Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi zhvilloi një takim me të rinjtë e kësaj partie.
Në mbledhjen e Komitetit drejtues kombëtar të LRI-së, Kryemadhi tha se në fund të majit do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe porositi të rinjtë të bëhen gati.
Në lidhje me protestën, ajo shtoi se njerëzit dalin në shesh për një sërë problematikash dhe jo për krerët e opozitës.
“Protesta nuk është politike. Njerëzit nuk dalin as për Lulin e as për Monikën. njerëzit në shesh kanë dalë për hallet e tyre, ashtu si protesta e studentëve për çmimet e taksat e larta, kushtet e mjerueshme e shumë problematika të tjera që sollën një protestë madhështore.
Pakënaqësia nuk ishte as opozitare as nga një grusht njerëzish por e qindra e mijëra studentëve që i dhanë një mësim të mirë jo vetëm opozitës por të gjithë atyre njerëzve që nuk janë dakord me reformat e qeverisë e diktaturën e realitetin e hidhur e më poshtërues që kanë kaluar shqiptarët që nga 1990″, tha Kryemadhi.
Ajo deklaroi se vendi është përballë një grushti njerëzish që përfaqësojnë ideologji kriminale.
“Përplasja jonë nuk ka të bëjë me Europën e as ndërkombëtarët por me këtë sekt kriminal që ka kapur drejtësinë shqiptare, shtetin, qeverinë, institucionet shqiptare. Kemi dëgjuar se si ndihma ekonomike do kishte një rishpërndarje por u zvogëlua, u përjashtuan familje dhe sot shqiptarët janë më të varfër se ç’kanë qenë 5-6 vite më parë.Neveria është jashtëzakonisht e madhe për këtë grup njerëzisht që kanë kapur shtetin.
Mos kujtoni se njerëzit do tolerojnë që dikush të vendosë për fatet e tyre. Shqiptarët janë një popull i vogël, i varfër por e kanë pasur të vështirë për t’u nënshtruar. Janë bashkuar dhe kanë dalë për ekonominë e fëmijët e tyre. Janë 400 mijë shqiptarë që janë larguar nga Shqipëria. Janë larguar me qindra mijëra për shkak të pasigurisë, arsimit. Janë larguar mjekë dhe infermierë”, u shpreh kryetarja e LSI-së.
Më tej ajo kërkoi nga strukturat rinore që të vazhdojnë angazhimin pasi sipas saj, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Ju si strukturë rinore do të vazhdoni angazhimin tuaj me gjimnazet, me universitetet. Angazhimi i të gjithë strukturave të LRI për komisionerët që do të jenë pjesë e procesit. Të jeni të bindur se në fund të majit Shqipëria do të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, nënvizoi Kryemadhi.