Me Aleksandros Memetaj u njoha krejt rastësisht. Disa pasazhe të monologut të tij “Albania, casa mia” ishte postuar në rrjetet social. Në shfaqje flitej për peripecitë e një djaloshi dhe të atit të tij për të ndërtuar një jetë të re në dhe’ të huaj. Një histori që për ne shqiptarët është e prekshme, por suksesi që shfaqja ka arritur në teatrot e Italisë, përgjatë turit që artisti 26 vjeçar ka realizuar në këto 2 vite në vendin fqinj tregon se mesazhi i shfaqjes tregon më shumë se kaq. Emocionet dhe ndjesitë që përcillen në të janë kaq universale saqë sfidojnë kufinjtë kulturor dhe historik të publikut që ndjek shfaqjen. Aleksandros, shqiptari nga Vlora ruan ende theksin tipik të zonës së origjinës, ka energjinë e një djaloshi që kërkon të çoj përpara ambicien e tij për të ndërtuar një karrierë të suksesshme dhe pasionin e përkushtimin e dikujt që e di se çfarë është sakrifica për të arritur atë që do vërtet. Përgjatë kësaj interviste, e cila është e para që artisti i ri shqiptar e jep për një media shqiptare, Aleksandros zbulon sesi nisi rrugëtimi i tij artistik, planet për të ardhmen dhe ëndrrën e tij që shpreson ta realizojë një ditë…
Publiku italian ju njeh gjerësisht falë monologut “Albania,Casa Mia”, por a është kjo dalja juaj e parë përpara një publiku? Cila ishte zanafilla e kësaj “ngjitje” artistike?
Po, është e vërtetë “Albania, casa mia” ka qenë debutimi im i parë në botën teatrore. Gjithçka nisi në 1 dhjetor të vitit 2015-të dhe tashmë kanë kaluar dy vite e gjysëm që nga debutimi im i parë. Megjithëse i imi nuk është vetëm një pasion pasi kam përfunduar 4 vite studim për aktrim. Ndaj kur nisa të përgatitesha për shfaqjen time të parë nuk isha një dilentat. Sigurisht që isha një aktor pa përvojë, sepse kisha dalë në skenë fare pak herë, por falë studimeve të mia rigoroze mund të them se ndihesha gati për të realizuar më së miri shfaqjen time të parë. Sigurisht që “Albania, casa mia” më ka ndihmuar për t’u bërë më i njohur në botën teatrore italiane. Gjatë këtyre 2 viteve kam realizuar më shumë se 100 shfaqje dhe mund të them se kam përfituar shumë prej tyre.
Si lindi bashkëpunimi me regjizorin Giampiero Rappa?
Giampiero, të cilin e falenderoj shumë, është një nga njerëzit që i jam më shumë mirënjohës. Ai ka qenë profesori im për disa muaj, gjatë vitit të fundit në Akademi. Ne u njohëm në kohën kur unë isha student. Gjatë një improvizimi në klasë, ku ne na u kërkua të interpretonim një klandestin në momentin kur arrinte në brigjet italiane, Giampiero dalloi tek unë një reagim të fortë. Aty për aty nuk më tha asgjë. Në përfundim të vitit shkollor, ai më kërkoi të pinim një kafe së bashku dhe unë i tregova disa episode të jetës sime. Duke qenë se isha një nxënës shumë i mirë, Giampiero më sfidoi dhe më kërkoi të hidhja në letër historinë e jetës sime dhe atë të babait tim. Unë u zhduka për dy muaj. U ktheva në Shqipëri me shpresën se do të shkruaja tekstin, por në të vërtetë nuk bëra asgjë. Sapo u ktheva në Romë, brenda 2 javësh shkrova tekstin, 99% e të cilit është ajo që unë kam vënë në shfaqjen timë nëpër turne. Giampiero mbeti i mahnitur. Sapo unë përfundova së lexuari ai më propozoi ta vendosim në skenë. Ndaj i detyrohem shumë atij. Është një ndër njerëzit më bujar dhe të ndershëm që unë kam njohur deri më tani në jetën time. Një njeri i veçantë, i rrallë, mund të them madje unik. Është e qartë se nëse nuk do ishte për besimin e tij, unë s’do të isha këtu.
