kryeministrinë dhe punonjësit e policisë, dhe një pirg i madh me mbetje plastike nga ushqimet e konsumuara gjatë protestës.

“Po pse o pse? Ca ju beri pema, lulja, bulevardi, arti, pastërtia, e bukura, e mira? Do t’i rikuperojmë në kohë rekord, por Tirana nuk harron – s’ka më kthim pas tek huri e druri! Mirënjohje kryeqytetit që u distancua nga ekskursioni i dhunës! #MosVandalizoTiranën “, shkroi Veliaj.

Ora 17:07-U plagosën në protestë/ MSH tregon gjendjen e të lënduarve

Ministria e Shëndetësisë ka informuar në lidhje me të lënduarit e protestës së opozitës ditën e sotme.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë 9 punonjës të forcave të rendit, dy përfaqësues të medias dhe 8 protestues kanë marrë në kohe ndihmën mjekesore, fillimisht nga ekipet e terrenit te urgjences kombetare mjekesore dhe me pas jane derguar per mjekim te metejshem ne 3 spitalet universitare te Tiranes.

Pasi kane marre trajtimin mjekesor, aktualisht 19 personat e lenduar gjate protestes se sotme, kane lene spitalin dhe jane ne gjendje te mire shendetesore.

Ora 17:18-Kryemadhi mesazh Ramës: Sot ishte vetëm fillimi

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi pas përfundimit të protestës i dha një tjetër mesazh kryeministrit Edi Rama.

Kryemadhi nga selia e partisë, deklaroi se ndonëse Rama u largua nga Tirana, ajo që pa sot është vetëm fillimi.

“Sot ishte vetëm fillimi i atij reagimi qytetar na bën të ndjehemi krenarë për atdhedashurinë që shqiptarët kanë për vendin e tyre. Sot më shumë burra dhe gra se asnjëherë tjetër ishte protesta që e rrëzoi Edi Ramën për ti thënë që ai nuk është më kryeministër i shqiptarëve. Kërkonte të bënte antimitingun nga Vlora por shqiptarët ia dhanë përgjigjen nga ai bulevard. Shqiptarët i tregun: Ti ke ikur zotëri, ke ikur si një frikacak”,- deklaroi kryetarja e LSI.

Ora 17:16-A ishte dështim protesta?/ Reagon PD, zbulon arsyet pse u mbyll sot

Pas përfundimit të protestës së sotme, në një prononcime për News 24, ka reaguar edhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi.

Bardhi ka sqaruar arsyet e vendimit të opozitës për të mbyllur protestën sot.

Gjithashtu ai bëri të qartë faktin se të enjten, bashkimi popullor në protestën e radhës do të arrijë të largojë kreun e qeverisë, Edi Rama.

Dështoi për të larguar Ramën?

Qëllimi i protestës ishte t’i tregonte shqiptarëve dhe botës mbarë që ky është bashkimi më i madh kundër qeverisë së Ramës. Rrëzimi i tij është vetëm fillimi i aksionit tonë opozitar, shumica e shqiptarëve nuk e njohin Ramën si kryeministër. Nuk do ta ndërpresim, do ta vijojmë të enjten në orën 10. Ky është synimi dhe qëllimi i opozitës. Ne do ta rrëzojmë Edi Ramën.

Pse ditën e enjte? Pse kaq larg nga kjo e sotmja?

Dhuna që ka ushtruar Rama gjatë këtyre 5 viteve bënë qeverisje, vjedhja që po bën, është e tillë që nuk e shfrynë dot zemëratën e shumicës së shqiptarëve, Rama është ilegjitim, protesta e të enjtes do të jetë më e madhe, kemi të dhënat tona. Sot Rama ra decakto, së shpejti edhe dejuro. Është kryeministër që nuk njihet nga shumica e popullit.

Ora 16:44- Basha flet pas mbylljes së protestës, del me një tjetër mesazh

basha-konica.al

Pas përfundimit të protestës, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është kthyer në selinë e PD-së, ku edhe dha një tjetër mesazh për qytetarët.

Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se Rama sipas tij nuk është më kryeministri i vendit.

“Puna që nisëm sot duhet çuar deri në fund! Mirupafshim të enjten”,- tha ai për të gjtihë simpatizantët që e prisnin jashtë selisë blu.

PRONONCIMI I PLOTË:

“Sot kam një falënderim për gjithë secilin prej jush dhe ata qindra mijëra qytetarë që na u bashkuan. Falë mundit, sakrificës dhe qëndresës tuaj Edi Rama sot nuk është më kryeministër.

