MENU
klinika

Zbulon kalendarin e protestave

Basha pas takimit me PPE: Zgjedhjet janë prapa dere

23.02.2019 - 09:35

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka kërkuar anëtarësisë të PD-së të mobilizohet dhe të jetë e përgatitur, pasi vendi shumë shpejt sipas tij, do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Basha ua komunikoi këtë kërkesë anëtarëve të Kryesisë së PD-së pak orë pasi kishte ardhur nga Vjena, ku u takua me përfaqësues të Partive Popullore Europiane.

Në mbledhjen e Kryesisë, Basha mësohet të jetë shprehur se “zgjedhjet janë prapa dere”. Për këtë arsye, kryedemokrati kërkoi nga demokratët një ndërthurje mes aksionit qytetar dhe protestave që do të zhvillohen në të gjithë vendin dhe prezantimit të alternativës që PD-ja do të japë për qytetarët shqiptarë.

“Duhet që të bëjmë një ndërthurje mes aksionit qytetar përmes protestave dhe prezantimit të alternativës sonë për qytetarët. Për secilin nga sektorët kyç do të ketë një grup pune, si në PD ashtu edhe në bazë, ku në mënyrë të organizuar do të kemi një komunikim intensiv me qytetarët. Do të kemi grup pune për shëndetësinë, arsimin, investimet publike ku përmes alternativës sonë, të bëjmë diferencën me gjithçka të dëmshme që kjo qeveri u ka ofruar shqiptarëve. Ky aksion ka nisur me djegien e mandateve tona dhe do të vijojë me të njëjtin intensitet edhe në ditët në vijim. Askush nuk duhet të harxhojë asnjë një minutë, pasi mund të jemi me zgjedhje mbrapa dere”, mësohet të ketë thënë Basha.

Pas dy protestave të mëdha të zhvilluara në Tiranë, PD-ja dhe aleatët e saj do të organizojnë dhe mbështesin protesta në të gjithë vendin. Basha pas mbledhjes së Kryesisë foli për një kalendar protestash, që do të mundësojnë largimin e Ramës.

“Pas djegies së mandateve dhe deklarimit ilegjitim të Kuvendit të Shqipërisë dhe produktit të tij kriminal, bandës hajdutokriminale të Edi Ramës. Në këtë kuadër, vendimi i parë i Kryesisë ka të bëjë me hartimin e një kalendari protestash popullore, të shtrira në të gjithë vendin dhe, natyrisht, protestave kombëtare në Tiranë, për të cilat, në ditët në vijim, Kolegji i Kryetarëve dhe Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike do të marrin vendimet përkatëse të organizimit, të kalendarit, të datave, të mobilizimit mbarëqytetar për të vazhduar protestat mbarëpopullore për largimin e Maduros së Ballkanit”, deklaroi kreu i PD-së.

Partia Demokratike do të përgatitet për përzgjedhjen e kandidatëve në zgjedhjet vendore, të cilat sipas Bashës mund të jenë në të njëjtën kohë me ato parlamentare.