Në krijimtarinë letrare të Tolstoit, dy janë veprat që ai i konsideronte si pasqyrë e botës. E para është “Lufta dhe Paqja” në të cilën Tolstoi flet për raportin e shtetit me botën ndërsa vepra tjetër është “Ana Karenina” në të cilën Tolstoi flet për raportin mes familjes dhe botës.
Në një ndër intervistat e tij të rralla, ai është shprehur “…Them se tek Ana Kareninaunë dashuroj idenë e familjes, ndërsa tek Lufta dhe Paqja dashuroj idenë e popullit…”.Gjeneza e popullit është familja, prandaj vlera e Ana Kareninës mund të konsiderohet më e madhe se ajo e Lufta dhe Paqja.
Ana Karenina shfaqet si një personazh kompleks, të cilën vetvetiu më vjen ta krahasoj me Ema Bovarinë. Të dyja gënjehen nga dashuria, por dashuria gjen mënyra të ndryshme për t’i gënjyer. Kështu nëse Ema kërkonte dashurinë ideale, Ana kërkon dashurinë normale. Idea e punës mbizotëron të dy bashkëroshrtët, edhe te Sharl Bovari, edhe te kontin Aleks Aleksandroviç Karenin, prandaj, në asnjërin rast, gratë nuk mund të gjykohen. Veprimet e tyre të pamoralshme (Oskar Wilde ka thënë se në letërsi nuk mund të ketë gjykim moral) janë të shtyrë nga puna e tepruar e bashkëshortëve respektiv.
Ana Karenina në asnjë rast nuk e mohon familjen e saj. Ajo madje e do atë. E do shumë, por mundësitë e saja për t’iu përkushtuar janë të vogla. Ana ndodhet mes në zgjedhjeje shumë të vështirë. Duhet të zgjedhë mes sublimitetit të dashurisë për tjetrin, si ndjenjë universale dhe mbushëse, apo dashurisë për familjen, si ndjenjë komplekse në raportet familjare. Ajo bën zgjedhjen e parë. Kjo është liria e individit, zgjedhja. Prandaj asnjë zgjedhje, e bërë me liri të plotë, nuk mund të cënojë dinjitetin e personit (ose të personazhit letrar në rastin tonë).
Ana Karenina dhe bashkëshorti i saj kont nuk kanë atë marrdhënien që çdo vajzë e re ëndërron për bashkëshortin dhe çdo gura ia kërkon atij. Ato kanë një marrdhënie reciproke, ku konti dhuron mundësi për Anën, ndërsa Ana dhuron vetveten si grua për kontin. Prandaj zgjedhja e Anës si zgjidhje për jetën e saj nuk mund të quhet e gabuar. Ajo mendon se mjaft ka jetuar në reciprocitetin e marrdhënies bashkëshortore dhe kërkon diçka më shumë. Diçka ku nuk jep për të marrë. Ajo nuk e do dashurinë si tregti.
Dhe së fundmi, as bashkëshorti i saj konti Aleks Aleksandroviç Karenin nuk e gjykon Anën. Madje pas vdekjes tragjike, ai rrit fëmijën e tyre dhe fëmijën e saj. Kur vetë autori mohon paragjykimin karshi saj, cili kritik apo i vetëquajtur kritik mund ta bëjë diçka të tillë?!