Nuk është më kryeministër para syve të shqiptarëve, nuk mund të jetë më kryeministër para botës demokratike. Por, miqtë e mi, puna që nisëm sot duhet çuar deri në fund. Mirupafshim të enjten”.

Ora 16:40-Mbyllja e protestës/ Lleshaj: Arma jonë është durimi

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar pas përfundimit të protestës.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin Twitter, Lleshaj shkruan se protesta vuri në dukje diferencën mes opozitës me zjarr e armë luftarake dhe qeverisë që ka përkushtim Shqipërinë europiane.

“Sot ne bëmë dallimin e qartë mes atyre që protestave u përgjigjeshin me zjarrin e armëve luftarake dhe nesh, që armën tone kemi durimin e zjarrin tonë kemi përkushtimin për Shqipërinë europiane! Faleminderit nga zemra Policisë shqiptare. Super punë sot #Mirënjohje”, shkruan Lleshaj.

Ora 15:59-Mbyllja e protestës/ Rama: Zgjedhja është e qartë

Kryeministri Edi Rama reagoi në Instagram sërish mbi protestën, duke publikuar foton e një djali të vogël pranë Kërpudhës tek Kryeministria dhe një foto të asaj që është shkatërruar gjatë protestës së sotme.

Zgjedhja është e qartë: Mund e durim për Shqipërinë që duam apo rrumpallë e rrënim për Shqipërinë që kishim” shkruan Rama.

Ora 15:57-Protesta mbyllet pas 5 orësh, Basha njofton tubimin e rradhës

Pas 5 orësh përpara kryeministrisë protesta e sotme e opozitës ka përfunduar dhe protestuesit janë shpërndarë.

Protesta e sotme është shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë para kryeministrisë.

Në protestë nuk kanë munguar përleshjet, gazi lotësjellës, uji me presion dhe bomba tymuese.

Gjithashtu protestuesit kanë përdorur edhe sende të forta, gura e shufra hekuri.

Kreu i selisë blu, Lulzim Basha bëri me dije se protesta tjetër do të jetë të enjten në orën 10:00, në datën 21 shkurt.

Ora 16:05-MSH: Nga protesta 15 të plagosur, mes tyre policë e gazetarë

Rreth 15 persona kanë mbetur të plagosur nga incidentet e dhunshme që u shënuan në protestën e sotme.

Mes 15 të plagosurve, bëhet me dije se janë pesë policë dhe dy përfaqësues të medias.

Deri tani Ministria e Shëndetësisë konfirmon se të plagosurit janë në gjendje të stabilizuar shëndetësore dhe se autambulancat dhe ekipet e urgjencës mjekësore janë në gadishmëri.

Ora 15:51-Kërkesa për hapjen e llotove/ Balla: Lulzim turp!

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka reaguar sërish nëpërmjet një postimi në Facebook lidhur me protestën e opozitës.

Balla ka postuar foton e një protestuesi i cili mban në duar një poster të kryeministrit Rama të spërkatur me bojë në parlamentar nga deputeti demokrat Edi Paloka, si edhe një pankartatë ku kërkohet hapja e llotove. Balla ironizon kryedemokratin Basha ndërsa shkruan se kjo qenka arsye për proteste.

“Aaaa kjo po që qenka arsye për protestë. Lulëzim turp për ty dhe atin tënd politik Sali!” -shkruan Balla.

Ora 15:42-Protesta/ Lulzim Basha me ‘lot në sy’ (FOTO)

Prej katër orësh vijon ende protesta përballë kryeministrisë.

Së bashku me protestuesit kanë qenë të pranishëm edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha së bashku me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Protesta sot është shoqëruar me veprime të dhunshme nga ana e protestuesve, të cilave policia dhe shërbimet e gardës i janë përgjigjur me gaz lotsjellës.

Grada hodhi gaz lotsjellës në momentin që turma tentoi disa herë të sulmojë derën kryesore të derës së Kryeministrisë.

Gazit lotsjellës nuk i ka shpëtuar as kreu i opozitës Basha, i cili në disa foto nga LSA është shfaqur me sy të skuqura e të përlotur.

Ora 15:34-Policia paralajmëron protestuesit: Stop dhunës, do zbatojmë ligjin!

Për disa herë policia i ka bërë thirrje qytetarëve që të distancohen nga dhuna.

