Ndahet nga jeta Sadije Agolli, bashkëshortja bashkudhëtare jete e shkrimtarit “babaxhan”, mjeshtër i letrave shqipe, Dritëro Agolli.
Sadije Agolli u nga nga jeta në moshën 76-vjeçare, dy vjet pas humbjes së bashkëshortit. Mësohet se Sadije Agolli, u nda nga jeta në spitalin e neurologjise, për shkak të një hemorragjie cerebrale.
Prej dy vitesh, Sadija, kishte provuar të jetonte pa shokun e saj të jetës, jo pa e përshkruar këtë dhimbje.
Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të Dritëroit, Sadija nxori në dritë “Dashuri në moshën e Krishtit”, duke iu referuar moshës së Dritëroit, kur ata ishin njohur.
Libri mbart copëza kujtimesh nga jeta e tyre, kujtime që Dritëroi – siç shkruante ajo – do t’i kthente jo rrallë, në vargje.
Dritëro Agolli është ndarë nga jeta dy vite më parë.
SADIJE AGOLLI
Harmonia familjare mund të prishet edhe nga një gjë fare e vogël në dukje, nga gjaknxehtësia, nga indiferenca, nga ndonjë veprim i pamenduar. Prandaj çifti, sidomos kur nuk janë njohur mirë, duhet të kenë kujdes të përbashkët. Po kujtoj një nga ngjarjet që më shkaktoi shumë dilema për zgjedhjen time. Kjo ka ndodhur 45 vjet më parë, ngjarje të cilën e kam gjallë edhe sot që kam mbushur 75 vjeç. Jetonim në apartamentin me dy dhoma dhe një kuzhinë të vogël në pallatin karshi ndërtesës së “Zërit të Popullit”, qysh në vitin 1965 kur u martuam.
Po e përshkruaj ngjarjen siç më ka mbetur në kujtesë. Duhet të kem qenë 27 vjeç, ndërsa Dritëroi, burrë i pjekur, 38-vjeçar. Elona ishte e vogël, e dërgoja në çerdhe. Sa kisha mbetur shtatzënë me Artanin, 2-3 muajshe. Pleqtë e Dritëroit, babai Riza dhe nëna Xhexhe (Hatixhe) që jetonin me ne, nuk ishin atë ditë në shtëpi, kishin shkuar nga vëllai i Dritëroit, Tajari, për drekë.
Sapo u ktheva nga shkolla e mesme “Partizani”, ku isha mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe, e lodhur. Ngrihesha që në orën 4 të mëngjesit për të blerë qumështin, pasi zinim radhë. Ishin kohë të vështira për të siguruar ushqimet e ditës. Dritëroi si gazetar dhe poet ishte mësuar me një jetë të lirë prej bohemi. Erdhi i gëzuar me një shok dhe duke thirrur që sapo hapi derën e shtëpisë, m’u drejtua: -Ç’bën nusja ime e bukur, të lodhën nxënësit çamarrokë? Të kam sjellë dhe një shokun tim për drekë, se nuk kishte ku të shkonte i shkreti.
Sot jemi dhe vetëm, pa pleqtë, kështu që do të gëzohemi cazë. Verën e kam sjellë. Është verë Kallmeti, nga Shkodra, qyteti yt, që na përmend gjithnjë. Do të gëzohemi bashkë me Vangjushin (shoku i tij, Vangjush Zallëmi, gazetar te “Zëri i Popullit”). Kishin pirë disa gota konjaku në klubin e gazetarëve dhe ishin çakërrqejf e llafazanë. -Sa të shohim disa libra në dhomën tjetër, nusja ime përgatit tavolinën dhe na thërret për t’u shtruar të tre së bashku, që të gëzohemi në këtë kohë të mërzitshme. Dhoma e pritjes, siç e quanim, kishte një bibliotekë të pasur, sidomos me libra dhe revista në gjuhën ruse, me një raft me pasqyrë të madhe alla Burbone, franceze, me kolltukë të mëdhenj. Ishte dhe një akuarium me peshq të vegjël të kuq.
