Oreksi i shqiptarëve për të investuar kursimet në euro jashtë vendit u ul gjatë vitit të kaluar.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, asetet e fondit të investimeve Raiffeiesen në euro ranë në 10.3 miliardë lekë, rreth 30% më pak krahasuar me fundin e vitit 2017.
Në një pjesë të vogël, rënia i detyrohet pjesërisht edhe forcimit të lekut në kursin e këmbimit ndaj euros, mbiçmim që vlerësohet rreth 7% gjatë vitit. Ky fond është ndër të paktat alternativa investimi financiar të euros përmes institucioneve financiare shqiptare.
Ai i investon fondet kryesisht në letra borxhi të qeverive të huaja dhe korporatave të rëndësishme europiane. Përmes këtij fondi, kursimet e shqiptarëve në euro rezultojnë të investuara në disa prej kompanive të mëdha globale, si Anheuser-Busch, Nestle, Vodafone, Sanofi-Aventis, Daimler, Statoil, Carrefour, etj.
Megjithatë, në masën dërrmuese shqiptarët vazhdojnë të preferojnë depozitat bankare për mbajtjen e kursimeve në euro. Në fund të vitit të kaluar, depozitat në monedhën europiane arritën vlerën e gati 4.1 miliardë eurove, 11% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Pavarësisht interesave praktikisht në zero, madje edhe një zhvlerësimi të ndjeshëm të monedhës europiane kundrejt lekut, shqiptarët vazhdojnë t’i besojnë kryesisht euros si monedhë kursimi.