“Të nderuar qytetarë, ju lutem ruani qetësoni. Ndërprisni veprimet e dhunshme. Ju bëjmë thirrje të distancoheni nga këto veprime. Veprimet që po kryeni përbëjnë vepër penale. Policia do të zbatojë ligjin”.

Ora 15:20-“Trafikantë të skeduar nga…”/ Balla nxjerr foton, akuza Berishës

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka publikuar një foto në lidhje me protestën e sotme.

Protesta e sotme u shoqërua me incidente, ndërkohë socialisti Balla shkruan se personat që ndodhen në foto janë trafikantë droge.

Ndërkohë Balla i ka bërë një thirrje Partisë Demokratike të ndalë dhunën.

Statusi i plotë:

Sali Berisha paske përfunduar të të shoqërojnë persona të skeduar nga policitë e vendeve partnere për trafikante droge. Mjaft dhe urdhëra për dhunë! Nuk ndalet Drejtësia e Re as nga ti, as nga Luli, as nga Mona e as nga punonjësit e Xhelal Mziut!

Ora 15:10-Protesta/ OSBE: Dhuna shkelje e parimeve demokratike

Thirrje për përmbajtje nga çdo akt dhune janë lëshuar edhe nga prezenca e OSBE-së në Tiranë.

Përmes një deklarate shpërndarë mediave, OSBE thekson se nxitësit dhe autorët e dhunës mbajnë përgjegjësi për incidentet e sotme.

Deklarata e plotë:

Prezenca e OSBE-së bën thirrje për përmbajtje nga çdo akt dhune i mëtejshëm kundër kryeministrisë dhe çdo lloj prone publike apo private. Përshkallëzimi i dhunës së rrugës sot përbën një shkelje të parimeve të protestës demokratike paqësore. Nxitësit dhe autorët e dhunës mbajnë përgjegjësi për incidentet e sotme.

Ne do të vijojmë të mbështetim të gjitha aktet e protestës demokratike dhe paqësore, si pjesë e përkrahjes sonë të palëkundur për demokracinë në Shqipëri.

Ora 14:13- Berisha ‘mban’ protestën/ Apeli për Ramën: Jep dorëheqjen ose shih tmerr!

Me një sugjerim të fortë i është drejtuar ish-kryeministri Berisha, kreut aktual të qeverisë, të dalë deri në darkë dhe të njoftojë popullin se ka dhënë dorëheqjen, pasi populli do ta zvarrisë dhe do ta hedhë në Lanë.

Nga protesta Berisha ka reaguar sërish për mediat me një mesazh për Ramën.

Deklarata e Berishës:

“Është një narkopolici që po provokon protestuesit, pasi e panë me sytë e tyre fundin e tmerrshëm të shpejtë të Edi Ramës. Cilido që ka ABC më elementare të revoltës, e ka të qartë se kjo revoltë është fundi politik i Edi Ramës.

Natyrisht ju mund të thoni se është kthyer nga Vlora. Ai mund të dalë në darkë, por shqiptarët kanë dy ditë histori, kanë ditë triumfi, por kanë edhe ditë zvarritje.

Diktatorët po nuk dëgjuan edhe zvarriten. Rama bën mirë të dalë në darkë të informojë popullin që dha dorëheqjen. Unë jam sugjerim, po të dojë le të rrijë, por do të shohë tmerr.”

Berisha mbështeti edhe njëherë idenë e tij se dhuna në protestë është pjesë e një plani të opozitës, ndërsa shton se do të qëndrojë në protestë së bashku me protestuesit.

“Tiranët do të kenë atë fat sa herë që ta meritojnë, ndaj i them Ramës mos e harro këtë sepse duhet të jesh skllav i të gjitha veseve dhe krimeve të njërit që të mos japësh sot dorëheqjen para këtij tsunami të paparë. Dhuna ishte skenar kryekëput i Rama, ishte skenarë sepse policia hoqi kordonin. 

Kush i hodhi bombat me gaz? Policia i hodhi. Do rri këtu të ndaj fatin dhe kënaqësinë me këta njerëz që kanë ardhur nga gjithë vendi. Cadra ishte lule more, ca cadre, ishte lule, se c’do ketë më mbrapa nga ky popull. Ai do ikë si mbatharak, dhe nuk ka rrugë tjetër, Edi Rama ia mbathi për në Vlorë, a e patë ju. Se si do vazhdojë do bëhet shumë shpejt e qartë, vazhdim do jetë mjerues për Edi Rama, prapë do ia mbathë, prapa do ta ndjekim, është e qartë. Për shqiptarët vota është shumë e rëndësishme”, -tha Berisha.

