Tashmë si çdo fillimvjeshtë Korça është shndërruar në një skenë gjigande për të mirëpritur eventin më të rëndësishëm teatral , Festivalin Mbarëkombëtar të Komedisë. Edicioni i pestë i “KOKO Fest” nis në 1 shtator dhe do të mbaj të mbërthyer pas skenës artistët më të mirë nga të gjitha trevat shqiptare , jo vetëm të humorit por edhe të zhanerave të tjerë. Ky festival ndiqet nga korçarët po aq sa edhe nga të huajt edhe turistët që zgjedhin të vizitojnë qytetin e dritave.
Ethet e garës përfshijnë trupat më të mira teatrale të Vlorës, Gjirokastrës, Shkodrës, Fierit , Durresit dhe Korçës mikpritëse, por këtë vit pjesëmarrës do të jenë edhe trupa teatrale nga Greqia , Kosova dhe Maqedonia që do i shtohen kompeticionit. Drejtuesja e Teatrit të Korçës , Zamira Kita , bën me dije se këtë vit do të shfaqen për publikun tetë premiera. Teatri i Korçës do të sjellë si premiere, në natën e tretë, nje shfaqje me regji të regjisorit Guri Koço .
Sakaq Teatri i Durrësit përfaqësohet me regjisoren Driada Dervishi me “Komedia që shkon për dreq”, Teatri i Prishtinës, vjen me një vepër që mban firmën e regjisë së Ilir Bokshit. Teatri “Petro Marko” në Vlorë, konkurron me veprën “Në dorë të fatit” me regji të Arben Kumbaros, ndërsa Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” do të konkurrojë me “Darka e Lamtumirës” me regji të Kiço Londos.
Artistë të mirënjohur sikurse Margarita Xhepa, Mirush Kabashi, Tinka Kurti, Reshat Arbana, si dhe artistë antarë të jurisë do të jenë plejada që do të ndjekin festivalin në të gjitha netët e tij së bashku me publikun korçar dhe jo vetëm, për të shpallur në fund fituesin.
Përgatiti: L.S.