Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka pranuar kërkesën e Partisë Socialiste për të mos lejuar më kandidimin në zgjedhjet e 2019-ës të kryebashkiakëve që i kanë 3 mandate në detyrë.
Miratimi i kërkesës së PS kërkonte 5 vota nga anëtarët KQZ, por pro saj votuan katër anëtarë dhe një prej tyre kundër, duke bërë që kërkesa të rrëzohet, pas votës kundër të kreut të KQZ Klement Zguri.
KUSH ISHIN KRYEBASHKIAKET QË RREZIKONIN
E nisim nga më i përfoluri. Nëse një gjë e tillë do të miratohej, kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, në detyrë që prej vitit 2006 do të duhet t’i thoshte lamtumirë këtij posti. Po ashtu pas tij ikte edhe kryebashkiaku i Elbasanit Qazim Sejdiu, i cili e drejton bashkinë që nga viti 2007.
Ndër të penalizuarit do ishte edhe kryebashkiaku i Policanit, Adriatik Zotkaj që qëndron në detyrë që prej vitit 2004. Pak më i hershëm se ai është edhe Gëzim Topçiu në Maliq, i cili drejton bashkinë nga viti 2000. Ai ka fituar zgjedhjet në vitin 2000, 2003, 2007, 2011 dhe 2015.
Ndërsa nga kampi i Partisë Demokratike, do të digjej Fiqiri Ismaili i Vorës, i cili e drejton këtë bashki që nga viti 2003 dhe Xhelal Mziu i Kamzës.
LISTA
1.Vangjush Dako (Kryebashkiak i Durrësit), 2. Qazim Sejdini (Kryetari i Bashkisë Elbasan), 3. Xhelal Mziu (Kryetari i Bashkisë Kamëz), 4 Gëzim Topçiu (Kryetari i Bashkisë Maliq), 5. Adriatik Zotkaj (Kryetari i Bashkisë Poliçan) 6. Edmond Themelko (Kryetari i Bashkisë Pustec) 7. Fiqiri Ismaili (Kryetari i Bashkisë Vorë) 8. Shuaip Beqiri (Kryetari i Bashkisë Konispol)
Ndërkohë e paqartë është situata për tre kryetarët Bashkive, Zef Hila Vaui i Dejës (PD) Agron Kapllanaj, Mallakastër (PD) Nesim Spahiu, Çorovodë (LSI), pasi kanë drejtuar njësi të pushtetit vendor para ndarjes territoriale.