Unë isha aq e lodhur, sa doja vetëm të pushoja, të rrija shtrirë dhe mos të flisja. U ngrita nga krevati, shtrova tavolinën me ato ushqime që kisha përgatitur ndërsa shishet e verës i mora dhe i derdha në banje. U shtriva përsëri, pasi lajmërova Dritëroin për tavolinën e shtruar. Zhurmonin të dy, duke më lavdëruar për drekën. – Po shishet e verës ku janë? Mos u kanë dalë krahët dhe kanë fluturuar për në Shkodër ?! – bënte humor Dritëroi. Në dhomën e gjumit erdha në vete për atë që kisha bërë, por tani nuk ç’bëhej. Super lodhje nga puna, nga thashethemet për Dritëroin qejfli i pijes, që kishte disa ditë që pinte dhe binte në gjumë pasdrekeve, të tëra këto kishin bërë punën e tyre, derisa humba logjikën; isha edhe grua e re, pa përvojë.
Isha rritur në një familje kur përveç kafes, nuk pihej pije nga asnjëri. Nuk njihja zakonet e Shqipërisë jugore dhe sidomos të fshatrave. – Na nxirr verën tani, se nuk na shijon dreka e mirë që ke shtruar. Vangjushi i gjorë mezi ç’pret për të pirë gjakun e Krishtit – më fliste Dritëroi te krevati. – Unë e derdha në banje, atje i ke shishet – iu përgjigja me një farë ndrojtjeje. – Po unë i hapa shishet për të pirë verën me Vangjushin! Si mund t’i derdhësh në banje? – u nxeh Ai dhe më kapi për flokësh, duke më rënë dy shpulla të forta. Unë ngriva.
As nuk qava, as nuk bërtita, por vetëm qëndroja e ngrirë në krevat, pa lëvizur. Dritëroi mbeti në këmbë pranë meje dhe më shihte i hutuar. Vangjushin e dëgjova, që thërriti: “Ika unë Dritëro.” Dritëroi u hodh tek unë në krevat dhe më tundte, ndërsa unë kisha ngrirë, as lotë, as fjalë nuk nxirrja. Atëherë Ai u ngrit dhe u ngjit një kat më lart tek shoqja ime e shkallës, Xhina Tanini, gruaja e Niko Taninit. Me atë ndanim shpeshherë shqetësimet e jetës së përditshme. Kisha shumë vite, që nuk kisha provuar shpulla ose shkulje flokësh.
Babai ishte autoritar në shtëpinë me 10 fëmijë, por vetëm na bërtiste, na shante kur bënim prapësira, ose kur nuk shkonim në shkollë. Ai sa nevrik ishte, aq i dashur dhe fjalë të ëmbla na thoshte. Me nënën nuk e kishim dëgjuar të zihej. Mbyllej me atë në dhomë dhe i shprehte pakënaqësitë që kishte, shkarkonte lodhjen e ditës. Nënën e kisha parë të qante fshehurazi ose nxirrte rrobat tona dhe i lante në një legen të madh te rrasa e pusit. Aty me lodhjen e të larave, shkarkonte dufin e mbledhur nga ne fëmijët, nga im atë dhe nga të tjerët.
Porosia e vetme që më dha kur u martova ishte: “Mos mbaj në shpirt asgjë. Kur ke dëshpërim, nxirre jashtë, mos e mbaj brenda helmin, por përpiqu mos të shohin, se nuk arrin të shkarkohesh dhe të qetësohesh. Shko në ndonjë vend, ku të jesh vetëm me veten tënde, shaji, nxirre atë që të mundon”, – më kishte porositur ajo. Ashtu e ngrirë kujtoja vetëm nënën time, që i kishte bërë ballë jetës me 10 fëmijë. Çdo 1 vjet e gjysmë lindte mes dhimbjeve për të nxjerrë një krijesë, pale pastaj t’i mëkëmbte dhe t’i rriste; me një burrë fanatik që ia kursente fjalët e ëmbla, që punonte në shtëpi dhe në bahçe, madje gjente kohë të lirë për të mbjellë edhe lulet. Në atë gjendje më gjeti shoqja ime, Xhina, të cilën e thërriti Dritëroi.
