MENU
klinika

Ubi Spiritus Domini, ibi libertas

“Hylli i Dritës”, pak dritë në errësirën e prapambetjes

30.08.2018 - 11:32

Nga Andreas Dushi

Ishte viti i parë i pavarsisë kur Át Gjergj Fishta bashkë me françeskanët e tjerë krijuan revistën e njohur letrare, artistike, kulturore e studimore “Hylli i Dritës”. Në gjithë ekzistencën e vet, “Hylli i Dritës” njohu peripeci të pafundme. Botimi i saj u ndalua disa herë për arsye të ndryshme, kryesisht politike, por vlerat që përçoheshin prej saj nuk u harruan. Nën zë lexoheshin poezitë e Át Vinçenc Prennushit kur errësira komuniste nuk e lejonte “Hyllin e Dritës” të ndrinte lirisht. Pranë vatrave lexoheshin “Prrallat Kombtare” të cilat, para se të botoheshin sëbashku në një libër, qenë shkruar te Hylli. Ithtarët e Fishtës me mburrje lexonin letrën e tij drejtuar Hilë Mosit kur ky i fundit e kishte kundërshtuar në disa pika. Por cili ishte kontributi i drejtëpërdrejë që Hylli i dha Shqipërisë?

“Hylli i Dritës” ishte i ndarë në disa nënkategori ku dy më kryesoret, njëlloj si motoja e françeskanëve, ishin Fe dhe Atdhe. Përpos kësaj, aty botoheshin studime historike, gjuhësore e letrare. Rëndësi shumë të madhe patën botimet folklorike ku përfshihen “Kanuni i Lekë Dukagjinit” mbeldhur prej Át Shtjefën Gjeçovit dhe “Prralla Kombtare” mbledhur nga Át Donat Kurti.

Periudhat e botimit të Hyllit janë disa. E para i përket viteve 1913-1914 kur Hylli filloi të njihej kombtarisht. Gjatë këtij viti u diskutua aftësia e shqiptarëve për t’u vetëqeverisur. Këto shkrime të cilat cënonin autoritetin e Fuqive të Mëdha, për të cilat Fishta në “Lahuta e Malcis” shkruan “O Evropë, ti kurvë e motit/Që i re mohit besës t’Zotit”, i shtynë që me anë të një politike intrigante ta mbyllnin atë, si e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga fuqia e penës së atë Gjergjit pasi ky i fundit shkroi “Nji komedi e pandershme e shekullit XX” duke shigjetuar Fuqitë e Mëdha.

Periudha e dytë i takon viteve 1921-1924 në të cilën u trajtuan aspekte kulturore, politike, arsimore e kombëtare. Kjo periudhë cilësohej nga Hylli si peridha më demokratike e historisë së shtetit të ri Shqiptar, por gjithçka mbaroi në dhjetorin e 1924-ës kur, pasi u përmbys regjimi i Ahmet Zogut nga lëvizja e Fan Nolit, Zogu u kthye sërish në pushtet. Kësisoj françeskanët e ndërprenë botimin e Hyllit duke pritur një moment më të favorshëm.

Periudha e tretë i takon viteve 1930-1944 e cila mund të cilësohet si periudha më e ndritur e Hyllit të Dritës. Gjatë kësaj periudhe, Hylli u vlerësua me çmime kombëtare e ndërkombëtare, ndërkohë që temat e lëvruara sa vinin e zgjeroheshin.

Autorët e studimeve nuk ishin vetëm shqiptarë, por edhe të huaj ku veçohen Norbert Jokl, Georg Stadtmüller e të tjerë. Ndër botuesit shqiptarë u dallua Át Anton Harapi i cili shkroi në vitin 1944 një analizë tepër të mprehtë mbi çështjen shqiptare.

Por gjithë kjo histori e lavdishme kulture e shkence u ndërpre me ardhjen e komunizmit. Në vitin 1944 u ndalua çdo aktivitet privat dhe u sekuestrua çdo shtypshkronjë në rang kombëtar. Kështu edhe botimi i “Hyllit të Dritës” reshti përkohësisht duke shënuar “Të premten më të zezë”, pas së cilës “E Diela më e bardhë e pashkës” do të vinte në vitin 1993 kur, me insistimin e Át Zef Pllumit do të niste rishtasi botimi i “Hyllit të Dritës”.

Hera e fundit kur botimi u ndërpre ishte viti 1997 kur Shqipëria përjetoi anarkinë.

Në vitin 2013, me rastin e 100 vjetorit të botimit të “Hylli i Dritës”, drejtori i asaj kohe Ardian Ndreca shprehej se “Hylli bën përpjekje që të ecë me kohën, t’u përgjigjet sfidave me gjuhën e shkencës, duke prekur fushat si gjuhësia, albanologjia, historia e të tjera.”

“Hylli i Dritës” ka dhënë, po jep e padyshim edhe do të japë në të ardhmen kontributin e patjetërsueshëm në krijimin e një identiteti shqiptar në çdo fushë.

Në të mbramin çast të jetës, janë lapidare fjalët e Gjergj Fishtës: “Hylli të vazhdojë”. Ky ishte amaneti i tij. Ata që e mabjtën qenë shkrimtarët e studiuesit si Rrota, Prendushi, Harapi, Xoxa, Sirdani, Shantoja, Mjeda Kurti, Kamsi, Logoreci e të tjerë.

Pak ditë më parë, Át Vitor Demaj njoftoi botimin e numrit më të fundit të Hyllit duke na bërë me dije se: “Në ketë numër do të mund të lexoni studime të studiuesve të njoftun mbrenda dhe jashtë Shqipnie. Hylli në ketë numër sjellë kontribute të çmueshme ndër të gjitha lamijet e kulturës shqiptare.”

Kështu Hylli mbeti një yll i ndritshëm në historinë e publicistikës shqiptare, i denjë të krahasohet me revistat simotra në Evropë.

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB