Ajo vazhdon të shkëlqejë, turne pas turneu. Majlinda Kelmendi ka fituar medaljen e artë edhe në Grand Slamin e Dusseldorfit në Gjermani.
Xhudistja kosovare ka dominuar absolutisht ndaj kundërshtareve të saj. Në finale, kampionia olimpike e ka mposhtur xhudisten nga Mongolia, Sosorbaram Lkhagvasuren.
Me këtë rast, xhudistja pejane e fitoi medaljen e dytë të artë në vitin 2019 pas asaj të fituar në Grand Prix të Tel Avivit.
Në gjysmëfinale, Kelmendi e kishte mposhtur xhudisten italiane Odette Giuffrida me ippon në kategorinë deri në 52 kilogramë. Majlinda e kishte mposhtur italianen edhe në finalen e madhe të Lojërave Olimpike “RIO 2016”.
Në Grand Slamin e Gjermanisë po marrin pjesë 683 garues nga 97 shtete. Grand Slami është i vlefshëm për pikë Olimpike “Tokio 2020”.