Opozita e bashkuar ka dalë me një reagim të përbashkët pas deklaratave të Policisë lidhur me protestën e nesërme dhe skenarët e dhunës.
Opozita thotë se koha e kërcënimit të shqiptarëve ka ikur dhe se skenari i dhunës gjendet tek zyra e Ramës.
DEKLARATA E OPOZITËS SË BASHKUAR
Opozita e Bashkuar dënon më forcë deklaratën e Policisë Politike dhe të Ministrit të fundit të Brendshëm të diktaturës komuniste për nxitjen e dhunës nga opozita në protestën e së enjtes para Kuvendit të Shqipërisë. Nëse ka një skenar dhune apo sulmi ndaj institucioneve, ky skenar gjendet në zyrën e Edi Ramës.
Të tilla thirrje nga Policia Politike e Edi Ramës janë të dala boje. Protesta e 16 Shkurtit provoi se mes protestuesve nuk ka kriminelë.
Opozita e Bashkuar njofton bandën në krye të qeverisë, Kuvendit dhe të Policisë se koha e kërcënimit të shqiptarëve ka ikur!
Edi Rama mund të ndryshojë axhendën e Parlamentit “339”, mund të arratiset vetë nga Tirana, por është i pafuqishëm të ndryshojë axhendën e popullit!
Sovrani do të ushtrojë nesër të drejtat e tij, në orën 10.00 para Parlamentit, i cili nuk duhet të mbetet peng i krimit dhe korrupsionit, por t’u kthehet sa më shpejt Shqipërisë dhe shqiptarëve.