Në monologun tuaj ju prekni edhe diskriminimin që italianet i bëjnë shqiptarëve. Pas 26 vitesh qëndrimi në Itali, a ndihen ende paragjykime të tilla ndaj shqiptarëve?
Fare pak. Shqiptarët që njoh unë dhe që jetojnë në Itali janë të integruar plotësisht me zakonet dhe traditën italiane. Thuajse nuk ekziston më fenomeni i racizmit apo distancimit mes dy popujve. Edhe vëmendja e mediave është zhvendosur prej shumë vitesh fillimisht në drejtim të rumunëve dhe më pas në drejtim të afrikanëve që vijnë në Itali.
Ekziston mendësia se kur udhëton në moshë të vogël drejt një vendi të huaj, përshtatja është më e lehtë. Sa e vërtetë është kjo? A do të kishe udhëtuar drejt Italisë me vullnetin e lirë të një djali të rritur?
Për disa është sigurisht e vërtetë. Unë kam mbërritur në Itali kur isha vetëm 6 muajsh. Kam marrë një formim shkollor tipik italian. Kur kam qenë i vogël flisja me shumë lehtësi italisht, sepse duke qëndruar përditë në kopësht më vinte natyrshëm, edhe pse më pas në shtëpi me familjen flisja shqip. Ndaj për mua ka qenë një integrim i natyrshëm me kulturën italiane. Nuk di të them nëse me mendjen e një djaloshi 26 vjeçar, që është dhe mosha ime aktualisht, do të mund të transferohesha në Itali. Për natyrën e punës që bëj, më ndodh shpeshherë të studioj natyrën njerëzore, shikoj përreth dhe përpiqem të kuptoj sesi funksionon shoqëria dhe si ndërtohen marrëdhëniet mes njerëzve. Kur më ndodh të bëj këtë meditim, atëherë them se mbase nuk do të transferohesha në Itali, por ky mbetet vetëm opinion im. Italia është një vend që po vdes gradualisht. Nuk ka shumë hapsira për të rinjtë dhe shumica e popullsisë dominohet nga të moshuarit, që i përkasin gjeneratës së viteve ‘60-‘70, periudhë kur ata kanë qenë të rinj. Unë besoj se kanë qenë pikërisht ky brez që i ka dhënë Italisë këtë pamje të pashpresë që ka edhe sot. Rezultati? Gjenerata ime është e mbytur në një vend ku shteti nuk të ndihmon, përkundrazi shfaqet krejtësisht i painteresuar ndaj të rinjve. Madje në disa raste jo vetëm që shteti nuk i asiston të rinjtë për të krijuar më shumë hapsira për ta, por nëse gjen ndonjë mënyrë për t’i prishur punë, e bën!
Çfarë mendon se e bëri të suksesshëm edhe për publikun italian, nje monolog që flet vetëm për jetën e vështirë të një emigrant shqiptar në Itali?
Besoj se pika e fortë e kësaj shfaqje nuk qëndron tek vështirësitë e një emigranti shqiptar në Itali. Madje të tilla aspekte sikurse dhuna së cilës unë apo babai im i jemi nënshtruar rrëfehen përciptazi gjatë monologut tim. Thelbi i historisë që tregoj unë është i mbarsur me koncepte të thella ku në qendër është vendosur marrëdhënia at e bir. Besoj se kur ia del që të prekësh me ndjeshmërinë që meriton tema të përbashkëta ku e gjen veten secili nga ne, atëhere shfaqja arrin qëllimin e saj. Për të ilustruar më së miri universalitetin e temës që trajtohet në shfaqje, po ndaj me ju faktin sesi u prit ky rrëfim nga publiku në Neë York. Vitin e kaluar unë dhashë shfaqje për 2 muaj në teatrot e Neë Yorkut dhe aty publiku e gjeti veten të përfshirë edhe pse shumica prej tyre nuk e kishte idenë më të vogël se çfarë përfaqsonte fenomeni migrator shqiptar në Italinë e viteve 90’. Kjo për mua donte të thoshte se mesazhi kishte mbërritur përtej kontekstit kulturor e historik të publikut që ndjek shfaqjen.
