Të afërmit e familjeve Musta dhe Caushaj, janë paraqitur përsëri përpara Gjykatës së Fierit për të kërkuar kujdestarinë e dy fëmijëve të mitur 3 dhe 10 vjeç, të cilët mbetën jetim pasi Gazmend Musta vrau bashkëshorten e tij Gentiana Caushaj dhe motrën e saj Merisa.
Edhe Gazmend Musta, autori i ngjarjes, ishte i pranishëm në seancë, i shoqëruar nën masa të forta sigurie. 12 Marsi pritet të jetë dita e seancës së fundit gjyqësore, ku pritet të jepet vendimi për kujdestarinë e fëmijëve.
Mësohet se përfaqësuesja e fshatit Sos, ka deklaruar gjatë seancës se kërkohet intervista e të miturës, pa prezencën e palëve, pasi gjendja e saj mund të agravohet. Gjithashtu është kërkuar që në seancën e radhës të jetë e pranishme edhe vajza J.Musta.
Gjysmir Caushaj, i cili është daja i të miturve dhe gjyshërit e fëmijëve, nga babai, Bedri dhe Lumturi Mustai kërkuan kujdestarinë e vajzës dhe djalit të motrës së ndjerë. Mësohet se gjyqtare e çështjes është Arta Duka, e cila i ka lënë edhe pak kohë palëve për të dhënë provat e kërkuara, të cilat lidhen me kujdestarinë e vogëlushëve.
Edhe në seancën e parë përgatitore, që u zhvillua në 4 shkurt, qëllim ka qenë sqarimi i rrethanave të çështjes, ku i pranishëm ka qenë po ashtu edhe vetë autori i ngjarjes Gazmend Musta.