MENU
klinika

Njoftimi i ministrisë

Maqedonia e alarmuar, regjistrohen 13 raste të reja me…

20.02.2019 - 09:31

Maqedonia e Veriut ndodhet në gjendje alarmante. Shkak për këtë gjendje është bërë shtimi i numrit të rasteve me fruth.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë janë regjistruar 13 raste të reja me fruth.

“Bëhet fjalë për katër të rritur nga Shkupi dhe Velesi, mes të cilëve një grua 37-vjeçare është në gjendje më të rëndë klinike. Tre të rriturit e tjerë janë me status të panjohur të vaksinimit.

Janë pranuar edhe tre fëmijë mes të cilëve një fëmijë 1-vjeçar nga Tetova në gjendje të rëndë klinike, i cili është në shërim intensiv, një fëmijë 20 muajsh, i cili ka pneumoni dhe një foshnje katër muajsh nga Kumanova me pneumoni. Të gjithë fëmijët janë të pavaksinuar”, informojnë nga ministria.

Në Klinikën për sëmundje infektive janë shtruar 21 pacientë me fruth, prej të cilëve 7 të rritur dhe 14 fëmijë, shumica prej tyre nën moshën 1-vjeçare.

“Në Repartin për shërim intensiv përveç fëmijës në gjendje të rëndë është edhe një pacient i rritur në moshë 56-vjeçare, i cili është vendosur në aparat për ventilim mekanik dhe për të cilin gjatë ditës do të merret vërtetim nëse bëhet fjalë për fruth. Në ambulanca janë kontrolluar gjashtë pacientë të cilët janë lëshuar për shërim shtëpiak”, vijon njoftimi i ministrisë së Shëndetësisë në Shkup.