Ajo erdhi e tronditur, se nuk kishte ndodhur asnjëherë që Dritëroi të ngjitej në apartamentin e saj. “Sadija është pak e sëmurë dhe nuk flet. Ulu, po deshe, poshtë, që ta shohësh, mos ka nevojë për ndonjë gjë – i kishte thënë”. Xhina sapo erdhi, u lëshua tek unë në krevat, më tundte, më fliste pa pushim, më përkëdhelte me fjalë dhe me duar. “Ja sa të bukura të janë bërë flokët e tua të zeza dhe kaçurrela. Fol një fjalë. Ke harruar të flasësh. Foli Xhinës tënde. Çfarë të ka ndodhur?”, më tundte ajo mbi krevatin bashkëshortor.
Ndërsa Dritëroi sillej vërdallë sa në dhomën e gjumit, sa në studio, duke marrë ndonjë libër a revistë në dorë. Atë natë, të vetmen gjatë 52 vjetëve, e kaluam të ndarë, në dy dhoma (nuk ishin pleqtë në shtëpi), pa fjalë. Këtë ngjarje ia tregova vjehrrës, Xhexhesë dhe nënës time Fatushe. Xhexheja më tha: “Edhe ti merr zjarr si pushka e jevgut”. Ndërsa nëna ime, si nënë më këshilloi: “Burri, sado i shkolluar të jetë, mbetet burrë, prandaj s’duhet t’ia prishësh, deri sa e detyron të të godasë. Ja, pse unë flas shpesh me vete. Ju shaj juve, të gjithëve. Edhe Qerimin (tim atë) e shaj. Shpërthe, asnjëherë mos mbaj në shpirt pakënaqësitë, pastro shpirtin, se vuan më shumë, e mbyll në vetvete dhe ngrin siç ke ngrirë ti.
I bën dëm edhe vetes, edhe Dritëroit që bëri gabim me ty. Kështu lehtësohesh dhe i sheh gjërat më me gjakftohtësi”, më foli ajo si filozofe, por këto leksione i kishte nxjerrë nga përvoja e jetës së gjatë me fëmijët dhe babain fanatik, dogmatik, i cili e mbante të mbyllur në shtëpi me ferexhe dhe perçe dhe më vonë me benevrekë e shami në kokë. Kjo histori u mbyll dhe nuk e kujtuam asnjëherë. Dritëroi i ka shprehur në shumë poezi gjatë viteve, përjetimet e veta për këtë ndodhi, që përsëritet në jetën e çdo çifti. Unë do të citoj një poezi, që më kujton ngjarjen: “Para dhe pas shkreptimës”, të cilën e zgjodha mes shumë poezive të tjera:
Para dhe pas shkreptimës
Një qetësi e tmerrshme ra mbi tokë
Dhe s’pipëtinë zogj e bar e gjeth
Veç kuvendonin kokë më kokë
Këto stratege shirash e rrufesh.
Pastaj e hodhi blozën errësira,
Çdo gjë e ndali frymën dhe u tkurr,
Veç ndonjë gur shkëputej nga rrëpira
Dhe ankthi i rëndë ngrihej si një mur.
Të dukej se në heshtje diçka ziente,
Të dukej se të fshehta ishin grindjet
Dhe pritej një tronditje të shpërthente
Dhe me rrëmbim të hynte gjer në indet.
Por shkreptiu dhe malet kryelartë,
Si perandorë u ngritën prapë në fron;