MENU
klinika

Urtësia e Emanuel Kantit

Kanti: Mosmirënjohja është thelbi i poshtërsisë

19.02.2019 - 12:35

Kanti është filozofi gjerman i shekullit të 18-të (1724-1804). Mendimtar i Iluminizmit gjerman (Aufklärung), i mirënjohur kryesisht për librin e tij “Kritika e arsyes së pastër”, por edhe për refleksionet e tij mbi moralin, estetikën dhe politikën.

Fëmija i katërt i një familjeje prej njëmbëdhjetë fëmijësh, ai lindi dhe vdiq në Konisberg, duke mos u larguar asnjëherë nga vendlindja. Nga viti 1740 deri më 1746 studioi në Universitetin e Konigsbergut teologjinë, kryesisht filozofinë, matematikën, shkencat fizike dhe natyrore. Interesi i pamatë i profesorit të tij, Martin Knucen, për shkencën angleze e nxiti filozofin të njihte fizikën e Isak Njutonit.

Botimi i parë: “Mendime mbi vlerësimin e vërtetë të forcave të gjalla” më 1749  përbën pikënisjen e kumtesave shkencore të njëpasnjëshme. Jetoi sipas një orari të pandryshueshëm. Profesor në Universitetin e Königsbergut, ai është një nga filozofët e parë që mbajti një karrige universiteti.

Emanuel Kanti e mori udhën e amshimit 12 shkurtin e vitit 1804, duke mërmëritur fjalët “kjo është e mira” (Es ist gut). Mbi varrin e tij do të shkruhej postulati i “Kritikës së arsyes praktike”: “Qielli me yje mbi mua, ligji moral në mua”.

Mbetet një nga mendimtarët e arsyes së kulluar, si shtresimi më i qenësishëm i filozofisë gjermane. Emanuel Kanti arriti në sintezën e rrymave racionaliste dhe empiriste të iluministëve evropianë, që i bashkoi në një metafizikë të lirisë dhe të detyrës; ai kurorëzoi kështu ndërtesën intelektuale të shekullit të iluministëve. Çështjet që la pezull, u bënë çështje të filozofisë romantike.

Kanti u shqetësua më së shumti në ofrimin e një përgjigje vendimtare për tri pyetjet e mëposhtme: Çfarë mund të di unë? Çfarë duhet të bëj? Çfarë mund të shpresoj? të cilat përbëjnë par excellence programin e çdo filozofi.

Liria tek Kanti është një koncept që ndërhyn në fushën morale, në nivelin e pyetjes: Çfarë duhet të bëj? Kanti afirmon se vetëm përmes ligjit moral, ai e njoh veten si të lirë. Liria kantiane është ngushtësisht e lidhur me nocionin e autonomisë, që nënkupton: ligj për vetveten, pra liria i bindet ligjit të krijuar nga vetë unë.

Kemi të bëjmë me respektin e angazhimit të dikujt, një përputhje me veten. Po ashtu, fenomenet në mendimin kantian janë subjekt i ligjit të shkakësisë natyrore: çdo ngjarje është efekti i një tjetri, për të vijuar deri në pafundësi. Në kundërshtim me fenomenin, njeriu, në sundimin moral, është i lirë, çka nënkupton se ai ka fuqinë për të filluar një gjendje të vetvetes.

Nëse duam të kuptojmë parimin bazë të moralit të një shoqërie të lirë, nuk mund të gjejmë pikë referimi më të mirë se sa mendimi i Emanuel Kantit. Ai është filozofi më i rëndësishëm dhe gjerësisht i diskutuar si filozofi moralist në histori. Dhe ai ishte i vetëndërgjegjshëm një liberal i Iluminizmit, i cili besonte në një qeveri të kufizuar dhe në lirinë maksimale.

Në esenë “Teoria dhe Praktika”, Kant paraqet një pasqyrë të teorisë së tij politike. Me mendimin se një shtet civil është krijuar për të siguruar të drejtat tona, ai shprehet:

“Askush nuk mund të më detyrojë që të jem i lumtur në përputhje me konceptin e tij për mirëqenien e të tjerëve, sepse gjithsecili mund ta kërkojë lumturinë në çfarëdo mënyre që ai e sheh të arsyeshme, për sa kohë që ai nuk cenon lirinë e të tjerëve për të ndjekur një qëllim të ngjashëm mund të pajtohet me lirinë e gjithë të tjerëve brenda një ligji të përgjithshëm të zbatueshëm, – d.m.th. ai duhet t’i japë të tjerëve të njëjtën të drejtë që gëzon edhe vetë”.

Filozofia morale e Kantit justifikon të drejtat ekstremisht të forta kundër forcës. I vetmi justifikim për forcë në filozofinë e tij është mbrojtja e vetvetes ose e të tjerëve. Prandaj, qeveria e tij ideale duhet të jetë jashtëzakonisht e kufizuar dhe të lejojë shpengimin e imagjinatave, ndërmarrjeve dhe eksperimenteve të qytetarëve në jetesë.

Kanti ruan pozicione të çuditshme në pozita të veçanta morale. Ai ka një pikëpamje të çuditshme sa i përket martesës, e konsideron si një robëri reciproke, mendon se gënjeshtra është gjithmonë e gabuar, pavarësisht se e ç’natyre është. Kanti është më bindës në aspektin më abstrakt, kur merret me çështje themelore filozofike.

Kanti, shpikësi i një gjuhe të re filozofike, na bën të mundur zotërimin e të pazotërueshmes

“Kanti është një filozof që na lejon të mendojmë dhe ndërtojmë kategori, të zotërojmë të pazotërueshmen: ai është ballafaquar vazhdimisht me atë që tejkalon aftësitë tona për të njohur, imagjinatën tonë, tejkalon format tona të jetës.

Kanti na jep mjetet për të zotëruar atë që vuan më së shumti, qoftë idetë metafizike si Perëndia, shpirti ose liria. Ai nuk është ngushëllues, por është një mësues i shkëlqyer për t’i dhënë një emër asaj që është përtej nesh”, – shprehet Michaël Foessel.

Ndikimi i tij mbi filozofinë, ndikim të cilin e ushtron si nëpërmjet mësimeve, ashtu edhe përmes shklrimeve të tij, është i madh në Evropë, veçanërisht në idealizmin gjerman (Johann Gottlieb Fichte, Friedrich Schelling, Friedrich Hegel), për të cilin ai mund të konsiderohet si themelues.