MENU
klinika

“Il messaggero”

Rama: Qytetarët i kam me vete, pas protestës pushteti i vjetër

21.02.2019 - 13:49

Ashtu si për protestën e 16 shkurtit, kryeministri Edi Rama edhe këtë 21 shkurt ka zgjedhur të japë opinionet e tij për mediat italiane.

Në një intervistë për “Il Messaggero.it”, shpreh keqardhje që mediat italiane i kanë kushtuar kaq rëndësi zhvillimeve në Tiranë pasi sipas tij nuk kemi të bëjmë me protestë popullore por me një establishment që 5 vjet më parë u dëbua me 1 milion vota.

Rama: “Po çfarë proteste të popullit! Këtu nuk jemi ballafaquar me xhaketa të verdha ose me studentë, sindikata apo forca të tjera shoqërore. Kjo është protesta e organizuar e establishmentit që 5 vjet më parë është larguar me 1 milion votues. Më vjen keq që mediat italiane i kanë dhënë aq shumë rëndësi një manifestimi të opozitës në të cilën u nxit dhunë e padëgjuar. ”

Ndërsa intervistën Rama e dha para fillimit të protestës, ai foli dhe për masat e policisë.

Por sheshi do të jetë plot. Cilat janë udhëzimet që i keni dhënë policisë?

Rama: “Çfarë do të thuash, që kanë dalë 10-15 mijë persona në një vend, me 4.2 milionë banorë?Unë nuk jap udhëzime, unë nuk jam kreu i policisë apo Ministri i Brendshëm, nuk është kompetencë e imja të menaxhoj sipas ligjit një manifestim. Policia të shtunën ishte fantastike dhe nuk pati asnjë demonstrues të lënduar në vendin ku shumë vite më parë, në vitin 2011, katër demonstrues u qëlluan në rrugë nga dritaret e ndërtesës”.

Po i referoheni kohës kur Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike, ishte Ministër i Brendshëm?

Rama: “Unë kurrë nuk flas për kundërshtarët e mi në një gjuhë të huaj, edhe nëse është gjuha e gjyshes sime. Që kishte origjinë italiane “.

Opozita është larguar nga Parlamenti. Si do të vazhdojë?

Rama: “Ma thoni ju, edhe ju keni kaluar nëpër një fazë të re të një opozite ndryshe dhe që tani është në qeveri, por kurrë nuk e kam dëgjuar të kërcënojë me djegien e mandateve parlamentare”.

Sali Berisha, lideri historik i Partisë Demokratike, ju akuzon për mashtrim zgjedhor.

Rama: «Para zgjedhjeve të një viti e gjysmë më parë, edhe pse kishim shumicën, pranuam një kompromis në mënyrë që opozitës ti jepnim gjysmën e qeverisë, përfshirë Ministrin e Brendshëm.Ai konfirmoi rezultatet pa asnjë kundërshtim.