Tenistja japoneze Naomi Osaka, numri 1 në botë për femra, është eliminuar që në ndeshjen e parë në turneun e Dubait. Osaka u mund 2-0 (6-3, 6-3) nga rivalja franceze Kristina Mladenovic.
Mladenovic nuk kishte fituar asnjë ndeshje gjatë këtij viti deri më sot dhe suksesin e parë të 2019-ës e arrin pikërisht ndaj numrit 1 në botë. Një rezultat që ka befasuar të gjithë, përfshi edhe vetë Osaka, që luajti në këtë ndeshje pa trajner, takim që zgjati 66 minuta.
Osaka ishte shumë larg formës së saj më të mirë dhe nivelit që tregoi dy javë më parë në Australian Open, ku dhe triumfoi. Kjo ia lehtësoi edhe më shumë fitoren Mladenovic, që bëri një ndeshje të jashtëzakonshme dhe avancon në raundin e tretë.
Në ndeshjet e tjera për femra, fitojnë pa probleme tenistja rumune Simona Halep (2-0 ndaj Eugenie Bouchard), ajo gjermane Angelique Kerber (2-0 ndaj Dalila Jakupovic), çekja Petra Kvitova (2-1 ndaj Katerina Siniakova) dhe spanjollja Garbine Muguruza (2-0 ndaj Saisai Zheng).