Ora 14:00-Dhuna në Kryeministri/ Rama kërkon ndjesë për kërpudhën

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas shkatërrimit nga protestuesit të kërpudhës së vendosur tek ambientet e jashtme të kryeministrisë.

Përmes një postimi në Twitter, Rama thotë se kërpudha ishte një vepër e Carsten Holler dhuruar kryeministrisë gjatë vizitës së tij në Tiranë.

Kryeministri i ka kërkuar ndjesë artistit të famshëm dhe thotë se kjo nuk është Shqipëria dhe shqiptarët.

Kryeministri Rama në Twitter:

KEPURDHA – Vepër e Carsten Holler, dhuruar Kryeministrisë pas një vizite të tij në vendin tonë, pas së cilës artisti i famshëm bashkëkohor është kthyer në një ambasador të Shqipërisë e të shqiptarëve! Ndjesë Carsten, kjo nuk është Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë këta

Ora 13:50- Protestuesit sërish në shkallët e Kryeministrisë

Vijon të jetë e tensionuar situata para Kryeministrisë.

Për herë të tretë protestuesit hipin në shkallët e Kryeministrisë dhe në skelën para këtij institucioni.

Efektivët që ndodhen mbi tarracën e Kryeministrisë qëllojnë drejt protestuesve me plumba me gaz lotsjellës.

Efektivët e policisë që ndodhen poshtë Kryeministrisë kanë maska për tu mbrojtur nga gazi lotsjellës.

Për herë të tretë protestuesit kanë hipur në shkallët e Kryeministrisë. Ata kalojnë me lehtësi kordonin e Policisë.

Në një moment të protestës, një i ri ka hipur mbi skelën e vendosur para Kryeministrisë dhe me një dërrasë në dorë ka tentuar të thyejë një nga xhamat e katit të dytë të Kryeministrisë.

Por xhamat i kanë rezistuar goditjeve dhe nuk janë thyer.Në të njëjtën kohë nga sipër, efektivët e Gardës kanë marrë gaz lotsjellës dhe ia kanë hedhur.

Por protestuesi jo vetëm që nuk është trembur dhe nuk është larguar por ka bërë dhe një gjest me gisht.

Ora 13:29- Ambasada e SHBA: Dënojmë dhunën dhe shkatërrimin që po ndodh!

Pas reagimit të delegacionit në BE, edhe ambasada e SHBA në Tiranë ka reaguar për protestën e opozitës.

Përmes një postimi në Facebook, ambasada e SHBA në Tiranë dënon me forcë dhunën dhe shkatërrimin që ndodhën gjatë protestës.

Ambasada e SHBA i bën thirrje të gjitha palëve që të tregojnë vetëpërmbajtje më të mirë dhe të rivendosin qetësinë.

Reagimi i ambasadës së SHBA në Tiranë:

??️ | Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon me forcë dhunën dhe shkatërrimin që ndodhën gjatë protestave të sotme në Tiranë. Mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, por dëmtimi i pronës publike dhe dhuna nuk janë të pranueshme. Nxisim të gjitha palët që të tregojnë vetëpërmbajtje më të mirë dhe të rivendosin qetësinë. Iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike që t’i denoncojnë këto akte dhe të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme për t’u siguruar që situata të shndërrohet në paqësore dhe konstruktive.

Ora 13:24- Delegacioni i BE-së: Shmangni dhunën në mënyrë të menjëhershme!

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar lidhur me tensionet në protestën para Kryeministrisë.

Përmes një postimi në twitter apelohen palët të bëjnë çmos për të shmangur dhunën dhe përçarje të mëtejshme.

“Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare në Tiranë u bëjnë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje të menjëhershme. E drejta e qytetarëve për t’u shprehur përmes protestës paqësore është një vlerë thelbësore e një demokracie moderne evropiane.” – thuhet në një reagim të delegacionit të BE në Twitter.

“Megjithatë, dëmtimi i pronës publike dhe përdorimi i dhunës nuk janë të pranueshme. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të bëjnë çmos për të shmangur dhunën dhe çrregullimin e mëtejshëm.” mbyllet reagimi i delegacionit te BE.

Ora 13:16- Si do të vijojë protesta? Basha tregon sa do të zgjasë

Kreu i PD, Lulzim Basha u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar për të drejtat e tyre.

Duke folur nga protesta, Basha tha se protestuesit u provokuan nga policia, pasi ata nuk erdhën për akte dhune.

