MENU
klinika

Jo domosdoshmërisht një popullsi e re nënkupton ekonomi të begatë

A kumton shkatërrim të ekonomisë plakja e popullsisë në SHBA?

22.06.2018 - 13:27

Prirja aktuale rënëse e lindshmërisë në SHBA do të ishte shqetësuese nëse rritja e fortë ekonomike dhe besimi në ecurinë e mirë do të kërkonte një forcë më të madhe punëtore. Por, sipas të dhënave, nuk ka një lidhje të fortë shkak-pasojë mes nivelit të lindjeve dhe ecurisë ekonomike në vendet e zhvilluara, andaj Amerika nuk ka përse të shqetësohet.

Lajmi se shkalla e lindshmërisë së Shteteve të Bashkuara ra në vitin 2017 në vlerën 1.75 ka provokuar habi dhe shqetësim. Begatia e ekonomisë amerikane në vitet 1990 dhe në fillim të viteve 2000 prodhoi një normë lindshmërie prej 2.00-2.05 fëmijë për grua, nga 1.8-1.9 që ishte në vitet 1980. Por rimëkëmbja gjithnjë e më e madhe ekonomike e pesë viteve të fundit është shoqëruar me një rënie të nivelit të lindjeve. Kjo rënie paralajmëron një shkurtim afatgjatë në tregun e punës, në raport me pensionistët, si dhe presion të madh financiar për fondet e pensioneve dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor.

Por të dhënat nuk e justifikojnë supozimin se rritja më e fortë ekonomike dhe besimi në ecurinë e mirë duhet medoemos të gjenerojnë pjellori më të lartë – duke marrë në konsideratë edhe pesimizmin për të ardhmen që pasqyrohet prej niveleve të ulëta të lindjeve. Për më tepër, normat e pjellorisë në nivelin aktual të SHBA-së nuk janë fort shqetësuese – madje sjellin disa përfitime.

Në të gjitha ekonomitë e mëdha e të zhvilluara, nivelet e pjellorisë ranë gjatë viteve 1960-70, duke arritur nivele prej rreth 2.05 fëmijë për grua. Norma e SHBA-së arriti në 1.77 në fund të viteve 1970, krahasuar me 1.8 në Evropën Veriore dhe 1.65 në Evropën Perëndimore. Edhe pse nuk mund të jemi të sigurt, pritshmëria më e mirë është se ky ndryshim në nivelet e lindshmërisë, dukshëm nën nivelin e normës së zëvendësimit të popullsisë*, do të jetë i përhershëm, me ndryshime të përkohshme, të nxitura nga faktorë specifikë.

Disa e shohim kthimin e SHBA-së në nivele fertiliteti disi më të larta në vitet 1990 si pasojë të dinamizmit dhe besimit më të madh ekonomik, në kontrast me “Evropën e vjetër”. Por gjatë 30 viteve të fundit, normat e fertilitetit për amerikanët e bardhë dhe me ngjyrë kanë mbetur ndjeshëm nën normën e zëvendësimit dhe luhatshmëria prej tri dekadash e shkallës së lindjeve në Shtetet e Bashkuara shpjegohet kryesisht me pjellorinë e lartë hispanike, duke reflektuar fenomenin e zakonshëm që normat e fertilitetit të emigrantëve të gjeneratës së parë janë zakonisht të ngjashme me ato në vendet e tyre të varfra të origjinës. I njëjti efekt shpjegon pse Kanadaja – që numrin më të lartë të emigrantëve e ka nga vendet aziatike, të cilat kanë lindshmëri të ulët – ka pasur dukshëm një normë fertiliteti më të ulët, prej rreth 1.6.

Por me normat e tanishme të pjellorisë në Amerikën Latine që janë në rënie të konsiderueshme – dhe Meksikën që ka rënë nga 2.9 në vitin 2000 në 2.1 ditët e sotme, dhe Brazili nga 2.5 në 1.7 – ndikimi që kanë emigrantët po zbehet, dhe SHBA-ja po i kthehet një norme tipike fertiliteti që i takon një vendi të pasur e të zhvilluar.

Pa ndikimin e përkohshëm të emigracionit, të gjitha ekonomitë e zhvilluara kanë lëvizur në norma fertiliteti midis 1.2-2.0, me shumicën e tyre midis 1.3 dhe 1.9. Dhe ndonëse ka dëshmi se recesionet e thella e të papritura prodhojnë ulje të përkohshme të pjellorisë, të pasuara nga ringritje, krahasimi ndërshtetëror nuk ofron prova të ndonjë korrelacioni – pozitiv apo negativ – midis suksesit ekonomik afatmesëm dhe niveleve specifike të fertilitetit brenda këtij intervali.

