Pas dorëzimit të mandateve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është drejtuar me një kërkesë Kuvendit që të bëjë specifikimet për vakancat.
Tre ditë pasi iu dorëzuan kërkesat për dorëheqje nga mandati i deputetëve të opozitës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ktheu një tjetër kërkesë Kuvendit të Shqipërisë, për të marrë më tepër shpjegime prej tij mbi dokumentet e dërguara.
KQZ kërkon saktësim, pas konsatimit të paqartësive të specifikimeve ligjore në dokumentin ku kërkohet nisja e procedurave për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr.
Sipas KQZ, 56 njoftimet për dorëheqjen e të deputetëve të opozitës nuk janë korrekte, pasi në to nuk përcaktohet krijimi i vakancave, sikundër parashikon ligji zgjedhor. Për referencë, në shkresën që Kuvendi i ka dërguar KQZ më datë 7 Maj 2018, pas dorëzimit të mandatit të deputetit nga Saimir Tahiri, i kërkohej KQZ-së zëvendësimi i deputetit Tahiri me kandidatin e listës së Partisë Socialiste, pas konstatimit të vakancës.
Ndërkohë në dokumentet që i janë dërguar Komisionit për zëvendësimin e deputetëve të opozitës, nuk specifikohej krijimi i vakancës. Edhe pse shkresat kanë të njëjtin objekt, dorëheqjen nga mandati, hartimi i tyre ka vend për intepretim.
Kodi Zgjedhor përcakton formulën e zëvendësimit të deputetëve që kanë vendosur të ndërpresin mandatin. Ligji thekson se mandatet e dorëzuara nga deputetët plotësohen me kandidatët pasues të listës shumëemërore.