Gjithashtu kryedemokrati u shpreh se është në dorë të qytetarëve se sa do zgjasë protesta.

“Protesta është thirrur me një qëllim. Qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme. Kjo është protesta më e madhe në 30 vite. Asnjë protestues nuk edhi për të bërë akte dhune. Ata u nxiten dhe u provokuan nga policia. U kërkoj qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar për të drejtat e tyre. Sa do vijojë protesta atë e dinë qytetarët”– tha Basha.

Ora 13:11-Dhuna ndaj institucioneve/ Lleshaj apel të fortë: Distancohuni!

Ndërkohë që vijon situata tejet e tensionuar para Kryeministrisë, ku protestuesit tentojnë të cajnë derën, kurse policia dhe garda pergjigjen me gaz lotsjellës për të shpërndarë qytetarët, vjen reagimi i parë i Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në twitter:

Bëj thirrje gjithë drejtuesve politikë që të distancohen nga dhuna që po ushtrohet ndaj institucioneve të Shqipërisë. Ftoj qytetarët të distancohen nga elementët e dhunshëm. Është me shumë vlerë të dëgjohet zëri i arsyeshëm i miqve të mëdhenj të Shqipërisë.

Jo dhuna, por arsyeja na afron drejt Europës së vlerave tona!

Ora 12:30- Protesta e dhunshme/ 6 të plagosur

Janë 6 protestues që kanë pësuar lëndime të ndryshme në protestën e opozitës nga goditjet me sende të forta. Raportohet se disa të tjerë  kanë probleme asfiksie dhe djegie sysh.

Dy ambulanca kanë hyrë mes turmës dhe kanë marrë dy protestues që kanë humbur ndjenjat, me sa duket për shkak të gazit lotsjellës.

Protestuesit i kanë hapur rrugën ambulancës për të marrë të lënduarit.

Një prej të lënduarve është një i moshuar me probleme asfiksie.

Ora 12:21- Thyerja e kordonit policor/ Basha: Fajin e ka Rama!

Kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar pas çarjes së kordonit policor nga protestuesit si dhe hedhjes së gazit lotsjellës nga garda e Republikës. Basha thotë se hapja e kordonit policor është plan i Rames për nxitjen e dhunës.

Ministri i Brendshëm e di fare mirë që kordoni i policisë ka hapur radhët për të krijuar një skenë të tillë. Siç e shikoni rrinë duarkryq sepse kanë një skenar për të nxitur dhe për të stimuluar dhunë. Ka nisur para katër ditësh me deklarata të papërgjegjshme të Policisë, ka vazhduar gjithë mbrëmjen e djeshme, ditën e sotme, gjatë kohës që kanë qarkulluar protestuesit.

Dhe tani ndërkohë që protesta filloi plotësisht në mënyrë paqësore dhe s’kam asgjë me efektivët, se efektivët kanë marrë lule nga ne në fillim të protestës. Ndërkohë me presionin më të vogël të turmës, që natyrisht që janë të irrituar sepse janë banorë të Unazës së Re, kanë shkuar për t’u prishur shtëpitë për t’u vjedhur 18 milionë euro, papritur shohim që hapet kordoni policor.

Kjo do të thotë që ka një plan për të nxitur dhunë. Ka një plan për të nxitur dhunën që t’i drejtojë gishtin e akuzës opozitës dhe kjo është e papranueshme”- tha Basha.

Ora 12:05-Tensioni në protestë/ Meta: Të respektohen institucionet!

meta kryeministri-konica.al

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka reaguar me një mesazh urgjent lidhur me gjithë sa po ndodh ndërkohë në protestën e opozitës së bashkuar.

Në një mesazh të qartë, Meta bën thirrje për vetpërmbajtje dhe evitim të dhunës.

“Duhet vetepermbajtje nga te gjithe per evitimin e konfrontimeve e dhunes. Ndersa qytetaret duhet te protestojne te lire duhet te respektohen institucionet”– ka thene Meta.

Ora 11:59- PD ngre flamurin në Kryeministri. Garda ‘luftë’ me protestuesit

Tensionohet protesta para Kryeministrisë, protestuesit kanë çarë kordonin e policisë dhe kanë hipur në pjesën e sipërme. Ata kanë hedhur molotov dhe shishe me benzinë, ndërsa kanë thyer mbulesën e skelës me hekura të vendosur para Kryeministrisë.