Fundjavën e kaluar ju rikthyet pjesën në teatrin Argot në Romë, aty ku nisi dhe rrugëtimi juaj artistik në teatrot e gjithë Italisë por edhe përtej kufirit. Si rezultoi ky rikthim?
Ishte ndjesi e bukur. Të riktheheshe në atë sallë të vogël dhe të ndjesh të njëjtën aromë. Të qëndrosh në dhomën e grimit ku ditën e debutimit tim të parë, pas shfaqjes isha duke përjetuar një krizë frymëmarrje për shkak të emocioneve dhe adrenalinës që ndjeja. Rikthimi më zgjoi nder mend të gjitha këto etapa, duke më dhuruar sërish emocione magjike. Argot prodhon spektaklin ndaj mund të thuhet se unë jam tashmë bir i adoptuar i kësaj kompanie teatrore. Jam vërtet shumë i lidhur me Argot.
Cilat janë planet e një artisti të ri shqiptar si ti, që priret të eksperimentojë në zhanrin teatror?
Si aktor jam duke përgatitur spektakle të ndryshme, një i zhanrit të kërcimit teatror që pritet të ngjitet si premierë në skenë në 2019-ën. Përpara tij më pret Hamleti , provat e të cilit nisin në qershor dhe disa projekte të tjera më të vogla. Jam duke shkruar gjithashtu edhe për 2 shfaqje të tjera që me shumë mundësi do të dalin në tetor-nëntor të 2018-ës. Tematikën e tyre nuk e kam zbuluar ende, por ajo çka mund t’ju them për momentin është se nuk janë monologë. Kjo dhe për faktin se në Itali kur bën mirë diçka të japin direkt etiketën dhe të identifikojnë me të. Madje dhe për kritikën teatrore do rrezikoja të bëhesha një monologist që në moshën 26 vjeçare. Unë nuk jam vetëm aktor teatri por edhe kinemaje. Kam marrë pjesë tashmë në dy filma si Brutti e Cattivi” që doli në kinema tetorin e vitit të kaluar dhe filmi “Mbi lëkurën time” që do të dalë vitin e ardhshëme Shpresoj që edhe këtë vit të kem mundësi që të punoj në kinema, falë edhe agjentit tim, Iona Marcangelo. Përpos të gjithave duhet që të studio dhe të përmirësoj teknikat të këtij zanati të bukur por shumë të vështirë. Mund të them se gjëra për të bërë ka ende shumë.
Çfarë mesazhi ke për lexuesit e al të cilët do të dëgjojnë për të parën herë për suksesin tënd?
Shpresoj së paku t’iu kem kuriozuar mbi atë që çka ka qenë rrugetimi im deri më tani. Jam një aktor shumë i ri, por shpresoj që të bëhem përherë e më i mirë dhe të valëvis me krenari përreth botës flamurin e shqiponjës me dy kokë!!! Herët a vonë ku i dihet do të mund të sjelle “Shqipëria, shëpia ime” në Shqipëri J Kjo po që është një ëndërr e madhe për mua. Madje nëse ndonjë prej lexuesve tuaj mund të më ndihmojë për ta realizuar, të mos hezitojë të më kërkojë dhe kontaktojë…
Përqafime, shihemi së shpejti!
Aleksandros