MENU
klinika

Vështirësisht të falsifikueshme

Kodet e sigurisë së kartëmonedhave

25.08.2018 - 17:00

Historia e falsifikimit është thuajse aq e vjetër sa vetë historia e parasë.

Madje është thënë se edhe monedhat e para prej elektrumi (përzierje ari, argjendi dhe metalesh të tjera) në Lidia (mbretëri antike në Azinë e Vogël) falsifikoheshin rregullisht, dhe gjetja e monedhave të falsifikuara në Romën e lashtë ishte një dukuri e përditshme.

Perandorët romakë, ashtu si edhe sundimtarë të tjerë, njihen botërisht për falsifikimet e tyre, duke ulur sasinë përbërëse të metalit të çmuar në monedhë e duke i paraqitur me vlerë më të lartë (nga jashtë dukeshin ar e argjend, ndërsa brenda ishin bakër).

Problemi i parave të pavlera (funny money) mbeti një çështje shqetësuese për shoqërinë edhe mijëra vjet më vonë. Për shembull, në fillim të Luftës Civile të SHBA-së më 1861 – në kohën kur bankat lëshonin ende monedhat e veta – u vlerësua se gjysma e kartëmonedhave në qarkullim ishin false./konica.al

Veçoritë e sigurisë së kartëmonedhave

Dhe ndërsa shkojmë drejt një bote më digjitale, lojrat “macja dhe miu” midis autoriteteve shtetërore dhe falsifikuesve ende vazhdojnë.

Infografikët e mëposhtëm janë publikuar nga TitleMax dhe detajojnë 10 kartëmonedhat më popullore nga e gjithë bota, duke përfshirë masat kundër falsifikimit që janë marrë për secilën prej tyre.

Përvoja shekullore kolektive, përparimet teknologjike, dhe shumë episode prove dhe gabimi, kanë bërë që kartëmonedhat më të fundit të kenë veçori mbresëlënëse sigurie, që i nxjerrin jashtë loje ato të mëparshmet.

Në vijim shfaqen elementet e sigurisë së dhjetë kartëmonedhave: dollari amerikan, ai i Singaporit, kanadez, australian; euro, pezoja meksikane, jeni japonez, paundi britanik, franga zvicerane dhe randi i Afrikës së Jugut. Dhe në fund, shpjegimi përkatës për çdo element sigurie të paraqitur te kartëmonedhat e renditura më poshtë.


Elementet e përbashkëta të sigurisë të përdorura

Shumë stampues kombëtarë kanë përdorur teknologji të ngjashme kundër falsifikimit për kartëmonedhat e tyre:

Paratë plastike: Në Kanada, autoritetet filluan të gjenin 470 falsifikime për çdo një milion kartëmonedha të ligjshme që ekzistonin – një normë pothuajse 10 herë më e lartë se vendet e tjera të G20-s. Duke marrë në konsieratë këtë problem, Banka e Kanadasë së fundi paraqiti shënimet prej polimerit, që e bëjnë falsifikimin shumë më të vështirë.

Kartëmonedha prej polimeri u testua së pari në Australi në vitin 1988, dhe si Kanadaja, shumë vende kanë kaluar te polimeri, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Malajzinë, Kilin, Zelandën e Re, dhe Meksikën.

Hologrami: Më shumë se 300 prerje kartëmonedhash në 97 vende përdorin hologramë për mbrojtje, duke e bërë kësisoj një nga tiparet më të zakonshme të sigurisë në nivel global. Hologramët mund të përfshihen në konfigurim përmes fijeve të sigurisë, shiritave, etj.

Imazhi i padukshëm: Një nga veçoritë më të zakonshme të sigurisë, këto imazhe krijohen duke përdorur trashësi të ndryshme të letrës në procesin e printimit. Kur i bie drita, imazhi bëhet i dukshëm.

Mikroteksti: Teksti mikroskopik, i cili mund të lexohet vetëm me një lupë zmadhuese, është një tipar i përbashkët i sigurisë në shumë kartëmonedha globalisht.

Karakteristika e ndryshimit të ngjyrës: Rreth 42% e kartëmonedhave të lëshuara që nga viti 2011 përdorin karakteristika të ndryshimit të ngjyrës, në të cilat, pjesë nga kartëmonedha ndryshojnë ngjyrë në varësi të këndit të shikimit.

Filli i sigurisë: Shumë kartëmonedha përdorin këtë veçori të sigurisë, e cila përbëhet nga një shirit i hollë që futet përmes letrës së saj.

Shenja të fshehura: Paratë gjithashtu mund të përfshijnë bojë ose shenja që janë të dukshme vetëm në dritën fluoreshente ose infra të kuqe, duke i bërë ato të padukshme për syrin e lirë./konica.al

Burimi: World Economic Forum

Përgatiti: M.G