Policia, e cila ka qenë e paarmatosur është tërhequr dhe protestuesit janë praktikisht në dyert e kryeministrisë. Disa kanë hipur edhe mbi skelë dhe të tjerë kanë thyer xhamat e dyerve. Garda nga brenda ndërtesës ka hedhur gaz lotsjellës nga xhamat e thyer për të larguar protestuesit që kanë tentuar të hyjnë brenda.

Në skelëna para Kryeministrisë është ngritur dhe një flamur i Partisë Demokratike.

Opozita e Bashkuar proteston sot kundër qeverisë “Rama”. Prej më shumë se një muaji, partitë opozitare kanë thirrur shqiptarët në protestë në kryeqytet për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama dhe për t’i hapur rrugë krijimit të një qeverie tranzitore që do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme parlamentare, që sipas opozitës do t’i hapë vendit rrugën e integrimit.

Policia ka paralajmëruar se në protestë ka persona me precedentë penalë dhe ish-të dënuar për krime të dhëna që do të përdorin dhunën por opozita e ka mohuar duke thënë se elementët kriminalë janë në qeveri.

Opozita është deklaruar kundër dhunës por se gjithçka është në dorën e protestuesve.

Ora 11:44- Çahet kordoni policor/ Protestuesit ‘pushtojnë’ Kryeministrinë

Protestuesit kanë depërtuar kordonin e Policisë, duke rrethuar Kryeministrinë.

Tensionohet protesta para Kryeministrisë, protestuesit kanë çarë kordonin e policisë. Ata kanë hedhur molotov dhe shishe me benzinë.

Opozita e Bashkuar proteston sot kundër qeverisë “Rama”.

Prej më shumë se një muaji, partitë opozitare kanë thirrur shqiptarët në protestë në kryeqytet për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama dhe për t’i hapur rrugë krijimit të një qeverie tranzitore që do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme parlamentare, që sipas opozitës do t’i hapë vendit rrugën e integrimit.

Policia ka paralajmëruar se në protestë ka persona me precedentë penalë dhe ish-të dënuar për krime të dhëna që do të përdorin dhunën por opozita e ka mohuar duke thënë se elementët kriminalë janë në qeveri.

Ora 11:34-Basha-Berisha këmbëkryq me protestuesit: Do kërkojmë arrestimin e Ramës!

Opozita e bashkuar ka nisur protestën në Bulverdain ‘Dëshmorët e Kombit’. Pas bashkimit me qytetarët, kreu i PD, Lulzim Basha është ulur për disa minuta këmbëkryq me protestuesit.

Në krah të Bashës ishte edhe ish kryeministri Sali Berisha i cili gjithashtu është ulur këmbëkryq.

Opozita e Bashkuar proteston sot kundër qeverisë “Rama”. Prej më shumë se një muaji, partitë opozitare kanë thirrur shqiptarët në protestë në kryeqytet për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama dhe për t’i hapur rrugë krijimit të një qeverie tranzitore që do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme parlamentare, që sipas opozitës do t’i hapë vendit rrugën e integrimit.

Marrë shkas nga disa të rinj protestues të cilët ju ofruan lule policëve, të cilët këta të fundit i refuzuan, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, tha se policët nuk mund të ngrenë dorë kundërqytetarëve.

“Policia është më e shfrytëzuar sesa qytetarët shqiptarë. Sot shqiptarët protestojnë edhe për ata policë që janë aty. Qytetarët nuk kanë punë me policët, por kanë punë me krimin e organizuar.

E kanë vetë në dorë qytetarët sa do të zgjasë. Rama ka ikur, tani duhet të ndërtohet institucioni”, tha Kryemadhi.

Veç Bashës dhe Kryemadhit, edhe ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar nga protesta para kryeministrisë, se kërkojnë largimin e Ramës.

“Do kërkohet arrestimi i Edi Ramës në Vlorë se po përdhosh sheshin e Flamurit, bën antimitign njëlloj si Ramiz Alia në 1991. Edhe atij ia dështuan dhe këtij ia dështuan antimitingun. Do ketë një kërkesë nga ajri të arrestohet Edi Rama. Këtu e ka populli i cili është udhëheqësi absolut i Shqipërisë.”

Rama ndodhet në Vlorë. Kreu i qeverisë po zhvillon aktualisht një takim, ku duket se ka mbledhur shumë qytetarët, jo vetëm nga Vlora, por edhe nga rrethe të tjera.

