MENU
klinika

Gjykata Administrative

Pasuritë ‘nxjerrin bllof’ 65% të gjyqtarëve

20.02.2019 - 20:22

Rreth 65% e gjyqtarëve të gjykatave administrative nuk arrijnë ta justifikojnë pasurinë të paktën për një vit të deklarimit të tyre.

Rrjeti investigativ BIRN konstatoi këtë të dhënë duke ndërmarë një analizë të thelluar të deklaratave të pasurisë së 48 gjyqtarëve të Gjykatave Administrative.

Pasuria e pajustifikuar nga të ardhurat neto evidentohet në 55 deklarata të Gjyqtarëve Administrativë ose në 9% të totalit të deklaratave të analizuara. Ajo kap një vlerë prej 110 milionë lekësh ose 15% të pasurisë totale të deklaruar. Listën e gjyqtarëve me probleme në justifikimin e pasurisë e kryeson Gjykata Administrative e Apelit me 21 deklarata. Ajo pasohet nga Gjykata Administrative e Gjirokastrës dhe më pas ajo e Tiranës.

Pse po ngec Vettingu?-konica.al

Sipas BIRN Testi i mësipërm i justifikimit të pasurisë nuk ka përfshirë minimumin jetik të gjyqtarëve dhe familjarëve të tyre. Nëse në këtë analizë do të llogaritej edhe minimumi jetik sipas INSTAT, vetëm 1 gjyqtar nga 48 që e kryejnë funksionin në Gjykatat Administrative do të arrinte të justifikonte pasurinë. Të dhënat e studimit sugjerojnë se mesatarisht çdo gjyqtar e ka rritur vlerën e pasurive të paluajtshme nga 1.5 milionë lekë në fillim të detyrës në rreth 10.4 milionë lekë vitin 2017.

Në këtë vlerësim nuk janë përfshirë pasuritë e paluajtshme të përfituara nga trashëgimia apo të dhuruara, për të cilat subjektet deklarues nuk kanë shënuar vlerë në formularin e deklarimit.

Dy kategoritë e tjera të mëdha janë likuiditetet në bankë dhe kursimet në Cash. Në fund të vitit 2017 rezulton se vlera akumulative e llogarive bankare është 185,1 milionë lekë, ndërsa ajo e likuiditeteve në Cash është 103,8 milionë lekë, duke përfaqësuar respektivisht 21.9% dhe 12.3% të vlerës totale të të gjitha aseteve të deklaruara.

Automjetet, të cilat zënë kryesisht kategorinë e pasurive të luajtshme zënë 4.3% të totalit të pasurisë me një vlerë prej 36 milionë lekësh. Por kategoria që ka pësuar rritjen më të madhe në krahasim me veten është huadhënia, e cila është rritur me 25 herë nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Të dhënat e analizës së BIRN tregojnë se gjyqtarët e Gjykatave Administrative mbajnë në formën e huave dhe të kursimeve rreth 14% të totalit të aseteve të tyre jashtë sistemit bankar, duke përfaqësuar dhe pjesën më “informale” të pasurisë së deklaruar të këtyre gjyqtarëve.