Zëdhënësi i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag për politikat evropiane, Florian Hahn, ka reaguar sërisht për krizën politike në Shqipëri, pas djegies së mandateve parlamentarë nga opozita. Në intervistë ekskluzive për Deutsche Welle, Florian Hahn thekson se bojkotimi i parlamentit shënon për Shqipërinë një hap të madh prapa.
“Zakonisht ka një pasardhës për dikë që lëshon një mandat. Në se ka njerëz të arsyeshëm që janë në gjendje ta bëjnë këtë, atëherë këta duhet të zënë vendet e mbetura bosh” shprehet Hahn për DW ndërsa këshillon të braktiset rruga e nisur.
Deutsche Welle: Zoti Hahn, disa ditë më parë, ju patët një deklaratë për Shqipërinë, ku kritikonit hapin e opozitës për dorëzimin e mandateve. Cilat ishin reagimet që morët nga partia partnere juaj në Shqipëri?
Florian Hahn: Kam marrë disa reagime, por jo direkt nga partia jonë partnere.
Deutsche Welle: Pra, ju nuk keni aspak mirëkuptim për këtë hap të opozitës?
Florian Hahn: Unë kam mirëkuptim për demonstrata paqësore, për protesta paqësore, por është e gabuar të bojkotohet pikërisht ai vend ku duhet të zhvillohet debati politik në një demokraci, pra, parlamenti.
Deutsche Welle: Por opozita pretendon se nuk mund të kryejë më rolin e saj kontrollues në parlament, se nuk dëshiron t’i shërbejë qeverisë vetëm si fasadë.
Florian Hahn: Më kujtohet fare mirë, kur Partia Demokratike ishte në pushtet dhe socialistët bojkotonin parlamentin. Unë e kam kritikuar atëherë këtë në të njëjtën mënyrë. Nuk kam asgjë kundër protestave, por parlamenti, si bërthama qenësore e demokracisë, nuk duhet bojkotuar kurrsesi.
Deutsche Welle: Tashmë kjo ka ndodhur. Çfarë do t’u këshillonit ju ndërkohë partnerëve tuaj?
Florian Hahn: Kjo është një situatë e vështirë: Zakonisht ka një pasardhës për dikë që lëshon një mandat. Në se ka njerëz të arsyeshëm që janë në gjendje ta bëjnë këtë, atëherë këta duhet të zënë vendet e mbetura bosh.
Deutsche Welle: Por këtë nuk e dëshiron kreu partiak?
Florian Hahn: Ky ishte një gabim i rëndë dhe në fakt nuk është partia ajo që vendos për mandatin. Kjo është pyetja tjetër sesi kuptohet demokracia. Janë njerëzit, përfaqësuesit e popullit që janë zgjedhur dhe jo partia, ata që vendosin nëse dikush do ta dorëzojë mandatin apo jo.
Deutsche Welle: Pra, ju nuk keni asnjë këshillë se si duhet të vijohet më tej.
Florian Hahn: Kam pasur këshillën që të mos bojkotohet Parlamenti dhe kam këshillën që mundësisht të braktiset kjo rrugë e nisur, në mënyrë që sërish të krijohet një bashkëpunim normal me njëri-tjetrin, ose edhe kundër njëri-tjetrit, por në kuadër të parlamentit, ashtu siç e parasheh demokracia.
Deutsche Welle: A do të kishte kuptim ndoshta të bëheshin zgjedhje të reja?
Florian Hahn: E çfarë do të mësonin partitë nëse do të imponoheshin zgjedhje të reja në një mënyrë që nuk parashikohet nga kushtetuta? Ta zëmë se do të kishim kështu një parti tjetër në pushtet. Çfarë do të mësonte partia opozitare nga kjo? Ajo do të mësonte se duke bojkotuar sistemin dhe duke dorëzuar mandatet sërish mund të imponoheshin zgjedhje të reja. Këtu shtrohet pyetja se ku dëshiron të shkojë Shqipëria. Dëshiron të jetë një vend i qëndrueshëm demokratik, dëshiron të bëhet pjesë e BE-së? Opozita bën mirë që i shoqëron në mënyrë kritike proceset reformuese. Por jo bojkoti, bojkoti nuk është i përshtatshëm për përkrahjen e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së.
Deutsche Welle: Vitin e kaluar, grupi parlamentar i CDU/CSU-së vendosi disa kushte për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. A ka bërë Shqipëria progres në këto pika?
Florian Hahn: Në disa aspekte shohim se nuk është bërë asnjë lëvizje, në aspekte të tjera ka përmirësime të mëdha, si për shembull, në procesin e Vettingut. Por situata aktuale, e sidomos bojkotimi i parlamentit është një hap i madh prapa.
Deutsche Welle: Këtë e bëri opozita, po punën e qeverisë si e gjykoni?
Florian Hahn: Ne e shohim Shqipërinë si një të tërën. Për ne është me rëndësi që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, prandaj edhe duam që ajo të jetë e qëndrueshme dhe të ndajë me ne vlerat tona demokratike. E këtu ka së paku shumë pikëpyetje. /DW
* Florian Hahn (CSU) është që nga viti 2018 zëdhënës i politikave për Evropën në grupin parlamentar CDU / CSU në Bundestagung Gjerman.