Rama në Facebook shkruan: “Takimi publik i ciklit kombëtar “Bashkia që duam”

11:00- Nis marshimi i qytetarëve/ Zbardhet kush e hap protestën

Pasi janë grumbulluar në pikat e përcaktuara që më herët, ku është bërë edhe bashkimi i gjithë protestuesve të ardhur nga rrethet, nis grumbullimi para Kryeministrisë.

Me parulla në duar, me slogane kundër Ramës dhe Qeverisë së tij, protestuesit po i afrohen godinës së Kryeministrisë e cila është ndërkohë e blinduar, nga forca të shumta policie, FNSH, dhe efektivë të pajisur me maska kundra gaz.

Më herët protestuesit u grumbulluan edhe në selinë blu, te PD-ja dhe në selinë e LSI-së, për t’u bashkuar më tej në një marshim drejt zyrës së Ramës.

Në mesazhin më të fundit që kryedemokrati Basha dha në kohën që hyri në selinë e PD-së, pak pas orës 09:00, deklaroi se protestën nuk mund ta ndalë askush. ‘Mesazhin Rama do ta marrë në shesh”- ka thënë Basha.

Kush e hap protestën:

Burime nga PD-ja sqarojnë se protesta nuk do të ketë fjalime nga kryetare partish. Fjalën e kanë vetëm qytetarët, të cilët i janë përgjigjur thirrjes së kreut të opozitës për të marrë fatin në duart e tyre.

Protesta do të hapet nga një vajzë e re nga Shkodra. Më pas do të marrin fjalën perfaqësues nga ata që mbrojtën Teatrin, nga banorët protestues të Unazës së Re, të cilët janë në qendër të protestës.

Do të ketë përfaqesues nga biznesi i vogel, një pedagog, fermer, artizan dhe sipërmarrës i ri. Më pas, qytetarët do të jenë të lirë ta marrin fjalën për të shprehur revoltën e tyre.

Ora 10:05- Basha nis mesazhin e parë: Askush nuk mund ta ndalë protestën

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbërritur para pak minutash në selinë e kësaj force politike, pranë ish SHQUP-it

Prej këtu, lideri i PD-së pritet të dalë rreth orës 11:00, për t’u bashkuar me protestuesit në bulevardin ‘Dëshmorët e kombit”, para kryeministrisë.

“Askush nuk mund ta ndalë protestën”, tha Basha për gazetarët, teksa po hynte në zyrën e tij, për t’u dhënë dorën e fundit përgatitjeve për protestën e opozitës së bashkuar.

Ndërkohë kreu i PD-së, ndaloi t’i kujtonte edhe njëherë kryeministrit Rama se “Mesazhin do ta shohë në shesh.”

Ora 9:55- Rama sfidon opozitën: Jam në Vlorë me qytetarët

Kryeministri Edi Rama nuk do të jetë në zyrën e tij në selinë e qeverisë në orën kur opozita do të protestojë, por do të marrë pjesë në aktivitetin “Bashkia që duam” në Vlorë.

Akuzave të opozitës se po bën antimiting Rama iu përgjigj me një postim në tëitter duke thënë se takimi në Vlorë nuk është miting, por dialog me qytetarët.

“Na qenkan shqetësuar andej nga Mavroboja për takimin e Vlorës nesër. Presion i madh për t’i sjellë njerëzit në miting thonë. S’është miting o mavri me bojë po dialogu qytetar #BashkiaQëDuam prandaj mos na bëni reklamë aman të keqen, se i thonë Vlorë dhe s’kemi ku ulim njerëzit”

Nga selia e LSI-së, deputeti Endrit Brahimllari e quajti aktivitetin e kryeministrit në Vlorë si rikthim në vitin 1990 ku synohet përplasja mes shqiptarëve.

“Antimitingu i Vlorës është rikthim i antimitingjeve të viteve 90 ku synohej përplasja” u shpreh ai.

Brahimllari bën thirrje që të mos bien pre e presioneve të qeverisë por të marrin pjesë në protestë.

Ora 9:35- Bëhen gati autobotet, policët pajisen me maska kundër gazit

Plot 1300 forca policie do të jenë sot në terren të angazhuar për protestën e opozitës së bashkuar që do të nisë në orën 11:00 në Tiranë. Nga ana e strukturave të policisë ka nisur të vihet në zbatim plani i masave.

Nisi që në orët e para të mëngjesit shpërndarja e policisë nëpër kryeqytet dhe jo vetëm por edhe në akset lidhëse me qytetet e tjera ka prezencë të shtuar të policisë rrugore.

