Kompozitori i njohur Krajka, për sa e sa këngë që zënë një vend nderi në repertorin e muzikës së lehtë shqiptare, po ashtu i shumë filmave artistikë, ishte i ftuari i nderit dhe protagonist i mbrëmjes gala “Të gjithë e duan Agim Krajkën”.
Shkodra e kulturës dhe humorit, e priti siç i ka hije, këtë emër dhe figurë të rëndësishme në gurët e themelit të muzikës së lehtë ndër vite.
Teatri “Migjeni”, në sallën e tejmbushur me spektatorë, jehoi nën muzikën dhe ritmin e krijimtarisë së artistit Krajka, vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit”, për kontributin e madh e të çmuar për muzikën origjinale shqiptare.
Mes publikut e gjetën veten edhe brezat që u frymëzuan dhe jetuan rininë e tyre, me melodinë e këngëve, si: ”Lemza”, “Djaloshi dhe shiu”, “Kënga e gjyshes”, “Kur këndoje ti” dhe e famshmja “Kafe Flora”.
Shumë i emocionuiar, Agim Krajka përcolli një mesazh për artistët e rinj shqiptarë, që rreken të bëjnë art, pa qenë shumë të kujdesshëm në raportin masë-cilësi, apo formë-përmbajtje.
Agim Krajka: Artistët e rinj sot, e kanë shndërruar profilin e krijimtarisë, për fat të keq ata janë të pashkolluar… Nuk mund të shkruhet një roman, nëse ende nuk di alfabetin” – është shprehur kompozitori.
Shumë i përkushtuar pas krijimtarisë muzikore, Krajka është i njohur edhe për tendencat e reja muzikore, që ai ka ditur t’i sjellë pa cënuar aspak origjinalitetin e muzikës shqiptare dhe burimin e saj.
Mbrëmja gala kushtuar Agim Krajkës, kishte rezervuar si këngë përmbyllëse të preferuarën e kompozitorit: “Këngët e rinisë”!