Kanadaja, me normën e vet të ulët të lindshmërisë, është po aq e suksesshme dhe e sigurt sa SHBA-ja. Rritja e fortë gjermane gjatë 20 viteve të fundit është kombinuar me një nivel fertiliteti prej 1.4-1.5, shumë më poshtë se 1.98, norma e më pak të suksesshmes Francë. Koreja e Jugut ka ruajtur zgjerimin e fituar ekonomik me një nivel fertiliteti prej vetëm 1.2-1.3. Ekonomia më e begatë e Amerikës Latine, Kili, ka një nivel fertiliteti prej 1.76, shumë më poshtë se më pak e suksesshmja Argjentinë, prej 2.27.

Rënia së fundi e pjellorisë amerikane nuk është aspak e habitshme; dhe, nëse nuk bie në nivele shumë më të ulëta, nuk ka arsye për t’u shqetësuar. Natyrisht, në planin afatgjatë, një nivel më i ulët i lindshmërisë, i kombinuar me rritjen e jetëgjatësisë, do të rrisë raportin e njerëzve mbi 65 vjeç me ata “në moshë pune”.

Por, duke qenë se njerëzit aktualisht jetojnë më gjatë dhe më shëndetshëm, mosha e daljes në pension mund dhe duhet të rritet. Dhe në një botë me potencial të lartë automatizimi, i cili kërcënon rritjen e pagave të ulëta dhe barazinë gjinore, një fuqi punëtore që rritet në vijimësi nuk është as e nevojshme as e dobishme dhe një tkurrje e lehtë e ofertës së punës mund të krijojë stimuj të dobishëm për të përmirësuar produktivitetin dhe për të mbështetur rritjen reale të pagave.

Veçanërisht, frika se robotët do të zaptojnë vendet e  punës është shumë më pak e përhapura në Japoni dhe Kinë sesa në vendet perëndimore me fertilitet më të lartë.

Në shoqëritë e pasura e të zhvilluara, me qasje moderne ndaj rolit të grave, nivelet e pjellorisë disi nën nivelet e zëvendësimit mund të jenë të pashmangshme dhe përgjithësisht të mirëpritura. Sidoqoftë ka një kufi, dhe lindshmëria shumë e ulët, siç është ajo e Japonisë prej 1.4, do të ketë probleme të mëdha nëse qëndron gjithmonë në këtë nivel. Projeksionet mesatare të Kombeve të Bashkuara sugjerojnë se popullsia e përgjithshme e Amerikës Veriore dhe Jugore, pas një rritjeje tjetër prej 15-20% nga tani deri në 2050, do të mbetet afërsisht e qëndrueshme për pjesën tjetër të këtij shekulli. E kundërta ndodh me popullsinë e Japonisë, e cila parashikohet të bjerë nga 125 milion në rreth 80 milion. Tkurrja demografike në këtë shkallë do të presionojë fort aftësinë e Japonisë për të mbështetur një popullsi të plakur.

Prandaj duhen ndërtuar politika inteligjente, që të identifikojnë dhe të heqin pengesat e panevojshme që ulin lindshmërinë, siç janë diskriminimi në tregun e punës, leja e kufizuar e lindjes për të dy prindërit, apo strukturat e papërshtatshme të kujdesit për fëmijët, gjëra që vështirësojnë pasjen njëkohësisht të një karriere të suksesshme dhe të shumë fëmijëve për gratë. Vendet skandinave janë shembull në këtë drejtim, megjithëse normat e fertilitetit nuk janë kthyer ende në nivelet e zëvendësimit, por vetëm në rreth 1.75-1.9.

Politika të ngjashme në Shtetet e Bashkuara mund të rrisin ndjeshëm shkallën e fertilitetit nga vlera aktuale prej 1.75 me një efekt neto disi dobiprurës. Por kjo rënie duhet pranuar si e pashmangshme dhe të mos shqetësohemi për të. Kjo është qasja që duhet të mbizotërojë.

* Norma e zëvendësimit të popullsisë është numri mesatar i fëmijëve të lindur për grua, në të cilin një popullatë zëvendëson saktësisht veten nga një brez në tjetrin, pa përfshirë migrimin

Burimi: World Economic Forum