Është ndjekur protokolli dhe janë vendosur autobotet me ujë pas kryeministrisë, zjarrfikëse dhe ambulanca në rast të ndonjë emergjence. Pritet që të jenë 1300 efektivë policie në terren, 900 do të vendose para Kryeministrisë.

Ora 8:50- PD: Ja sa protestues janë nisur drejt Tiranës

Partia Demokratike ka dhënë shifrat e para të protestuesve të nisur nga rrethet drejt Tiranës. Sipas PD, raportohet se janë nisur më shumë se 50 mijë qytetarë drejt Tiranës. Vihet re sipas këtyre të dhënave, qarku me pjesëmarrjen më të madhe të protestuesve është ai i Durrësit, më pas vjen Shkodra, Elbasani e Lezha.

Qarku Shkodër – 8000 qytetarë; Qarku Lezhë – 6800 qytetarë; Qarku Kukës – 4000 qytetarë; Qarku Dibër – 3500 qytetarë; Qarku Durrës- 9100 qytetarë; Qarku Elbasan – 7500 qytetarë; Qarku Berat – 3000 qytetarë; Qarku Fier – 4800 qytetarë; Qarku Vlorë – 4500 qytetarë; Qarku Gjirokastër – 2000 qytetarë; Qarku Korçë – 4200 qytetarë.

SITUATA NË QARQE:

GJIROKASTER-4 autobusë dhe 250 mjete private janë nisur rreth orës 05:00 të mëngjesit nga Gjirokastra nën organizmin e drejtuesve të PD në këtë qark.

BERAT– 8 autobusë dhe 180 mjete të vogla janë nisur nga Berati. 6 autobusë janë nisur nga Skrapari. Ka pasur edhe tensione me policinë pasi një autobus është ndalur nga policia, por më pas autobusi është lejuar të kalojë. Autobusi ishte bllokuar nga policia pasi nuk kishte fletë udhëzimi drejt Tiranës.

SHKODER– Edhe në Shkodër ka pasur një organizmi nga drejtuesit e PD.  Janë rreth 30 autobusë dhe furgonë nga Shkodra që janë nisur para teatrit ‘Migjeni’ në drejtim të Tiranës. Në kryebushat ka pasur një kontroll të protestuesve në autobus.

DIBER– Sipas PD anë mijëra persona që janë nisur nga qarku Dibër për të protestuar në Tiranë. Ka pasur postblloqe nga policia në Maqellarë dhe në Burrel dhe policia ka qenë korrekte.

FIER– Rreth orës 07:00 simpatizantë dhe qytetarë të ndryshëm janë nisur nga Fieri dhe rrethinat. Deputeti i PD Luan Baci tha se janë mbi 300 mjete të vogla si dhe autobusët nisur nga ky qark drejt Tiranës. Policia ka ushtruar kontrolle dhe më pas ka lënë të lirë qytetarët për të udhëtuar drejt Tiranë.

LEZHE– Janë dhjetëra automjete dhe autobusë që janë nisur në drejtim të Tiranës edhe nga Lezha.

VLORE– Nga Vlora janë konfirmuar nga drejtuesit e PD rreth 1800 qytetarë të ndarë në 13 autobusë dhe makina të vogla. Rama pritet të zhvillojë një takim me qytetarët në këtë qytet dhe mohohet se do të zhvillohet antimitig.

KORCE– Shumica e qytetarëve nga Korça janë nisur me 12 autobusë si dhe 10 mikrobusë. Shumë qytetarë nga Korça nuk kanë pasur mundësi të udhëtojnë për në Tiranë për shkak të mungesës së mjeteve.

ELBASAN– Sipas PD janë 7500 qytetarë që pritet të marrin pjesë në protestën e opozitës. Sipas kreut të PD në Elbasan nisja do të nisë në orën 09:00 drejt Tiranë.

DURRES– Janë nisur 20 autobusë dhe furgonë si dhe mjete të vogla që janë nisur drejt Tiranë. Protestuesit kanë thënë se nuk kanë pasur vështirësi në autostradë. Kanë qenë 4 pika të nisjes së mjeteve nga qyteti bregdetar.

“Në rrugën drejt Shqipërisë 2030!“

Rama, të dielën takim me shqiptarët në Londër

Lejuan personin e tretë misterioz në makinën e viktimave të largohej

Masakra në Dobraç/ Gjykata jep vendimin për 4 efektivët e “Shqiponjave”

“E gjithë Shqipëria në Tiranë!”

Berisha njofton protestën e radhës