Ish-deputeti i Partisë Republikane, Ylli Shehu, i cili la Fatmir Mediun për t’u hedhur në krahët e partisë së themeluar nga Ilir Meta dhe të drejtuar tashmë nga Monika Kryemadhi, ka dorëzuar këtë të premte formularin e dekriminalizimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Një hap të ngjashëm kanë ndjekur edhe Aurora Mara, kandidate po e LSI-së në Qarkun e Dibrës, si dhe Enver Roshi, kandidat i LSI-së në Qarkun e Elbasanit, duke shprehur kështu vullnetin për pranimin e mandatit.
Tri kandidatët e LSI-së pritet të marrin mandatet e lëna nga ish-deputetët LSI-stë në Qarkun e Tiranës, Dibrës dhe Elbasanit, pas vendimit ekstrem politik të opozitës së bashkuar për djegien e mandateve të deputetëve opozitarë.
Plotësimi i formularit të dekriminalizimit, me vetëdeklarim, është hapi paraprak përpara se KQZ-ja të dorëzojë mandatin te një kandidat për deputet.