MENU
klinika

Almanak

Çfarë ka ndodhur me 18 shkurt?

18.02.2019 - 08:18

1129 – Jeruzalemi bie në duart e Frederikut II të Perandorisë së Shenjtë Romake. Fitorja në kuadër të kryqëzatës së gjashtë u arrit kryesisht falë një marrëveshjeje me el-Kamilin e Egjiptit që kishte nën kontroll këto territore.

Si pjesë e kushteve të marrëveshjes, Frederik merrrte edhe kontrollin e Sidonit, Xhafës, Nazaretit, dhe Betlehemit, duke u dhënë të krishterëve qasje në bregdet, ndërsa el – Kamili ruante kontrollin e Kupolës së Shkëmbit, Xhamisë el-Aksa, dhe Malit të Tempullit në Jeruzalem; të krishterët lejoheshin ta vizitonin.

1564 – Në Romë, vdiq Michelangelo Buonarotti, piktor italian, skulptor, arkitekt, poet. Një muaj më parë, pas shumë kritikave, kryesisht nga artiste xhelozë sesa nga Papa, pjesët lakuriq të pikturës së tij “Dita e Gjykimit” në tavanin e Kapellës Sistinë, u mbuluan.

Mikelanxhelo vdiq i dëshpëruar. Si vetmitar ai ishte njohur edhe kur ishte gjallë (nga disa është parë si qëndrim tipik melankolik i periudhës së Rilindjes që prodhonte art). “Jam shumë i lodhur shpirtërisht e fizikisht, nuk kam asnjë shok, as nuk dua të kem; nuk kam kohë as për të ngrënë; gëzimi dhe dhembja / këto vuajtje janë prehjet e mia”, shkruan Mikelangjelo.

Ai ishte ndoshta një nga artistët më të paguar të kohës, dhe prapë qahej. “..jam një njeri i varfër dhe i paguar pak për artin tim, duket se Perëndia më jep vetëm sa për të jetuar për aq kohë sa ka caktuar për mua”. Poezitë e Mikelanxhelos karakterizohen nga një platonizëm; adhurim për femrën që e cilësonte superiore dhe nuk guxonte t’i afrohej.

“Pas përpjekjeve për shumë vite”, nga Mikelanxhelo
(shqipërim)
Pas përpjekjeve shumë vjeçare,
njeriu i aftë, tani, pranë vdekjes,
është në gjendje ta kuptojë
imazhin brenda gurit.
Madhështia vjen ngadalë,
por për ne nuk zgjat shumë.
Njësoj vepron Natyra;
përpiqet të krijojë
bukuri të rrallë
dhe me ty e arrin.
Tani asaj po i ikën koha
siç ndodh me fundin e karrierës.
Frika, qëndron pranë bukurisë,
dhe ushqen dëshira të çuditshme.
Kështu, mendja në heshje bie, s’thotë dot
kush është më i madh; gëzimi apo dhimbja,
megjithëse pamja jote lajmëron Fundin e Ditëve,
ajo përmban imazhin e herëshëm
dhe mua më jep kënaqësi të madhe.

1787 – Perandori austriak Jozef II ndalon punësimin e fëmijëve nën moshën 8 vjeç.

1828 – Më shume se 100 anije shkatërrohen nga një stuhi e fuqishme në ngushticën e Gjibraltarit.

1861 – SHBA – Jefferson Davis bën betimin si president i Konferederatës, në Montgomery Alabama. Afërsisht dy javë më vonë, 4 mars, Abraham Linkolni do të përurohej si president i Bashkimit – Amerika po kapërcente ngadalë pragun e hyrjes në luftën e përgjakshme civile.

1879 – Arabët marrin peng kryeministri egjiptian Nubar Pasha – më pas e lirojnë. Nubar Pasha, i pari kryeministër i Egjiptit modern, ishte me prejardhje armene. Pa mbushur 18 vjeç Nubari, i pajisur me disa rekomandime (nga shqiptarë) la Stambollin dhe shkoi në Egjipt, ku filloi karrierën si sekretar i sundimtarit shqiptar – osman Mehmet Ali.

1884 – General britanik Charles Gordon arrin në Khartum të Sudanit për të mbrojtur qytetin nga rebelët (një vit më pas, ai vritet i rrethuar prej tyre). Gordon (1833 – 1885) ishte i famshëm si ushtarak dhe administrator; Ai kishte luftuar në mbarë botën; i njohur si Gordon Pasha, Gordon i Kartumit, Gordon Kinezi. Gordon ishte mik i Ismail Qemalit (1844 – 1919). Në kujtimet e tij, themeluesi i shtetit Shqiptar shkruan : “…ndër kujtimet e mia më të mira është miqësisa e sinqertë me të cilën Gordon më nderoi mua. Kënaqësia jonë më e madhe në ato ditë ishte kur Gordon na tregonte për të gjitha sa kishte bërë, si dhe rreth përvojës së tij në Krime, Armeni, dhe Kinë”.

1885 – Botohet romani “Aventurat e Huckleberry Finn” nga Mark Twain.

1900 – Formohet ekipi i futbollit Ajax i Amsterdamit, apo thjesht Ajax (pas heroit legjendar grek). Historikisht, Ajax është klubi më i suksesshëm në Holandë, dhe një nga “tre tre klubet që kanë mbizotëruar futbollin holandez.

1913 – Piktura “Nude Descending a Stairscase” ekspozohet në Nju Jork. (frëngjisht: Nu descendant un escalier) është një pikturë e vitit 1912 nga Marcel Duchamp. Piktura në kanavacë është konsideruar gjerësisht si klasike moderniste. Para prezantimit të parë në vitin 1912 në Salloni parizian des Indépendants, “Lakuriq duke zbritur shkallët” u hodh poshtë edhe nga kubistët si shumë Futuriste;

pastaj u ekspozua në Barcelonë, ku u prit relativisht mirë; dhe gjatë paraqitjes në Armory Show më1913 në Nju York, shkaktoi trazira. Vepra u etiketua si vështrimi i parë i Amerikës në artin modern. Kritika e quajti atë “skandaloze” dhe “të pakuptimtë.” Piktura “Nu descendant un escalier” është sot pjesë e koleksionit të përherëshëm Louis dhe Walter Arensberg në Muzeun e Artit në Filadelfia.

1915 – Lufta e parë Botërore – Gjermania fillon një bllokadë ndaj Britanisë.

1927 – SHBA dhe Kanada vendosin marrëdhënie diplomatike.

1929 – Jepen çmimet e para Oskar për arritje në kinematografi.

1970 – Presidenti amerikan Riçard Nikson shpall doktrinën e tij, sipas të cilës “Shtetet e Bashkuara do të ndihmonin në zhvillimin dhe mbrojtjen e aleatëve dhe miqve, por nuk do të angazhoheshin në mbrojtjen e tre vendeve aleate njëherësh

1979 – Dëborë bie në shkretëtirën e Saharës.

2001 – Agjent i FBI-së Robert Hanssen arrestohet për spiunazh për sovjetikët. Ai e pranoi fajin, duke shmangur mundësinë e dënimit me vdekje. Ai u dënua me burgim të përjetshëm.

2013 – Diamante me vlerë 50 milionë dollarë u vodhën gjatë një grabitje të armatosur në aeroportin e Brukselit, Belgjikë.
Mendim i ditës
“Kritiko duke krijuar”
Michelangelo Buonarroti

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe