Pas vendimit të LSI-së dhe PD-së për djegien e mandateve, ka reaguar shefi i qeverisë, Edi Rama në rrjetin social “Twitter”. Shefi i qeverisë personifikon qeverinë me skuadrën e Juventus. Ai shkruan me ironi që skuadra torineze nuk durohet më dhe duhet urgjentisht anulimi i kampionatit.
Kryeministri Edi Rama bën një analizë “sportive” duke marrë si analogji djegien e mandateve të opozitës dhe shprehet se kjo skuadër e “poshtër duhet të heqë dorë nga avantazhi”.
“Ky Juventusi s’durohet më!Të anullohet kampionati. Kush është mbrapa të djegë fanellat e iki nga fusha.Kjo skuadër e poshtër të heqë dorë nga avantazhi, të mos e bëjë më vetë formacionin dhe të fillojë ndeshjet nga e para!Ndryshe s’ka më futboll, po vetëm e ka kush e ka rrugëve”, shkruan Rama.
Nga ana tjetër, partitë opozitare PD dhe LSI pas vendimit për djegien e mandateve janë shprehur se vendit i duhet krijimi i një qeverie tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.
Ata në argumentet e tyre kanë pohuar se Parlamenti i Shqipërisë është kthyer në një tempull ilegjitim dhe që nuk përfaqëson interesat e votuesve, por atij të krimit.