Qelitë që burgosën sa e sa ëndrra, do të jenë muzeu virtual i pasqyrës së shpirtit të atyre heronjve të heshtur… Ato do të jenë tash e tutje, një trashëgimi materiale që duhet ruajtur në kujtesën kombëtare.
Sot, gërmadhat e mbetura nga burgu famëkeq i Tepelenës, mund të vizitohen në çdo kohë, nga kushdo. Mijëra jetë njerëzish të prera nw mes, të internuarit nga pushteti komunist, do të konkretizohen në muzeun virtual për ish-kampin e Tepelenës.
Minidokumetari përfshin edhe dëshmi të gjalla të ish-të përndjekurve politikë, të cilët u kanë mbijetuar torturave çnjerëzore diktatoriale.
Agron Tufa, drejtor i Institutit të Ish-të Përndjekurve, shprehet se të dhënat për këtë kohë kaq të errët, kësaj topografie horror, – siç u shpreh ai – nuk janë të shumta.
Filmi, në trajtë minidokumentari, është konceptuar si një muze digjital. Materialet filmike u shfaqën në kuadër të trashëgimisë materiale të komunizmit në Shqipëri. Njëkohësisht u hodhën ide sesi qelitë e burgut, të jenë një muze i gjallë atij ferri dhe një document për brezat, për të mos u harruar.