Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, tha sot se qeveria ka miratuar një paketë, e cila synon të rikthejë në punë personat që kanë mbetur të papunë për shkak të goditjeve që dha pandemia e Covid-19.
Programi ndahet në 3 kategori: te kategoria e parë shteti do të paguajë për dy muaj pagën minimale dhe kontributet shoqërore të punonjësve nëse ata rikthehen në punë për të paktën 4 muaj, për ata që do të rikthehen për 8 muaj, 4 muaj pagë dhe kontribute do të paguhen nga shteti, ndërsa për individët që lidhin kontratë 1 vjeçare, 100% të kontributeve shoqërore do të paguhen nga buxheti.
Të gjithë procesin e rekrutimit në këtë program do ta kryejë Agjencia Kombëtare e Punësimit. Paketa synon rritjen e punësimit dhe mbështetjen e biznesit që vuajti pasojat e mbylljes së aktivitetit ekonomik.
Për të njehsuar tregun e punës së Shqipërisë me atë të Kosovës, ministrja Anila Denaj priti një grup pune të udhëhequr nga ministri i Kosovës për Punët dhe Çështjet Sociale, Skënder Reçica.
Të dy grupet nisën punën për njehsimin e dokumentacionit për njohjen e arsimit profesional në të dy shtetet, si dhe kontributeve shoqërore që paguajnë qytetarët e të dy vendeve, nëse punojnë në Shqipëri apo Kosovë.