Astrit Patozi komentoi situatën politike të krijuar në Shqipëri pas djegies së mandateve nga ana e opozitës.
Patozi u shpreh se nëse nuk ndërhyjnë ndërkombëtarët, do të ketë ‘re të zeza’ për Shqipërinë.
“Shqipëria është një precedent botëror për keq, unë do të dëshiroja që ne ta evitonim eskalimin e situatës. Unë nuk besoj në asnjë rast se ne mund të shërbejmë si shembull pozitiv. Tani që zaret janë hedhur mendoj që e vetmja shpresë është ndihma e partnerëve ndërkombëtarë që mund të shërbejnë si zjarrfikës për të shuar zjarrin.Unë besoj që çështja e integrimit kalon në plan të dytë.
Ne duhet të evitojmë përshkallëzimin e situatës, që me shumë gjasa mund të ndodhë sepse bijtë e shqipes i kanë nxjerrë shpatat nga milli dhe në rast se nuk do të ketë një ndërhyrje energjike të partnerëve ndërkombëtare për t’i gjetur një zgjidhje, e cila edhe mund të vonojë, por që nuk është e pamundur, unë parashikoj re të zeza për Shqipërinë. Unë pres veprimin dhe aksionin e tyre që mbase mund ta frenojë rënien e karrocës tonë që sot është pa frena”, deklaroi Patozi.
Në lidhje me djegien e mandateve nga opozita, Patozi tha se kjo nuk e zgjidh problemin e Shqipërisë duke shtuar se probemi është sistemi politik, i ndërtuar nga Rama dhe Basha.
“Unë mendoj se kjo është një krizë e sistemit. Pra sistemi ynë politik ka degraduar, ka dhënë shenja, ka kërcitur, është plagosur, por unë besoj që është drejt një vdekje klinike. Nuk është ora sot për të gjetur përgjegjësit. Unë besoj që kjo është një krizë e thellë e sistemit tonë, e cila nuk zgjidhet dot as me qeverinë tranzitore që kërkon Basha dhe as me atë që “karvani shkon përpara” që thotë Rama.
Unë besoj se të dy janë përgjegjës për këtë pikë ku ka mbërritur sistemi jonë politik dhe besoj se e vetmja zgjidhje është një marrëveshje e madhe, jo vetëm mes partive, por një kontratë sociale e shqiptarëve për një kushtetutë të re dhe për një sistem politik të ri, të rindërtuar.” theksoi ish-demokrati.