Kryetari i PD, Lulzim Basha do mbledhë menjëherë Kryesinë e partisë pas kthimit nga Vjena.
Në mbledhje pritet të diskutohen hapat që do ndërmarrë Partia Demokratike për vijimin e protestës. Nga 21 shkurt 2019 deputetët e opozitës nuk janë më në parlament.
Gjatë protestës së të enjtes, nën thirrjen “Rama ik” dhe të shoqëruar nga mijëra mbështetës, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe deputetët e grupeve parlamentare të opozitës dorëzuan zyrtarisht mandatet në kryesinë e Kuvendit.
Më heret, në një prononcim për Deutsche Welle-n Ministria e Punëve të Jashtme thotë se “platforma e duhur për zgjidhjen e konflikteve politike është parlamenti.”
“Po i ndjekim me shumë vëmendje zhvillimet aktuale politike në Tiranë. Bojkotimin e Parlamentit dhe në veçanti dorëheqjen e deputetëve e konsiderojmë të gabuar. Platforma e duhur për të zgjidhur konfliktet politike është Kuvendi. Ngecja në vend nuk është opsion për Shqipërinë e sidomos kur Shqipëria është në pritje të vendimit të BE-së për çeljen e negociatave të anëtarësimit”, thuhet në deklaratë.