Pas “Hyatt”, një tjetër rrjet i hotelerisë ka njoftuar shtimin e një hoteli të ri në kryeqytet.
Është pikërisht rrjeti ndërkombëtar “Melia”, i cili në kuadër të zgjerimi të ndikimit të tij në destinacionit të Mesdheut ka përzgjedhur Tiranën për ndërtimin e një strukture të tillë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kompania përmes një deklarate zyrtare.
Sipas “Hotel News Resource”, “Melia Tirana” do të pozicionohet në zemër të kryeqytetit.
Ndërtesa pritet të jetë një kombinim i hapësirave të banimit, zyrave, bareve, restoranteve si dhe sallave të mëdha. Hoteli është planifikuar të hapet në vitin 2021 dhe do të ketë në total 140 dhoma.
Ky është hoteli i dytë i “Melia” në vendin tonë, pas resortit me pesë yje në Gjirin e Lalëzit që pritet të hapë dyert vitin e ardhshëm.
Me këto dy hotele, “Melia” forcon gjithashtu forcon praninë e saj në Adriatik, ku tashmë ushtron aktivitetin përmes hoteleve të ndryshme në Kroaci dhe Mal të Zi.